NUK ISH GËRDECI. POR NDOTJA QË NA RRETHON - FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

NUK ISH GËRDECI. POR NDOTJA QË NA RRETHON - FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Flakë dhe një re gjigande tymi në Tiranë. Nuk është Gërdeci. Për fat, nuk ish me shpërthime, që të tundeshin xhamat e godinat deri lart në qendër. Digjej një fabrikë mbetjesh të riciklueshme në Kashar, që në magazinat e saj kish një sasi të madhe mbetjesh të lëndëve plastike. Ende nuk dihet sa ishin, që të kemi një ide sesa prej këtyre mbetjeve do të mbetet në hapësirën mbi kryeqytet dhe në ajrin që do thithim. Më mirë mos ta dimë. Madje e mira është të mos dimë as se çfarë dëmi mund të shkaktojë në organizëm ajri i ndotur nga djegia e lëndëve plastike. Thonë se janë kancerogjene. Ndaj më mirë mos të dimë gjë. Jemi më rehat në injorancën dhe mungesën e theksuar të transparencës që shoqëron institucionet shqiptare. Na mjafton deklarata e shefit të zjarrfikësve që tha se tymi nuk ka rrezik. Nuk duhen as specialistë të mjedisit, as mjekë, apo ambientalistë për të sqaruar për dëmin që u bë, a ka rrezik kjo ndotje sidomos për fëmijët e të moshuarit, e gjërash të tilla, që në çdo media të botës do gëlonin nga informacioni shtesë për të mos lejuar që dëmi i cili tashmë u bë, të mos bëhet më i madh me shëndetin e njerëzve.

Para një jave, në faqet e “Albanian Free Press” ishte sërish një shkrim mbi ketë temë: "Ndotja nga Tirana, në bregdet".  Kishte të bënte me ndotjen e shkaktuar nga ndërtimet  në kryeqytet e më tej, nga punimet për infrastrukturën e ndërtimet informale, që nga periferitë e qyteteve e deri tek resortet turistike në bregdet, të cilat vijojnë betonizimin me vrull, ndonëse ende nuk kanë leje mjedisore për projektet. Si të mos mjaftonin këto, tashmë kemi një super-ndotje shtesë që tymi i djegies do të jetë parë edhe nga hapësira. Dhe kjo ndodh tek një fabrikë e riciklimit të mbetjeve, që sipas logjikës ngrihet për të pastruar ambientin dhe që ul nivelin e ndotjes. Shkaku, sipas informacioneve të para, është pse fabrika në fjalë nuk ka instaluar një sistem efikas kundër zjarrit. Në fakt, edhe pa renë gjigande të tymit, gjithçka dëshmon se në vendin tonë mesdhetar e me 300 ditë me diell, çdo gjë është e ndotur. Jo vetëm ajri nga tymrat e smogu, jo vetëm ambienti nga plehrat, mbetjet urbane dhe inertet e ndërtimeve. Jemi të ndotur kudo, në çdo zyrë shteti e në çdo investim që bëhet. Pasi si mund të mendohet që një fabrikë për të cilën janë investuar shifra të konsiderueshme dhe pranë qendrave të banuara, nuk ka patur një sistem kundër zjarrit. Për çdo investim ka parametra dhe për të marrë lejet përkatëse në zhvillimin e biznesit, duhet të plotësohen standardet dhe detyrimet ligjore. Pra, këtu nuk është thjesht neglizhencë e një investitori, por dhe nga ndotja prej zyrave shtetërore, të atyre që japin leje, por dhe që duhet të kontrollojnë zbatueshmërinë e parametrave të ligjit. Për këtë arsye, babëzia e ndërtimeve sidomos në bregdet, që ndërsa presin pemë e ullinj për pallate e vila, ngrihen mbi gropa septike e ca më keq duke i derdhur ato në det. Për këtë arsye, inertet që vijnë nga këto ndërtime hidhen vend e pa vend, në përrenj apo zona të gjelbra duke ndotur dhe pjesë të tjera. Mjafton të shohësh pyllin e Sodës në Vlorë, i cili po degradon ditë pas dite prej inerteve, që hedhin firmat e ndërtimit midis pishave. Për të mos folur pastaj që materialet e ndërtimit të kompanive të cilat operojnë në bregdet nxirren në mënyrën më kriminale nga shtretër lumenjsh apo gryka e delta që janë të mbrojtura me ligj, që të mos preken si pasuri të natyrës. Shihni për këtë Nga lumi Mat në Veri dhe deri në guroret e sajuara e të paligjshme në Dhërmi, Himarë e Sarandë që bëhen në zona të mbrojtura nga ligji e pranë monumenteve historike. Kjo, sepse nuk mund të rrimë pa ndotur. Edhe kur thuhet se do e shndërrojmë e do ta bëjmë më të bukur, duhet të nënkuptojmë se do ta ndotim. E ndotin ndërtimet idiote e pa kriter e biznesit, që do të nxjerrë fitim të shpejtë, por dhe e shtetit që mbyll sytë e bëhet bashkëpjesëmarrës në këtë shpërdorim. Vetë industria e turizmit tek ne është një histori ndotjeje. Ndotje të ajrit, të tokës dhe shkatërrim të natyrës. Shkoni shihni resortet që po ndërtohen në bregdet dhe më thoni, a po e shëmtojnë natyrën, apo po e zbukurojnë. A po i japin vlerë bregdetit tonë të bukur, apo po e shpërdorojnë terrenin me babëzinë e ndërtimeve atje. Nëse do ju pëlqejë, do tërhiqem nga këto që them. Sidoqoftë, hapësira për të shijuar vendin tonë, po ngushtohet dita-ditës. Pasi po e shkatërrojmë me shpejtësi natyrën rreth nesh. Nëse duam t’i ikim smogut e ndotjes në Tiranë, mos mendoni se do të gjejmë ngushëllim në bregdet. Është e njëjta rrumpallhanë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: