NJË VOTË E VETME! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

NJË VOTË E VETME! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Më në fund, ra ky statut e u pamë pas katër vitesh, pavarësisht diferencave në mendime! U pamë të gjithë të mbledhur bashkë e, deshëm s’deshëm, na pëlqeu. Nuk u pamë pas humbjes dramatike të zgjedhjeve, nuk u pamë as gjatë e pas dashurisë së pranverës së shkuar mes dy kampeve, që na prodhoi disa ministra part-time, as kur u shkua në zgjedhje lideri nuk u pamë aspak. More, nuk u pamë për t’u grindur fundja, por statuti, ah statuti, si ushtarët e mirë e të bindur, na u duk më seriozi e na mblodhi.

Por edhe na trishtoi pa fund, ky takim.

Dikur, fryma dhe optimizmi ndihej edhe në grupime disaqindëshe si ky, në një Këshill Kombëtar ose edhe në një mbledhje lagjeje, kishte frymë, pasion. Por, pavarësisht se u takuam të malluar, nuk e pashë bindjen e marrjes së votës, e ardhjes në pushtet, e prirjes së një populli, në asnjë portret, madje as tek oborrtarët me tituj e grada.

Plogështia politike është si një opium. Na kishte zënë plogështia, skematizmi, u fol për shumëçka e për asgjë, sepse ky rregullator i rregulluar taze, siç është statuti i ri, nuk mundet dot të na japë atë për të cilën bëhet çdo përpjekje, votën, edhe një votë të vetme.

Shumë njerëz që respektoj, i lexova tek shpreheshin se, nuk ka qenë statuti arsyeja e humbjeve të njëpasnjëshme. Të tjerë u morën shumë me lidershipin dhe veprimin ose mosveprimin pas një humbjeje. Por vallë, ku shkoi vota? Janë vetëm dy rastet kur ka një papërgjegjshmëri kaq të lartë: Ose e ke ndarë mendjen që do të humbasësh dhe plogështia politike nuk të bën të mendosh për votën, ose mendon se votat rrinë aty, vegjetojnë, i ke në xhep, i ke në bankë në “depozitë” e po të presësh, do të rriten vetë.

Sepse edhe një votë e vetme sot, është luks.

Për këtë luks duhet menduar shumë gjatë.

Nga një votë e vetme, duhet pasur frikë si prej djallit, duhet ruajtur e gjurmuar, duhet pritur, duhet lutur.

Një votë e vetme në një vend të vogël si yni, bëhet shumë shpejt katër, e nga katër bëhet shumë shpejt dyzetekatër.

Në opozitë ndryshon përfundimisht kahu i pushtetit të brendshëm, s’kanë më peshë reverencat, s’ka ushtarë e gjeneralë, e po nuk e kuptove këtë, një votë është luks që s’ta nxë xhepi.

Ato duar që u ngritën pro mbretërisë pa fron, nuk janë pushteti; pushteti janë ato mijëra duar që u harruan, ato mijëra e mijëra që u mohuan, ato mijëra e mijëra të cilat, verën që shkoi, u mësuan me faktin se opozita mbush kutitë në zgjedhjet e saj, në një kopje të atij që ka përballë për armik politik. Ndaj çdo predikim i saj për votim të pastër, humbet ligjshmëri morale.

Çfarë është saktësisht një votë e vetme?

Është një zgjedhje e shprehur, një e drejtë e mirëpritur, një detyrë e përmbushur.

Një votë e vetme është ndërgjegjësim, afirmon deklarimin tonë ndaj një argumenti.

Një votë zgjedh, një votë pranon, një votë jep besim ose e heq atë, shpreh një mendim, një injorim pse jo.

Vota shkon për preferencë por, ndodh edhe kjo, edhe për interes, sepse tashmë votohet edhe për një favor në këmbim.

Mos e nënvleftësoni një votë të vetme!

Ajo është e rëndë plumb në opozitë.

Nuk e keni luksin ta humbisni as një votë.

Të gjitha tarafet e strategjitë tkurren përpara votave të humbura, të fortë të bën vetëm vota! E nëse vota bie në pikiatë, askush, po askush, nuk ka të drejtën e as më pak ligjshmërinë të ushtrojë diktat.

Është rasti që, një votë e vetme mund njëmijë e një!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: