NEGOCIATAT NGA TUSK TE MERKEL – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

NEGOCIATAT NGA TUSK TE MERKEL – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vijon ende saga për çështjen e hapjes së negociatave me BE-në. Deri në pritje të Samitit të Sofjes, ku do të diskutohet e ardhmja për vendet e Ballkanit Perëndimor, duket se do të ketë zhvillime plot intensitet, që do të përcaktojnë dhe ecurinë e mëtejshme. Për Shqipërinë ka ende pengesa, që vijnë jo nga Brukseli ku janë drejtuesit e Unionit, por nga vende të veçanta të BE-së, ku Franca dhe Gjermania duket se do të thonë fjalën e fundit. Sidoqoftë, po shpalosen qartazi, ata që janë pro dhe kundër. Sot në Tiranë, mbërrin Presidenti i BE-së Tusk, i cili do të zhvillojë një tur vizitash në vendet e Ballkanit, ashtu si dhe Mogerini një javë më parë. Nuk do të përbëjë ndonjë surprizë qëndrimi i Tusk, i cili mbështet vendimin nga Komisioni i BE-së, që Shqipëria së bashku me Maqedoninë, të rekomandohen për të nisur çeljen e negociatave për anëtarësim në bashkësinë e vendeve europiane. Ndërkohë, në skenën mediatike është shfaqur këto ditë dhe deputeti gjerman Krishbaun, në cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar për integrimin në parlamentin gjerman, i cili shprehet se vendimi pro për Shqipërinë i duket i parakohshëm dhe se për hapjen e negociatave nuk mjafton rekomandimi pozitiv i shprehur nga komisioni i BE-së. Sidoqoftë për këtë do të vendosë Merkel, dhe për këtë arsye kryeministri Rama do të paraqitet në Berlin të enjten, për të diskutuar për këtë çështje me kancelaren gjermane.

Asgjë nuk mund të parashikohet se si do të jetë ecuria e Shqipërisë në procesin e negociatave. Deputeti Krishbaun e vë theksin te niveli i lartë i krimit dhe korrupsionit, si dhe do të hetohen masat e marra nga qeveria shqiptare mbi rekomandimet e bëra më parë, si nga BE-ja dhe nga vetë Gjermania. Qëndrimi i tij u bë temë debati në vetë median shqiptare, si dhe shkak për akuza politike kur kryeministri akuzon Bashën, se ka influencuar për të negativizuar interesat e vendit.

Gjithsesi, çështja nuk mjafton me kaq. Përveç qëndrimeve për të hetuar se, çfarë arritjesh ka vërtet Shqipëria për të merituar hapjen e negociatave, ka dhe qëndrime që varen nga skepticizmi i zgjerimit. Shembulli më i qartë ishte nga presidenti francez Macron, i cili u shpreh qartë se më parë se zgjerimit, BE-së i duhet një reformim i brendshëm. Në bazë të kësaj linje, kjo u dëshmua dhe me vendimin e djeshëm që të ndryshohet skema e financimit të vendeve të caktuara. Kështu, vetë vendet e Europës Lindore që përfitonin një fond për të rritur standardin e tyre e për ta përafruar me ato të anëtarëve të vjetër të BE-së, do të kenë një tkurrje në ndihma e investime. Kështu, nuk do të merret më për bazë niveli i PBB-së të secilit vend për shpërndarjen e fondeve, por për problematikat që kanë, për nivelin e papunësisë dhe shëndoshjen e ekonomive problematike. Në këtë mënyrë, një pjesë e rëndësishme e fondit që deri tani ishin destinuara për vendet e Europës Lindore, tashmë do të drejtohen drejt ekonomive të Italisë, Greqisë, Spanjës dhe jugut të Francës. Vetë këto ndryshime janë një tregues jo i mirë për atë çfarë presim. Vendet e BE-së duket se nuk do duan të shpenzojnë me shumë pará për vende të tjera në proces zgjerimi, por do të fokusohen së pari në përmirësimin e treguesve të ekonomive të tyre. Skepticizmi që vjen pas goditjeve nga kriza ekonomike, largimi i Britanisë së Madhe, por dhe zërave për të rikonstruktuar e reformuar vetë strukturat e BE-së, vijnë në një kohë jo të volitshme për pritshmëritë tona.

Ajo çfarë ndodh në BE dhe në marrëdhëniet me vende të veçanta anëtare të saj, nuk janë si dikur. Ka një krizë besimi te shumë vende anëtare, tek burokracia e Brukselit, gjë që ka ndikuar dhe zgjedhjet elektorale në shumë shtete, si dhe në konfiguracionet e reja politike që janë krijuar. Të gjitha këto influencojnë në qëndrime të cilat, jo gjithmonë kanë qenë në unison e paralel me ato të shprehura nga lidershipi i BE-së. Në gjithë këto vite, drejtuesit më të lartë të BE-së, kanë qenë të fokusuar drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kanë ushtruar trysninë e tyre të vijimit të zgjerimit të Unionit, përkundrejt qëndrimeve negativiste të vendeve të caktuara. Të gjitha këto ndryshime në qëndrime të zyrtarëve të BE-së dhe të shteteve të veçanta, janë të ditura, ndaj na mbetet të presim nëse dhe rekomandimi i Komisionit për hapjen e negociatave, do të pranohet, apo do të ngrenë sërish krye akuzat se, në Shqipëri e Maqedoni ka ende shumë për të përmirësuar që të kalohet në këtë nivel. Në fund të fundit, këto shtete do të vendosin. Komisioni jep vetëm rekomandim pozitiv.

Përtej kësaj, ecuria jonë si shtet nuk bëhet thjesht për sytë e ndërkombëtarëve dhe për të marrë një status. Së pari, ecuria është një produkt që duhet ta ndiejnë vetë shqiptarët. Ndaj suksesi i një vendimi për çeljen e negociatave, duhet të jetë i matshëm fillimisht tek ekonomia e vendit, treguesit pozitivë të saj, me uljen e papunësisë dhe rritjen e nivelit të jetesës, me institucionet që u vihen në shërbim dhe që hap perspektiva zhvillimi, me drejtësi që funksionon dhe bashkëpjesëmarrëse në vjedhje.

Hapja e negociatave mbetet ende një rebus. Padyshim që është i mirëpritur, por të jemi koshientë se nuk e kemi të lehtë këtë provim. Së pari se, vetë ne jemi shumë pak të arrirë në përafrim dhe së dyti, për kushtet që ndodhet vetë BE-ja. Sidoqoftë, rezultati do të ndikojë dhe në klimën e zhvillimet e brendshme. Për mirë apo për keq.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: