NDRYSHIME NË QEVERI APO THJESHT KOKA DREJTORËSH? – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

NDRYSHIME NË QEVERI APO THJESHT KOKA DREJTORËSH? – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një makth i vërtetë ka pushtuar këto ditë administratën. Ndjesia e alarmit ka përfshirë jo vetëm specialistët e thjeshtë, por ngrihet deri lart tek drejtorët dhe madje dhe te ministrat. Efektet e kësaj janë te nisma e re e Kryeministrit, për të kryer një analizë të punës gjashtëmujore të administratës shtetërore, për të parë çka shkon mirë dhe çfarë keq. Nisur këtej edhe zërat për ndryshimet në qeveri dhe në nivelet e tjera më poshtë, po zënë gjithmonë e më shumë vend nëpër korridoret e shtetit. Por, a do mund kryeministri ta bëjë vërtet një operacion në shkallë të gjerë, për rritjen e profesionalizmit të administratës dhe qeverisë, apo ky do jetë një spektakël i radhës?

Në kushtet e sotme kur kemi një situatë të ndezur me opozitën dhe protestat, do të dukej si një tërheqje dhe tregues frike, çdo lloj ndryshimi. Pasi mund të interpretohej si tërheqje nga presioni i opozitarizmit. Por është dhe e vetmja rrugë për të treguar se, shumica ka fuqinë për tu vetë përmirësuar. Gjatë qeverisjes pesëvjeçare të Ramës, kemi shembuj të shumtë se, kanë mbretëruar për aq kohë sa ka PS-ja në pushtet edhe shumë drejtues qendrorë e të nivelit të dytë. Jo se kanë shkëlqyer, dhe askush nuk ka shembuj për t’ua dhënë favor këtë, por thjesht kanë mbijetuar, si gjysmë të harruar, gjysmë të politizuar e ngrefosur në pseudoprofesionalizëm.

Që duhet të transformohet administrate, ky është një proces që duhej të ishte bërë prej kohësh. Por gjithmonë është bërë keq. Ndaj, edhe nëse ka ndërmend të hapë sërish këtë temë kryeministri, a do të bëjë të njëjtat gabime si dikur? Me shumë gjasa, po.

Gjithashtu, ndryshimet në administratë duket se janë e vetmja lëvizje që mund të krijojë efekt më të shpejtë. Nuk mund të bëhen kollaj reforma ligjore, por një shkundje e punonjësve të administratës, është gjithmonë një gur i përdorshëm në çdo kohë. Tashmë, me 74 deputetë në Parlament, si dhe katër vota pro saj në rezervë, duket se shumica e sotme nuk mund ta vërë në funksion forcën e kartonëve për ndryshime të ligjeve. Ndonëse në parametra të afërt, nuk ka ende ndonjë projekt të shprehur se, në çfarë rasti mund ta përdorë në të ardhmen. Ligjet që kërkonin shumicë të cilësuar, duke filluar nga ato për reformën në drejtësi e që preknin nene të kushtetutës, janë arritur të kalojnë qysh në mandatin e kaluar. Ndaj, duke përjashtuar reformën e re zgjedhore për të cilën do të duhen dhe votat e opozitës si bashkë projektuese, duket se betejat e ardhshme në politikë, nuk përfshijnë ligje për reforma madhore. Problemi i vetëm i debateve do të jetë zbatimi i ligjeve aktuale nga qeveria Rama, si dhe zbatimi i reformave të cilat kanë marrë shtrat ligjor.

Në vëmendje të punës së qeverisë Rama 2, është vënë sërish administrata. Nuk është ndonjë ndryshim pushteti politik dhe që siç ndodh rëndom në këto raste bëhet një pastrim zone nga militantët. PS-ja ishte dhe është në pushtet, ndonëse ka lënë jashtë ish-aleatin, LSI. Por për çka do të ndodhë në administratë, tashmë nuk duhet ndonjë ligj special, siç para katër vitesh u votua ligji mbi statusin e nëpunësit civil. Ligj i cili u miratua në fund të majit, përpara fushatës zgjedhore dhe u votua me konsensus nga të dyja palët, si një ndër ligjet e rekomanduara nga Komisioni Europian.

Nëse kujtojmë debatin e para katër viteve, zbatimi i ligjit u shty nga qeveria Rama e sapozgjedhur. Opozita menjëherë akuzoi se, me këtë shtyrje, Rama kërkoi të spastrojë administratën aktuale, e cila do ishte e mbrojtur nga ligji në fjalë. Shumica u mbrojt me arsyet teknike, por nuk e fshehu se administrata e tanishme është e mbushur me militantë partiakë, të paaftë e të korruptuar, çka nënkupton se, do te ketë një reformë të thellë në të. Me anë të një akti normativ, ligji u bë i zbatueshëm pas gjashtë muajsh dhe reforma në administratë vijoi si në çdo fillim mandati.

Fakti është që, pas çdo ndërrimi pushteti, administrata është viktima e parë dhe në të futen militantë dhe mbështetës së partisë që ka fituar. Kjo gjë në dëm të profesionalizmit. Ndryshimet e qeverive në Shqipëri, tradicionalisht kanë pasur viktimën e parë, administratën publike. Shkarkimet me lista, "shkrirja" e institucioneve dhe pezullimet pa kriter, janë forma më e njohur e largimeve nga puna, duke i emëruar me shprehjen, "reformë". Por realisht, "ndryshimet" në administratë kanë konsistuar që aty të futen e vegjetojnë militantë dhe mbështetës së partisë që ka fituar. Kjo në dëm të profesionalizmit. Ndaj ndryshimet mund të jenë të domosdoshme, por problemi që shtrohet është se, si dhe në ç'mënyrë do të përzgjidhen nëpunësit e rinj. A do të jenë të zgjedhur në bazë të ligjit dhe konkurrimit, apo sërish me të do të shpërblehen militantët dhe tarafi i ngushtë i pushtetit?

Pas zgjedhjeve nuk patëm ndryshim të kaheve politike në qeverisje, por sistemimi i ri i administratës në një ndarje të re të ministrive, bashkim të institucioneve tashmë në stadin e rajoneve dhe jo të bashkive, do të ulë ndjeshëm numrin e administratës. Sipas vetë kryeministrit Rama, administrata do të zvogëlohet, por synohet dhe rritja e efektivitetit nëpërmjet zhdërvjelltësisë dhe rritjes së aftësisë së saj. Gjithsesi, administrata është në panik, pasi ende nuk dihet si do të bëhet dhe cilat do të jenë kriteret e shoshitjes. Sipas disa burimeve, shkurtimet mund të shkojnë deri në 25 për qind, dhe kjo nuk është shifër e vogël për një vend si Shqipëria. Në rastin konkret, opozita dhe veçanërisht LSI-ja, do të cilësojnë ndryshimet e reja në administratë, si një "masakër" me kritere politike. Ndaj është e rëndësishme transparenca e çdo reforme që kryhet.

Pritshmëria e opinionit publik është që, gjërat të ndryshojnë në funksionimin e administratës publike, ndaj dhe po përcillet me vëmendje mënyra sesi do bëhen zëvendësimet. Nëse administrata në një pjesë të saj, ishte e paaftë dhe e politizuar siç deklaron PS-ja, por dhe çka është e njohur gjerësisht, atëherë zëvendësimet duhet të jenë e kundërta e këtij modeli. Ndaj reforma në administratë, duhet parë si mundësi për ndryshime që do t’u shërbejnë jo thjesht premtimeve elektorale dhe fushatave të ardhshme, por ndryshimeve më rrënjësore e që zënë vend në forcimin e shtetit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: