NDOTJA NDËRTIMORE, NGA TIRANA NË BREGDET – OPINION NGA PLATOR NESTURI

NDOTJA NDËRTIMORE, NGA TIRANA NË BREGDET – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fundjava në Tiranë është bërë e lodhshme. Ndoshta jo për jetën e natës, por familjet normale e ndjejnë peshën e ndotjes, ndaj dhe pushimi i fundjavës është shndërruar gati në një ndëshkim. Heqja e memorandumit të ndërtimeve ka sjellë ndërtimin e një bum pallatesh në zona të ndryshme, që e kanë bërë jo vetëm më të zhurmshme, por dhe më të pluhurosur. Po ti shtosh këtu dhe punimet e ndryshme të arnimeve të rrugëve e rrugicave që ishin lënë prej kohësh pas dore, si dhe punimet që vijojnë në qendër për Stadiumin e ri Kombëtar, e bëjnë situatën edhe më të rënduar. Parë në këtë sy, tymi që hidhet në Parlament, duket shumë më ekologjik, sesa pluhuri që thithin çdo ditë mushkëritë tona.

Gjithsesi, ky nuk është realitet vetëm për Tiranën, që mbetet metropoli kryesor dhe ku natyrshëm dhe sektori i ndërtimit do të jetë më aktiv. Të njëjtën panoramë e gjejmë dhe në zona të tjera të vendit, në qytete dhe bregdet. Ndërsa po afron sezoni i ri turistik, vërehet se bumi i ndërtimeve ka përfshirë zonat më të lakmuara bregdetare, sidomos me ngritjen e komplekseve turistike të investitorëve strategjikë. Duket se ka një nxitim, për të ngritur sa më shpejt godina në bregdet, ndoshta dhe nga problematikat që dolën së fundmi me titujt e pronësisë dhe frikën se drejtësia mund të bllokojë më pas punimet. Sidoqoftë, kjo gjendje ka sjellë që, shumë nga plazhet më të frekuentuara, këtë verë do të jenë mes llaçit e betonit, mes zhurmës së matrapikut e makinerive dhe se mjedisi relaksues për vizitorët, do jetë i mangët. Pa hyrë më tej me problemet e mjedisit, që duhen respektuar për zonat turistike. Në këtë aspekt, ky vit duket se mund të çojë në shifra më të ulëta të turizmit në vend, pikërisht për këtë ndërhyrje të ndërtimeve urgjente, gjatë vijës bregdetare. Por nuk mjafton vetëm kaq.

Shqipëria ka 300 ditë me diell, çka përbën një luks klimaterik, të cilën do e kishte zili çdo europian i integruar. Por shqiptarëve, kjo dhuratë e natyrës për vendin e tyre, duket se nuk u hyn shumë në sy, ndërsa kushtet e jetesës, sa i takon aspektit mjedisor, lënë shumë për të dëshiruar. Tymrat dhe pluhuri nga ndërtimet, mbetjet urbane që nuk përpunohen dhe digjen në natyrë, mungesa e infrastrukturës nëntokësore, deti që ndotet dhe fadromat që vijojnë të gërryejnë shtretërit e lumenjve, janë vetëm pjesa e dukshme e dhunimit të natyrës dhe të jetës qytetare.

Sidoqoftë, së fundmi, ministria e Mjedisit prezantoi kohë më parë një studim të huaj, ku Shqipëria sa i takon parametrave të ndotjes së ajrit, cilësohej brenda standardeve të kërkuara, madje shumë përpara në klasifikim, krahasuar me vende të tjera europiane. Për qytetarët shqiptarë, sidomos atyre në qytetet e mëdha, ky lajm u përcoll në mënyrë ironike. Diçka e ngjashme kishte ndodhur edhe në vitin 1989, kur në kulmin e krizës dhe të urisë ne vend, Shqipëria merrte Çmimin e Ushqimit nga OKB-ja.

Klasifikimi si një vend gati virgjërisht i pastër, në një kohë kur për kryeqytetin kishin nisur të lançoheshin një sërë kronikash në media për problematikën mjedisore, ka sjell shpesh përplasje deklarative midis bashkisë së Tiranës dhe ministrisë së Mjedisit. Por ndërsa vijon pingpongu se, kush mban përgjegjësi, situata është e njëjtë dhe nuk arrihet të shihet ndonjë mundësi bashkëpunimi midis institucioneve, për të përmirësuar jetesën e kryeqytetasve. Çështja e mjedisit është shndërruar në një sfidë, njëkohësisht edhe një kryqëzim, në të cilin ndërthuren interesat e qytetarit, përballë pushtetit qendror dhe atij lokal.

Nëse sipas institucioneve ndërkombëtare, vendi ynë është i pozicionuar mirë në klasifikimin mjedisor, sa i takon parametrave te ajrit, kjo nuk përbën ndonjë shkas për t’u mburrur dhe për t’u gëzuar. Por nëse do të fusim të gjithë parametrat mjedisorë, të gjitha barbaritë që i shkaktojmë natyrës apo si po i mirëmbajmë qytetet tona, vështirë të mendohet se sa shumë shkallë më poshtë do të ishte  Shqipëria, në këtë renditje.

Çështja e mjedisit nuk është thjesht koncept i pastërtisë. Duke u fokusuar kryesisht për kryeqytetin, duhet thënë se, rritja e taksës së pastrimit nga ana e bashkisë në 3400 lekë, natyrisht që do të ndikojë  që të kemi rrugë më të pastra. Sa më shumë pará, aq më shumë pastërti, është e natyrshme. Por çështjet e mjedisit nuk përmblidhen me kaq. Së pari, lidhet me investimet publike dhe ky është detyrim, si për pushtetin qendror, ashtu edhe atë lokal. Deri më tani, shteti ka qenë shumë borxhli ndaj qytetarëve, pasi nuk i ka paraprirë zhvillimit të kryeqytetit nëpërmjet investimeve në infrastrukturë dhe nga kjo situatë e trashëguar, zgjidhjet që kërkohen, janë shpeshherë të ngutura dhe sa për të përballuar momentalisht situatën. Kryerja e investimeve të tilla që kërkojnë fonde të mëdha, janë së pari detyrë e qeverive dhe jo vetëm e pushtetit vendor. Kashari, Farka dhe të tjera zonat në kufi me kryeqytetin, kanë patur një bum ndërtimesh, porse po aq të shumta janë dhe problemet e mjedisit në to. Dhe këto lagje të reja në kufijtë e Tiranës, vetëm së fundmi varen nga bashkia e kryeqytetit. Agjencia Rajonale e Mjedisit, mori së fundmi një sërë masash në Kashar, për të ulur ndotjen e ajrit nga kamionët që e përcjellin baltën drejt rrugëve të Tiranës. Por Kashari ka dhe probleme të tjera. Ndonëse janë ngritur blloqe pallatesh, në të mungojnë kanalizimet dhe tërë infrastruktura nëntokësore, ndërkohë që zgjidhja e vetme, janë gropat septike. Situata është e ngjashme, edhe në rajone të tjera të vendit. Rreth 1800 objekte ndotin mjedisin ne Durrës, duke derdhur mbetjet e tyre direkt në det, gjë që e ka bërë plazhin e Durrësit në këtë gjendje. Njëkohësisht, fadromat vijojnë të gërryejnë shtretërit e lumenjve, duke dhunuar deri ekuilibrat e natyrës. Si duhet zgjidhur kjo? Thjesht me gjoba apo me projekte dhe investime konkrete?

Ndërsa thuhet se një pjesë e problemeve të mjedisit shkaktohen nga ndërtimet, a ka kode, apo standarde në fushën e ndërtimit, që mund të ndikojnë dhe në përmirësimin e kushteve mjedisore? Dihet se, hartohet dhe një raport i vlerësimit mjedisor, por si është realiteti dhe çfarë bën ndërtuesi, ky është tjetër problem. A duhet sistemuar kjo çështje dhe si përdoren taksat që mblidhen prej tyre? Siç dihet, 1 për qind e taksës që merret për ndërtimet, është për projektet dhe infrastrukturën. Por sa realizohet nga kjo? Dhe nëse në Tiranë, shfrytëzimi i kësaj takse është më i mirë, po në qytete të tjera, çfarë ndodh? Njëkohësisht, për çdo ndërtim merret dhe leja mjedisore, çka tregon se, praktika burokratike për këtë çështje, është e kopsitur. Ekziston gjithashtu edhe Agjencia e Mjedisit. Por më së shumti, ajo e ka parë veten si bllokuese për rastet flagrante të shkeljes apo gjobëvënëse, kur sipas dispozitave ligjore, ka të drejtën e rekomandimeve dhe orientimit të politikave në fushën e mjedisit. Dhe çështjet e mjedisit shkojnë deri te ndotja akustike që, siç dihet, po shndërrohet një problem më vete në zonat të ndryshme të kryeqytetit, siç është rasti në zonën e ish-Bllokut.

Deri më tani, në vend të studimeve të përbashkëta, kemi veç polemika institucionesh. Por ky fakt nuk e ka ndryshuar realitetin. Ajri vijon të ndotet, mbetjet urbane gjithashtu, digjen në natyrë dhe kanalizimet mbeten të amortizuara.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: