Myfarete Laze: Përulem me shpirt para arbëreshëve, aty çdo gjë flet arbërisht!

Publicitet
Myfarete Laze: Përulem me shpirt para arbëreshëve, aty çdo gjë flet arbërisht!
Flet këngëtarja e mirënjohur, Myfarete Laze/“Përulem me shpirt, para arbëresheve që, për 550 vjet, ruajtën gjuhën dhe zakonet arbëreshe!”

Në krahinat me arbëreshë është një dukuri e njohur që, festa e Pashëve quhet ndryshe “festa e festave”. Por kur kjo festë përputhet edhe me 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, sigurisht që përjetimi në trojet ku u shpërngulën shqiptarët, merr një theks të veçantë, sepse për ta do të thotë fillimi i diasporës së madhe, që çoi drejt Italisë shumë shqiptarë, të cilët largoheshin nga Arbëria. Dhe kështu ndodhi në Frascineto, një nga zonat ku jetojnë arbëreshë, ku nga e diela 1 prillit deri të dielën e 15 prillit, u organizuan shumë ngjarje të rëndësishme, ku ishin të pranishëm figura të shquara nga Shqipëria dhe Kosova. Vallja formuar nga gratë, zbukuruar me kostumet elegante tradicionale, prania e aktorit të njohur shqiptaro-amerikan, Xhevat Limani, me kostumin e Skënderbeut, ëmbëlsirat dhe pijet e traditës që u ofroheshin pjesëmarrësve, ishin këto detaje që i bënë këto ditë, nga ato që nuk harrohen lehtë!

Të martën mbrëma, aktiviteti përfundoi në Piazza Albania me shfaqjen e dramës epike.

Shfaqjet e ndryshme u prezantuan më 3 prill në Civita, 4 prill në Lungro, 5 më 5 prill në Cosenza, më 8 prill në Piana degli Albanesi dhe 9 prill në San Giorgio Albanese. Turneu i artistit midis Arbëreshëve të Kalabrisë dhe Sicilisë u organizua nga shoqata “Vorea”, duke qenë kjo dhe një ëndërr e madhe e realizuar për një festë të gjerë e të madhe të arbëreshëve.

Por në mesin e artistëve të ftuar në këtë aktivitet të madh të arbëreshëve, merrnin pjesë dhe dy nga këngëtaret më të njohura shqiptare, Myfarete Laze dhe Alida Hisku, të cilat ishin edhe qershia mbi tortë në këto ditë festive. Në një rrëfim mbi mbresat e këtij aktiviteti madhështor, këngëtarja e mirënjohur, Myfarete Laze, na tregon emocionet e përjetuara në ato ditë mes arbëreshëve.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Myfarete, është hera e katërt që ju ftoheni në aktivitete të tilla nga arbëreshët. Si lindi ky bashkëpunim?

Së bashku me mikeshën time dhe kolegen, Alida Hisku, kishim nderin dhe kënaqësinë të ishim të ftuara në natën përmbyllëse të festës arbëreshe të Pashkëve. Me rastin e kësaj feste u përkujtua dhe nderua, edhe përvjetori i vdekjes së Skënderbeut. Ky ishte një aktivitet masiv, sepse u organizua në katër komuna në zemër të trojeve ku jetojnë arbëreshët. Patëm kështu kënaqësinë të ishim të ftuara speciale, bashkë me zëvendësministrin e Jashtëm të Kosovës, zotin Gjergj Dedaj, Presidentin e Diasporës Shqiptare, zotin Ndue Lazri, historianin, Pëllumb Xhufi, aktorin Xhevat Limani, të mirëpritur nga të gjithë kryetarët e bashkive Arbëreshe.

Si ishte atmosfera që gjetët atje?

Organizimi ishte i mrekullueshëm! Në kishën e lashtë sa vetë vendndodhjet arbëreshe, drejtuar nga Imzot Belushi që drejton këtë kishë në gjuhën arbëreshe, kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe atmosferë magjike! Në këtë kishë ruhen librat më të shquar e të lashtë të shqiptarisë, deri në ditët tona. Imzot Belushi më tregoi se, në muajin maj, ai është i ftuar nga Universiteti Italian "Zoja e këshillit të mirë" për një kumtesë, ku do të rrëfejë se si asht ruajt deri më sot gjuha e traditat arbëreshe. Aty patëm rastin e u njohëm me shkrimet e lashta arbëreshe shqipe e mbarë botërore, për Shqipninë në vite. Ishte jo vetëm kishë, por edhe shtëpia e tij, të cilën  e kishte kthyer në bibliotekë dhe shtëpi mikpritëse të shqiptarëve. Na dhuroi gazetën e përvitshme arbëreshe që botohet tesh  60 vjet. Një histori mbresëlënëse e arshivuar me këto gazeta ndër vite. Gjithashtu, ishte organizuar një simpozium historik shkencor me titull, "Arbëreshët dhe historia e ruajtjes dhe e zhvillimit", ku ishte i ftuar historiani Pëllumb Xhufi si dhe disa historianë e studiues shkencorë nga vende te ndryshme, u mbajtën 14 kumtesa nga të ftuarit e ardhur nga vende të ndryshme të botës. Në mbrëmje nisi koncerti i përbashkët me grupet e valleve, këngëtarë, instrumentistë nga arbëreshët brenda Italisë e jashtë saj, si dhe unë bashkë me Alidën, që kishim nderin të ishim të ftuara nga zonja Lucia Martino, organizatorja e këtij aktiviteti, si dhe drejtuese e shoqërisë “Vorea”.

Përjetuat emocione të mëdha?

E dashur, për ne si artiste ka mjaft aktivitete ku ndjejmë emocione; emocionet janë pjesë e jetës tonë, por mbrëmja mes arbëreshëve ishte e paharruar! Një mikpritje që vetëm ata dinë ta bëjnë! Nuk arritëm të kuptonim e kujt ishte shtëpia mikpritëse, e Lucias, e djalit të saj punëtor Mimo, që këto ditë hapi një ekspozitë me punime në akuarel, apo e njerëzve që hynin e dilnin, hanin e pinin, këndonin e kërcenin dhe festa vazhdonte pasdite, tek sheshi i Arbrit.

Cila është ndjenja juaj për këta shqiptarë të ikur 550 vjet më parë, nga trojet e të parëve?

Përulem me shpirt para arbëreshëve që, për 550 vjet ruajtën gjuhën e zakonet arbëreshe. Çdo gjë fliste arbërisht; teatri, simpoziumi shkencor, pikturat në ekspozitën e Mimos, vallet me kostumet popullore, vallet e kënduara, këngët, prezantimi. Fëmijët e vegjël me kostumet e këngët popullore arbëreshe ishin një përrallë! Një mrekulli, transmetim me shumë dashuri e dinjitet i kalimit të trashëgimisë nga brezi në brez! E pa dashje, mu kujtun vargjet e Fishtës për me ja këndu emigrantëve shqiptarë, kudo që janë:  “Në gjuhë të huj flet pa ken nevoja e gjuhën e vet s’ja mson fëmijëve”... Mirënjohje e respekt pa kufi për arbëreshët që, me dashuri e thjeshtësi, dinë të festojnë, por ma shumë dinë të nderojnë vedin, Arbërinë, të parët, zakonet, traditat dhe mysafirin! Ata ruajnë ende besën, mikpritjen e mbi të gjitha emrin Arbëresh!

 

Vlerësimi

Ja, çfarë shkruan në vlerësimin e saj, Lucia Martino, zonja e nderuar me titullin "Mjeshtre e  Madhe", nga Presidenti Bujar Nishani, për kontributin e çmuar në ruajtjen e kulturës arbëreshe, si dhe nderuar në Kanada nga Parlamenti i Torontos, me titull nderi:

“Të dashura motra! Po shikoj përsëri fotot dhe videot tona. Jeni të shkëlqyera! Keni mundur të përfshini e të pushtoni të gjithë publikun e pranishëm. Ju sollët alegri dhe hare, jo vetëm në familjen time, por në të gjithë krahinën! Njerëzit e thjeshtë më ndalojnë në rrugë e më pyesin për ju. Jam vërtet shumë e lumtur, që ja arrita të transmetoj një mesazh shumë të rëndësishëm: Ne jemi një popull! Ju falënderoj sërish për afeksionin tuaj!”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: