Moti i ngrohtë rikthen alergjitë e stinës

Publicitet
Publicitet
Moti i ngrohtë rikthen alergjitë e stinës
Mjekët alergologë tregojnë se, cilat janë alergjitë më të shpeshta që hasen në vendin tonë dhe si duhet të parandalohen ato, në mënyrë që komplikacionet mos të shkojnë drejt astmës

Sonila Isaku

Stina e pranverës, ringjallja e natyrës, sjell gëzim për shumë njerëz, ndërsa për individët që vuajnë nga sëmundjet alergjike, sjell shqetësime të mëdha. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për 50 milionë persona, kjo stinë nënkupton teshtima, lotim të syve dhe bllokim të hundëve me një kosto prej 18 miliardë dollarë. Mbështetur në Studimin Ndërkombëtar të Astmës dhe Alergjisë në Fëmijëri (ISAAC), prevalenca globale e alergjisë nga poleni në fëmijët e moshës 13-14 vjeç, është 22,1%.

Dr. Eris Mësonjësi, mjeke alergologe, tregon se, cilat janë alergjitë më të shpeshta që hasen dhe si duhet të trajtohen ato.

Alergjia e barit

Alergjia nga poleni, e quajtur ndryshe “Alergjia e barit” ose “Polinoza”, është një patologji alergjike që prek mukozën e hundës dhe të syve. Ajo zakonisht karakterizohet nga rinorea e ujshme, bllokimi i hundëve, lotim i syve, të kruara (prurit) të syve, të hundës, të veshëve dhe fytit. Këto simptoma shkaktohen nga hipersensibilizimi ndaj polenit që qarkullon në ajër si: poleni i barërave, pemëve, e shkurreve. Kur alergeni bie në kontakt me imunoglobulinat E (IgE) në inde dhe në mukozën nazalë (të hundës), aty çlirohen mediatorë të shumtë si histamina, leukotriene etj., që çojnë në shfaqjen e simptomave alergjike.

Alergjia nga poleni ul cilësinë e jetës, duke ndikuar në funksionet fizike, psikologjike dhe sociale të individëve alergjikë. Shenjat dhe simptomat e pacientëve me polinozë, janë teshtima (5-10 teshtima në grup ose breshëri), të kruara dhe rrjedhje të hundëve, të kruara të shprehura dhe lotim të syve, bllokim të hundëve, marrje fryme. Mund të shkaktojë dhe sinusitis. Gjithashtu, pacientët janë të lodhur, të irrituar, kanë gjendje ankthi, depresion, dëshpërim dhe ulje të energjive. Simptomat e alergjisë nga poleni, kanë dhe kosto ekonomike si, humbje të ditëve të punës ose ulje të përqendrimit e produktivitetit në shkollë.

Për pacientët me alergji nga poleni, ka shumë vlerë vendosja në kohë e diagnozës dhe marrja e mjekimit të duhur. Mënyra më e mirë për të menaxhuar simptomat e alergjisë, është mjekimi përpara fillimit të sezonit polenik. Specialistët alergologë kanë aftësinë profesionale për të identifikuar dhe vërtetuar alergjinë dhe për të këshilluar mbi trajtimin e masat mbrojtëse, që mund të ulin simptomat dhe të rrisin cilësinë e jetës.

Bazuar në të dhënat e fundit të studimit të bërë nga mjekët alergologë në Tiranë, para pak vitesh, rezultoi se, vlera mesatare e Rinitit Alergjik Sezonal në fëmijët e moshës shkollore, ishte në 6.2% me një rritje prej 2 deri 3-fish krahasuar me 16 vjet më parë, pra një rritje e rëndësishme e prevalencës së sëmundjes.

Ndjeshmëria e alergjikëve

Personat alergjikë nga poleni, mund të jenë të ndjeshëm dhe ndaj alergenëve të tjerë.

Për shembull, “sindroma alergjike polen-ushqim”, e njohur ndryshe dhe si “sindroma orale alergjike”, është një tip i Alergjisë Ushqimore që shfaqet në individë të sensibilizuar ndaj poleneve. Pacientët ndjejnë prurit dhe/ose irritim dhe/ose edem të lehtë të gjuhës dhe fytit, menjëherë pas ngrënies së frutave të papërpunuara (si mollë, dardhë, luleshtrydhe, pjeshkë, qershi dhe disa lloje frutash të thata) ose perime të papërpunuara. Simptomat shfaqen si urtikarie kontakti në orofaring, sepse këto ushqime përmbajnë proteina të lidhura me polenet, të cilat japin reaksionet e kryqëzuara alergjike.

Në lidhje me këto ushqime, shumë pacientë që kanë alergji nga polenet, mund të kenë alergji edhe ndaj myqeve. Me ngrohjen e motit, kemi shtim të lagështirës brenda në mjedise të mbyllura që favorizon rritjen e myqeve. Moti i ngrohtë favorizon prodhimin e mykut, të kërpudhave. Izolimi i shtëpive, mos ajrosja e tyre, ajri i kondicionuar janë akuzuar gjithashtu si nxitës të rritjes së përqendrimit të pluhurave të shtëpisë apo të kërpudhave, myqeve.

Klima

Ndryshimi i klimës po e zgjat sezonin e alergjive nga polenet dhe gjithashtu po rrit intensitetin e tyre. Alergjia nga polenet dhe alergjitë e tjera përfshirë dhe myqet, po rritën si në prevalencë ashtu edhe në ashpërsi dhe do të vazhdojnë të jenë shqetësim, përderisa ndryshimet e klimës po shkaktojnë një rritje të temperaturave dhe një zgjatje të sezoneve polenike, si pasojë shtim të ndjeshmërisë ndaj alergenëve.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e pranishme në pacientë gjatë sezonit alergjik, prishin cilësinë e jetës. Bllokimi i hundëve është i lidhur me prishjen e gjumit, me zgjime të shpeshta natën, që çojnë në lodhje dhe pagjumësi dhe ulin gjithashtu funksionet konjitive. Këto shoqërohen me çrregullime të mbarëvajtjes në punë e shkollë, çrregullime të sjelljes dhe vëmendjes në fëmijë. Të rriturit, për shkak të këtyre simptomave, mungojnë në punë dhe ulin produktivitetin.

Këshilla

Pacientët me alergji nga polenet, duhet të jenë të vetëdijshëm për ndryshimet që mund të ndodhin në zonën e tyre, për t’i ndihmuar ata të përshtaten. Këto ndryshime përfshijnë zgjatjen e sezonit polenik, rritjen e intensitetit të alergjisë dhe shfaqjen e papritur të poleneve të reja në disa zona. Për pacientët është shumë e rëndësishme të kenë një diagnozë të saktë dhe një mjekim të përshtatshëm. Mjeku specialist alergolog vendos diagnozën, shpjegon pacientin për masat parandaluese dhe kujdesin që duhet të ketë vetë ai në periudhën e polenizimit; përcakton mjekimin e duhur i cili, në rastin e rinitit, është i personalizuar në varësi të severitetit të simptomave. Gjithashtu, harton një plan ndjekjeje të saktë dhe paraqet alternativat terapeutike, siç është mjekimi dhe imunoterapia specifike ndaj alergenëve. Imunoterapia specifike me alergenë është i vetmi mjekim sot, që mund të modulojë dekursin e sëmundjes, ndihmon në uljen e simptomave dhe nevojën për mjekim, por nëse ajo kryhet sipas protokolleve të standardizuara, nën ndjekjen rigoroze të mjekëve alergologë, të familjarizuar tashmë me këto skema.

Studime mbi alergjinë

Studimet tregojnë se, nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferë janë rritur, duke mbështetur të dhënat për ngrohjen globale; pemët po prodhojnë më shumë polene dhe për më shumë kohë, pra do kemi sasi më të larta e kohëzgjatje më të madhe të poleneve në ajër dhe rrjedhimisht kemi rritje të ekspozimit ndaj tyre. Jo vetëm alergjia ndaj poleneve, por dhe ndaj alergenëve të tjerë, si pluhuri i shtëpisë (akarienet) apo myqet, po rriten në prevalencë dhe në severitet në të gjithë botën dhe do vazhdojnë të jenë shqetësim, përderisa temperaturat dhe ekspozimi po rriten.

Studiuesit kanë raportuar që, ndryshimet në klimë imponojnë simptoma të ndryshme në pacientët alergjikë ndaj poleneve. Tashmë, pacientëve duhet t’ia fillojmë trajtimin 2 javë më herët në këto 10 vitet e fundit, në krahasim me më parë.

“Të dhënat tregojnë se, sezoni i alergjive nga polenet po vjen më shpejt, por nuk po mbaron më shpejt. Çdo vit është i ndryshëm. Ne po shohim një stinë më të gjatë, për shkak të temperaturave më të larta”, - thotë Mario Sanchez-Borges, President i Organizatës Botërore të Alergjisë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: