Mjeku francez: Përse Enveri nuk i hapte kufijtë e Shqipërisë? Ma tregoi vetë sekretin

Publicitet
Publicitet
Mjeku francez: Përse Enveri nuk i hapte kufijtë e Shqipërisë? Ma tregoi vetë sekretin
INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Kur vdiq Enveri, profesori dhe mjeku francez, Pol Miliez dha një intervistë për në TF 2 të Francës: “Enver Hoxha ishte sigurisht një njeri misterioz, por jashtëzakonisht inteligjent, frankofon dhe që e njihte mirë vendin tonë”

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

(vijon nga numri i kaluar)

 “Doktor, unë do t’i mbaj kufijtë mbyllur edhe për disa vjet, sepse ky vend duhet ndërtuar dhe ky popull duhet ndërgjegjësuar. Në qoftë se unë do të hap kufijtë, shumica dërmuese do të emigrojë, siç kanë bërë në shekuj...”. Ky është sekreti që ish-diktatori komunist, Enver Hoxha, i ka pohuar mjekut francez, Pol Miliez, ndërsa ai e pyeti se cila ishte arsyeja që ai po e mbante Shqipërinë të izoluar. Një detaj mjaft interesant ky që mbërrin nga vijimi i rrëfimit të ish-zbuluesit politik të Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi, posaçërisht për “Albanian Free Press”, mbi figurën e profesorit të njohur francez, Pol Miliez, i cili drejtonte edhe Shoqatën e Miqësisë, Francë-Shqipëri dhe që ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, dha një intervistë rreth tij në kanalin TF 2. “Përveç Shqipërisë nuk ka vend tjetër komunist që t’i këtë mbetur besnik Stalinit”, citon Luçi, që të ketë thënë gjithashtu Pol Miliez gjatë asaj interviste...

 Z. Luçi, kemi folur shumë për miqësinë tuaj me Pol Miliezin. Ndërsa në numrin e kaluar, ju dhatë gjithashtu disa detaje interesante të vizitës së tij në Tiranë, por edhe të kohës kur ai drejtonte shoqatën e Miqësisë, Francë-Shqipëri. Kur jeni takuar për herë të parë me të?

Nuk kisha asnjë javë që mbërrita në Paris dhe kam shënuar në ditarin tim datën 17 janar 1972, kur u takova me prof. Pol Miliezin, për çështjen e vizitës së Hysni Kapos, që kishte vajtur atje një javë para meje, më 11 janar. Që në  vajtjen e parë në Paris e njoha si mjek, ku çonim njerëzit tanë të udhëheqjes për vizitë, kështu që në shoqatë patëm takime më të shpeshta dhe u lidhëm me miqësi të mirë. Ai ishte tepër i thjeshtë, gjithnjë buzagaz dhe i vëmendshëm në bisedë, më dëgjonte pa m’i hequr sytë pavarësisht nga mosha e re që kisha. Po, siç e kam thënë edhe në bisedën e kaluar me ju, ai ishte edhe kryetar i shoqatës së Miqësisë Francë-Palestinë. Origjina e tij spanjolle e bënte më të afërt me ne si burrë me karakter, i shoqërueshëm dhe me humor të hollë. Ai vizitoi edhe vendin tonë dhe shkroi me dashuri për të. Sikundër, me autoritetin e tij ai mblodhi në shoqatë edhe miq të vërtetë të Shqipërisë dhe e bëri atë një qendër albanologjike që nga lashtësia dhe deri në ditët tona, duke u bërë nxitëse e studentëve të rinj për studime të gjuhës shqipe. Para çdo veprimtarie me rëndësi të shoqatës, ai do të merrte mendimin tonë, pasi paraqiste programin konkret. Nuk ishte njeri që të përdorte bërjen e faktit të kryer. Ai ishte njeri shumë i hapur dhe i durueshëm për të mbajtur edhe ekuilibrin e rrymave të ndryshme nëpër degët e shoqatës në Francë. Ai më këshillonte se me cilët persona duhet të punoja realisht në shoqatë për çështjet e shtypit e të kulturës dhe njerëz jashtë saj të këtyre fushave. Për mua, kjo mënyrë sjellje nuk bëhej për të na gabuar në punën tonë, përkundrazi. Por dua të theksoj se para Pol Miliezit, nismëtar kryesor i shoqatës Francë-Shqipëri ishte Zhilber Myri. Ish-nxënës i shkollës së njohur Normale Superiore. Kishte lindur në 1920. U njoha me të në pritjen e parë të nëntorit 1961 në selinë tonë. Binte në sy menjëherë që larg për kokën me ballin e madh, trupmadh, mbante shkop se i qe gjymtuar njëra këmbë dhe çalonte. Qe i njohur për pikëpamjet e majta si opozitë e majtë qysh më 1956-tën në lëvizjen komuniste franceze, pasi mbroi Stalinin kundër hrushovianëve dhe u bashkua në tërësi me Partinë Komuniste  të Kinës dhe Partinë e Punës së Shqipërisë. Pikërisht, për këto qëndrime ai u përjashtua nga Partia Komuniste Franceze më 1966-tën. Ai u fut në lëvizjen maosite më 1966 si anëtar i Byrosë Politike dhe nga 1968-ta iu kushtua mbrojtjes së të mërguarve të pastrehëve, të papunëve, të aksidentuarve në punë etj. Ai kishte titullin “agrezhe dë filozofi” dhe për veprimtari politike u pushua nga katedra e sociologjisë në universitetin e Bordosë. Po kështu, u përpoq edhe për përkrahjen e veprimtarinë e Republikës Popullore  të Kinës, Republikës Popullore  të Shqipërisë, lëvizjes palestineze (OÇP-së), pasi qe mik i madh i Palestinës, si edhe prof. Pol Miliezi, dhe lëvizjeve revolucionare e çlirimtare në botë. Botoi një seri librash, një kritikë të katolicizmit francez dhe në mbështetje të kristianizmit fillestar në botën moderne. Ai hynte në grupin filozofik francez dhe mori një tezë doktorate pasi kaloi 50 vjeç. Ishte njeri me kulturë të gjerë, intelektual i formuar, qe njeri i drejtë dhe objektiv

Është folur shumë në mediat shqiptare dhe ato të huaja për intervistën e z. Miliez pas vdekjes së Enver Hoxhës. Madje është përmendur dhe ajo shprehja që ju e cituat në numrin e kaluar dhe që ju e hoqët se “Enver Hoxha mbetet udhëheqës totalitar. Një herë tjetër do vini tek mendimi im i palëkundur”. Si është e vërteta e intervistës së Miliezit?

Vdekja e Enver Hoxhës u diskutua shumë  në mbarë botën, jo vetëm në Francë. Ishte një ngjarje që bëri shumë zhurmë. Kur vdiq Enver Hoxha, prof. Miliezi dha një intervistë të shkurtër në TF 2 të Francës më 11 prill 1985. Në tranzicionin demokrat vazhdohet të spekulohet shumë me qëndrimin e Miliezit për mendimet mbi Enver Hoxhën dhe mjekimet e tij. Po jap shkurt frazat më kuptimplote të prof. Miliezit pas pyetjeve të spikerit: “Ai, (E.Hoxha - H.L) ishte sigurisht një njeri misterioz, por ishte jashtëzakonisht inteligjent, frankofon, e njihte mirë vendin tonë, njihte shumë mirë politikën botërore, të cilën e ndiqte nga afër dhe sidomos në bazë të informacioneve me prejardhje nga Franca... Përveç Shqipërisë nuk ka vend tjetër komunist që t’i këtë mbetur besnik Stalinit. Kjo ishte një besnikëri e plotë... Shqipëria nuk ishte një vend i izoluar, por ishte një vend që donte të izolohej që të mund të krijonte regjimin e tij...”.

Po pyetjes mbi spastrimet e shumta në rrethin fare pranë Enver Hoxhës, si iu përgjigj ai?

Pyetjes mbi spastrimet e shumta në rrethin fare pranë Enver Hoxhës, ai iu përgjigj: “Po, sigurisht. Ju e dini se në të gjitha regjimet e këtyre kohërave kështu ndodh. Është e sigurt që ka pasur pastrime, por unë nuk e di se ç’bëhej me njerëzit që zhdukeshin. Franca nuk ishte aspak e pranishme në këtë vend dhe jo më shumë se vendet e tjera”... Siç shihet, prof. Miliezi i përmbahet vijës së miqësisë, duke dhënë vlerësimet e tij për Enver Hoxhën dhe Shqipërinë. Ai çmon se Shqipëria s’qe vend i izoluar, siç e paraqesin demokratët e sotëm. Ai vlerëson informacionin që Enveri merrte nga Franca (ambasada jonë). Miliezi vijoi të punonte për miqësinë mes dy vendeve derisa qe gjallë, e cila dha një ndihmesë të çmuar në luftën kundër fashizmit përkrah aleatëve antifashistë. Ai ishte i pari që e kishte cilësuar mes nesh Enverin totalitarist. Pasi u largova nga Parisi, çdo Vit të Ri i çoja urimet e mia dhe ai m’i kthente ato duke i shkruar me dorën e vet. Edhe në vitin 1991 i çova dhe së bashku me të shoqen më ktheu “Falënderimet dhe urimet më të mira”.

Po pas largimit nga Franca, si i keni mbajtur marrëdhëniet? Ai ruajtët dhe a komunikonit?

Në dhjetor 1994, mora këtë letër qortuese për vendin tonë nga zonja Miliez me përmbajtjen: “Më 12 qershor 1994, prof. Miliezi vdiq në spitalin Bruse. Shtypi dhe mediat e përhapën në tërë botën këtë lajm të trishtuar. Vetëm Shqipëria nuk e mësoi në atë kohë. Prof. Miliezi ishte një mik i madh i popullit shqiptar. Dëshmitar është kjo statujë e Skënderbeut, me filigrame argjendi, dhuruar nga populli shqiptar dhe që e zbukuronte sallonin ku priste prof. Miliezi. Ai veç mjekëve shqiptarë, pati njohur shumë udhëheqës të Shqipërisë, i kuroi ata. Ai kishte ende shumë miq në Shqipëri dhe i admironte pa rezerva”. Ajo bashkëngjiste fotografinë e tij në sallon pranë dhuratës së sipërme. Gjithashtu, bashkëngjiste edhe faqen e buletinit të Urdhrit të Mjekëve (korrik-gusht 1994), në kujtim të prof. Miliezit, nën titullin “Pol Miliezi, një nga figurat më të mëdha të botës mjekësore të pjesës së dytë të shek. XX, na la më 12 qershor”, shkruar nga presidenti i këtij urdhri, prof. Bernar Glorion. Sigurisht, qeveria e Partisë Demokratike e quante atë komunist dhe veproi edhe me miqtë e Shqipërisë si brenda vendit, me nenin 24/1, për të dënuar një popull të tërë dhe ngrinte lart tradhtarët e popullit, bashkëpunëtorë të fashizmit, të cilët i rehabilitoi pa asnjë rezervë, rast i vetëm ky në botë pas fitores së koalicionit antifashist botëror më 9 maj 1945. Nuk di ende nëse ngushëllimet e mia mbërritën, pasi s’pata përgjigje, por duket se censura ka bërë punën e vet, pasi atëherë më patën hequr edhe telefonin e shtëpisë.

Me cilin bashkëpunonte Miliez në Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Francë?

Prof. Raimond Hudari, neurolog i shquar, ishte zv/kryetar i shoqatës. Ky qe një nga personalitetet e larta me të cilin pas Miliezit trajtoja çështjet e shoqatës. Ai qe trup pakët, shumë i urtë, fliste pak, por sytë i kishte pishë dhe veshët katër; shumë i qetë, i mençur dhe me fytyrë të qeshur. Më të takohesha edhe për çështje mjekësore, vetëm apo së bashku me mjekë shqiptarë për vizita e mjekime të udhëheqjes sonë. Patëm një mirëkuptim të plotë me të dhe bënte punë serioze në shoqatë, duke marrë pjesë në veprimtarinë e saj. Disa herë ndenjëm së bashku në presidiume. Gruaja e tij u bë njohëse dhe mike e Shqipërisë. Kushëriri i tij, Zhan Hudari, sekretari i kolegjiumit të gazetës “Lë Mond”, ishte po ashtu njeri i qetë dhe fliste pak. Këtë e ftuam në Shqipëri edhe me garancinë e vet prof. Hudarit dhe shkroi realisht për Shqipërinë. Çiftin e mjekëve simpatikë, Abraham Behar dhe Madëlenë Estrin i njoha gjatë punës me shoqatën dhe kryesisht nga miku Zhilber Myri me të shoqen, pasi kishin shumë miqësi. U miqësuam shpejt se takoheshim shpesh, rrinim në debate të gjata në dreka e darka në shtëpitë e tyre edhe me gratë tona dhe në seli, apo me raste veprimtarish. Të dy këta ishin socialistë të majtë, në një parti të vogël (SFIO), por që luante një rol në aleancat politike të elektoratit francez dhe vërtet udhëheqësi i saj, Mishel Rokari u bë kryeministër i Francës në vitet ’90. Estrini ishte çifute franceze, kurse Abrahami çifut i lindur në Turqi dhe mërguar familjarisht në Francë. Ky punonte në spitalin Bruse, ku qe bërë mik me prof. Miliezin. Ky çift erdhi disa herë në Shqipëri dhe përfundimisht botuan librin “Shqipëria-shëndetësia publike dhe mjekësia parandaluese (190 faqe, në koleksionin e shoqatës, shtëpia botuese NBE, Paris 1976). Të dy qenë shumë aktivë në shoqatë dhe Abrahami u bë sekretari i përgjithshëm i saj, pasi vdiq Zh.Myria. Me këta bëra edhe takime në degët e shoqatës nëpër Francë dhe në shoqatën e Miqësisë Belgjikë-Shqipëri. Këta ishin tepër praktikë në punë, aq sa rregullonin vetë edhe sallat e mbledhjeve, vendosjen e pllakateve, të materialeve mbi Shqipërinë, pa treguar asnjë lodhje, por me thjeshtësinë e tyre tërhiqnin edhe të tjerët në punë. Të dy shkruan shumë artikuj mbi Shqipërinë. Me këta dhe grup miqsh kaluam 2-3 herë edhe uikende në shtëpinë e tyre të pushimit rreth 200 km larg Parisit në fshat.

Kush ishte vazhdues i punës së Pol Miliezit në marrëdhëniet me Shqipërinë?

Iv Lëturneri qe profesor filozofie, që jepte mësim në një lice në periferi të Parisit. Ai më parë kishte qenë arsimtar në Guadalupë, koloni franceze në Karaibe, ku kishte njohur edhe realitetin kolonial. Si i ri kundërshtues i padrejtësive, qe grindur edhe me nënën e vet, e cila kishte pikëpamje të djathta dhe sepse Ivi qe martuar në Guadalupë me një vendëse bukuroshe. Ai u bë një nga veprimtarët kryesorë më në zë i shoqatës dhe kryeredaktor i revistës së saj. Ai u ftua disa herë në Shqipëri dhe shkroi shumë artikuj për forcimin e miqësisë mes dy vendeve. Ai më njohu dhe më rekomandoi shumë miq të shtypit e radiotelevizionit francez dhe së bashku me ta mori pjesë edhe në emisione të ndryshme dhe në debate. Ai bëri edhe një debat të madh objektiv në një kanal të televizionit francez me Leka Zogun, duke fituar nderimin e dëgjuesve për argumentimin e saktë, e të dokumentuar kundër mbretit e princit shqiptar në mërgim. Në shtator 1978 e takova rastësisht në Hotel “Dajti” se kishte ardhur me një grup të shoqatës në Tiranë. Më tha se më kishin kërkuar, por u kishin thënë se nuk ndodhesha në Tiranë. “Nuk ma merrte mëndja, më tha duke qeshur me ironi, se do të ndodhesha para këtyre kinezërive këtu, mon cher camarade!”. “Epo, unë kam ndërruar sektorin e punës, -iu përgjigja, -jam pedagog si ti dhe diplomatët kanë punë apo jo, s’kanë nge të merren me ne ish diplomatët dhe të mbajnë vazhdimësinë e takimeve me miqtë e vjetër”. Qeshëm përsëri të dy, si atëherë me punën e artikullit të prof. Miliezit. Edhe ai ecte në po ato gjurmë.  “Më vjen keq, -shtoi ai, -se na mungoni për disa arsye, pasardhësit tuaj nuk janë aq të hapur e punëtorë, mbajnë rezerva në marrëdhëniet me ne, s’di pse kështu?!”. “Kjo është bota”, -e mbylla unë këtë rrjedhë bisede (se s’kisha ç’t’i thosha kundër nesh), pastaj kujtuam kohën e kaluar së bashku, e pyeta për fëmijët e miqtë, por koha kaloi aq shpejt sa duhej të largohej. Në vitin 1991 i shkrova dhe më dha të reja nga familja, fëmijët qenë martuar. Ai shprehte miqësinë besnike për Shqipërinë në një letër të ngrohtë miqësore. E urova që kishte shpëtuar nga një fatkeqësi. Kur kalova një ditë në Paris-Belgjikë në 1996 e kërkova në telefon, por nuk m’u përgjigj asnjeri. Nuk e harroj këtë mik polemist, serioz dhe që miqësisë me Shqipërinë i kushtonte aq shumë kohë sa linte pas dore edhe punë të veta e të familjes.

Nesër do të lexoni:

-Të panjohurat e jetës së Kadaresë në Paris, nga botimi i “Gjeneralit” deri tek blerja e pardesysë për Helenën

-Si se pranoi E.Hoxha “Dimrin e Madh” ku ai paraqitej kolos me këmbë argjili

-Në gjimnaz Ismaili ishte individualist, rrinte vetëm, dukej se i pëlqente vetëm vetja

-Kurtheve të gazetarëve francezë, Ismaili iu shpëtonte me lehtësi, pa çka se, në tërësi, nuk qe bindës

- Në rrugën e Dritës në korrik të vitit 1952, Ismail Kadarenë e dërgonim të mbushte ujë, aty u zunë diversantët

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: