MERKEL E NDEZI SOBËN – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

MERKEL E NDEZI SOBËN – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
 

Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Takimi Rama- Merkel në Berlin, ende nuk ka përcaktuar qartë se do të ketë tym të bardhë nga Gjermania, për hapjen e negociatave me BE-në apo jo. Sidoqoftë, kancelaria gjermane e ndezi sobën. Tashmë mbetet të pritet se, çfarë tymi do të dalë, i bardhë apo i zi. Natyrisht, në fokus të takimit ishte çështja e integrimit dhe objektivi i Ramës është të bindë shtetin më me ndikim të BE-së që, në qershor të merret një vendim pozitiv gjatë Samitit të Sofjes. Nga ana e saj, kancelaria Merkel pranoi se, Shqipëria ka bërë përparime në disa fusha, pa përcaktuar se në cilat prej tyre ka arritje e cilat kanë ngërç. Sidoqoftë, vendimi i Gjermanisë do të merret në javët e ardhshme, çka nuk ishte një garanci e plotë, se do të çelet rruga për hapjen e negociatave.

Ky duhet të jetë turi i parë i kryeministrit Rama drejt kryeqyteteve europiane, pasi ka dhe vende të tjera ende skeptike, për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në familjen europiane. Së pari Franca, por edhe Holanda e deri Spanja, të cilat nuk janë shprehur pozitivisht për zgjerimin. Holanda madje, ka shtuar kritikat ndaj nesh dhe si rezultat i rritjes së kriminalitetit të shqiptarëve në këtë vend. Sfida për të arritur mbështetjen e plotë, nuk është e lehtë.

Sidoqoftë, duke u kthyer te deklarata e kancelares gjermane se, Shqipëria i ka përmbushur angazhimet e saj në disa fusha, kjo dëshmon se Gjermania kërkon rezultate më konkrete të realizuara. Theksi nga faktori ndërkombëtar ka qenë te lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar; besoj se, kjo është thembra e Akilit për çështjen. Këtu jemi vërtet deficitarë. Pati fillesa që nga grupi Habili e deri tek kapja e 630 kilogramëve kokainë në Durrës, por këto kanë mbetur ende në fazë hetimi dhe nuk është vajtur dot kurrë deri te peshqit e mëdhenj. Po kështu, në fillim të vitit, nisën hetimet dhe procedimi penal për raste të abuzimit me pronën në bregdet, por dhe fushata që u premtua se do të thellohej mbi këto abuzime, duket e ndërprerë.

Ndërkohë, pikërisht dje, ndërsa lajtmotivi i takimeve me të huajt, është prezantimi i luftës ndaj korrupsionit dhe krimit, mësohet se ka nisur një çështje penale ndaj një ish- kryekomunari nga Cërriku, për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë. Nuk duket se është ndonjë rast aq i bujshëm ky, që të jetë aq peshk i madh sa të përfaqësojë korrupsionin galopant në vend.

Ndërkombëtarët duan rezultate konkrete të goditjes së lidhjeve të krimit me politikën; ndaj, nëse duhet të japim një mesazh se e meritojmë procesin e hapjes së negociatave, duhet të japim një shembull se po e luftojmë seriozisht krimin. Dhe kjo bëhet me nxjerrje fajtorësh, pavarësisht se të kujt krahu politik janë. Të mos harrojmë se, përgjimet që përcolli prokuroria e Catanias në rastin Habilaj, tmerruan dynjanë me dëshmitë, se sa thellë kishte vajtur korrupsioni e madje dhe bashkëpunimi i segmenteve të policisë me krimin. Ajo çfarë bën bujë e na nxjerr zbuluar në sytë e të huajve, është se këtu qenka një truall parajse për eksponentët e trafikut e të krimit, pasi prej autoriteteve shtetërore këtyre tipave nuk u ndodh asgjë. Edhe trafikantët e huaj italianë kanë zgurdulluar sytë kur, ndërsa shohin fugonin e policisë  në rrugën Himarë-Sarandë, trimat tanë i qetësojnë duke u thënë se, "dhe ata janë tanët". Njerëzit  e "tyre" dalin deri në pikën e kontrollit të hapësirës detare. Dhe të mendosh se jemi vend i NATO-s!

Çështja sidoqoftë duhet shtruar më tej. Kishim një parlament që kishte në përbërjen e tij, elementë që vinin nga bota e krimit dhe të paktën u bë një ligj për t’i ndaluar të përfaqësojnë elektoratin. Po kështu, kemi drejtues policie që tashmë janë në arrati, pse kanë bashkëpunuar me krimin. Por duhet çuar më tej, nëse duhet të nisim pastrimin. Dhe jo vetëm për sytë e Europës, por së pari për shtëpinë tonë që vërtet është shumë pis. E mësuam të gjithë dhe për ata që s'mund ta besonin, se deri ku ka vajtur infeksioni në strukturat e shtetit. Tashmë është koha që të tregohet vullnet politik dhe kush e ndërmerr këtë akt, realisht që do të fitojë më shumë peshë në elektorat në vijim, por dhe do të arrijë një mbështetje më të madhe nga faktori ndërkombëtar. Dhe në rastin konkret, ndërsa vendoset fati për çeljen e negociatave të anëtarësisë në BE, do t’i bënte dhe nder vendit për të qartësuar vullnetin e shoqërisë shqiptare, se duam të jemi seriozisht pjesë e Europës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: