MARRËZITË E RRUGËS “ASIM ZENELI” – OPINION NGA FRROK ÇUPI

MARRËZITË E RRUGËS “ASIM ZENELI” – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një burrë i imët, me një të folme me ton të ulët (edhe pse është roje), del nga porta e madhe dhe bën me shenjë. Po parkoja makinën aty ku e gjeta bosh... Burri u kërrus pak dhe u afrua të xhami… Nuk e mendova si roje se, kaq i butë sa ai, nuk mund të ishte ai “i forti”. Rojet na kanë tmerruar gjatë gjithëjetës; roja i diktaturës, roja i demokracisë, roja i kriminelit, roja i drogës…Por Rruga “Asim Zeneli”, ka edhe një marrëzi ndryshe, me një roje jo “gorillë”… U kërrus dhe më kërkoi të ul xhamin e makinës. “Zotëri, më fal…! Si të them…, nuk më lejojnë ta lësh makinën; po të jap dymijë lek dhe parkoje te ky parking ngjitur” (Ai ka një pagë 15 mijë lekë në muaj) … Njeriu i përkulur te xhami i makinës, bëri me dorë si i trembur për nga porta e madhe, brenda të cilës ndodhej njeriu që ky ruante. “Është ai anglezi, tani zgjohet…”, tha roja i bërë sa një grusht.

Në rrugën “Asim Zeneli”në Tiranë, as dyqind metra e gjatë, ka dyqind mijë marrëzira, njëra nuk i ngjan tjetrës. Më duket se, vetë regjimet politike, e kanë lënë si oazë marrëzish këtë rrugë me emrin e një partizani lab, që studioi artin ushtarak në Itali dhe ra në Mezhgoran, buzë Vjosës. Ndërsa emrin e fundit e vendosi në këtë copë rrugë, ku kalohet nga Pallati i Komitetit Qendror të Partisë së Enver Hoxhës, për në pallatin e Brigadave të Mbretit Zog. Pse e zgjodhën këtë djalë lab nga Progonati, dëshmor komunist, për ta vënë mes mbretërisë dhe komunizmit, as një zot nuk e di. Kjo është një marrëzi më vete…

Kur isha student, thuajse çdo ditë, e bëja këtë rrugë për në fakultet, i cili ndodhej në godinën qendrore, aty ku tani i thonë, sheshi “Nënë Tereza”. A më pëlqente të kaloja këndej, pse ishte rrugë e qetë, a më pëlqente pse ishte rrugë e pastër, a pse kishte pemë të bukura…, edhe këtë veç një zot e di! Tani mendoj se më shtynte kureshtja prej një gazetari të ri; “Asim Zeneli” ishte plot me mister. Rreziku nga misteret komuniste ishte tragjik, por leksionet e gazetari së alias ”Patric Kasel”, më kishin bërë “të guximshëm”. Njëra nga vajzat e Bahollëve, militant besnik komunist, që ishte studente në kursin tonë, na kishte thënë se, në fillim të rrugës jetonte Asim Aliko. Asimi, një fshatar lab, ndoshta krejt i pashkollë, ishte kthyer në legjendë për gjithë kombin. Marrëzi më vete kjo.  Askush në jetë nuk ia kishte parë fytyrën, por megjithatë ishte “legjendë” dhe “hero”. Ai ishte quajtur “shqiponja e Sigurimit të Shtetit”dhe tregonin përralla, se si hynte në Amerikë, i kapte armiqtë e arratisur nga Shqipëria dhe i sillte në valixhe…

Shoqja jonë e klasës që banon në këtë rrugë, na tregonte se vetë Asim Aliko kishte zgjedhur emrin e Asim Zenelit për tabelën e rrugës; vetëm nën obsesionin Asim për Asim.

… Sa herë kaloje këtu, njëmijë herë në ditë dhe në natë po të ndodhte, atë njeri nuk mund ta shikoje. Me siguri, Asimi ka ndërruar jetë, por pa e parë njeri. A ishte marrëzia e regjimit të diktaturës, ajo që e kishte krijuar legjendën, apo ishte marrëzia e popullit që e besonte - kjo nuk mund të ndahet. Por ai ishte në krye të rrugës ku sot është piceri “Era”. Përballë piceri “Era”, ndodhej shtëpia e Shefqet Peçit - një komandant partizan i egër, aq sa thoshin se “ha mish njeriu”. Ka urdhëruar pushkatime pa masë e pa faj - kjo dihet - por ndoshta për këtë arsye, populli e donte në mënyrë patologjike. Kur e shembën shtëpinë njëkatëshe të uzurpuar prej gjeneralit dhe hapën një gropë të madhe, ata që e mbanin mend, afroheshin si të kërkonin gojën misterioze që kishte rrufitur jetë njerëzish.

Në atë rrugë kam njohur edhe studentë të tjerë të marrë (d.m.th., në marrëzi), por marrëzi në një kuptim tjetër, jo në atë të zbulimit të misterit të “Asim Zenelit”. Disa konviktorë që nuk e njihnin misterin e rrugës, e gjetën si kënd të qetë; prandaj kalonin për në shkollë, me njërin krah në supin e të dashurës. Një miku im nga Peqini, u detyrua t’i japë fjalën për “fejesë” vajzës me të cilën e kapën përqafe.

Marrëzitë e rrugës “Asim Zeneli”, një nga rrugët më të bukura të Tiranës, nuk kanë fund. Kur e mendoj, them me vete se kur kjo ndodh këtu, atëherë marrëzitë në rrugët e tjera nuk mund të numërohen. Por këtu ka aq shumë hapësirë, saqë njërës marrëzi mund  t’i kundërvënë lehtësisht marrëzinë tjetër…

Mbi gropën e thellë të shtëpisë së gjeneralit gjakatar të Luftës së Dytë, është ngritur një pallat i bardhë, që tani ruhet nga roje ushtarakë. Këtu ndodhet ambasada “Pink”, siç e quajnë në pezhorativ ambasadën e Holandës. Këtu kanë qenë dy ambasadorë holandezë, me sa duket të dy gay, që vdisnin për të drejtat e homoseksualëve. Prandaj, këta të këtushmit, e bënë si seli të tyre, dhe e quajtën “ambasada Pink”.Të ishte gjallë gjenerali gjakatar Peçi, kushedi në ç’ferr do t’i dërgonte; ndërsa tani ata bëjnë jetë bashkëkohore mbi “varrin” e tij…

Genci, një i miku im, ka ngritur një restorant të quajtur “Vikingët”. Në rrugën që ishte sajuar dikur si kalimtare e legjendave të kombit (Hoxha, Zog, Aliko, Peçi), ky sfidoi: nuk i vuri emër kombëtar restorantit, por emrin e ndaluar të njerëzve “të egjër” në Nord... Shtëpia e Asim Alikos tani është kthyer në një restorant “pocaqi”, ku ndalojnë njerëz të padukshëm, njësoj si “heroi”; por jo në atë kuptim - në kuptimin se nuk kanë dy lekë për të ngrënë dhe vijnë nga rrethet, sidomos nga Korça, ku marrin fugonin dhe ushqehen më lirë se kudo… Ambasada e Francës, dikur me hije të rëndë, është kthyer në selinë e një shkolle, që shumë njerëz thonë se mashtron me dituri “fake”. Ish-selinë e ambasadës së Rumanisë, sapo e ka blerë Katari…

Në mes të kësaj rrokopuje, titujsh e historish, mashtrojnë disa shefa policie. Dy a tre prej tyre vijnë në mëngjes, venë një makinë në mes të gjatësisë së parkingut anësor; me një makinë zënë tre parkingje dhe presin t’í shesin. Matrapazët e tjerë varfanjakë që rrinë në rrugë për të zënë një parking me 100 lekë, nuk bëjnë zë para sjelljes së shefave të Policisë….

… Roja që më bëri me shenjë në mëngjes se “anglezi po fle”, ka hyrë brenda selisë i qetë, se bosi i tij i huaj, nuk po shqetësohet. Anglezi ka vënë në murin anësor të vilës njoftim në formën e targës së makinës, në ngjyrë jeshile, si targë angleze: “LAND ROVER PARKING ONLY. ALL OTHERS WILL BE CRUSHED”. (“Kush më zë vendin, do t’i përplas makinën”, kërcënon anglezi). Po vendin, ku e mori ky? Apo si shefat e Policisë?  Në fund të tabelës, ka vënë një vizë me shigjeta në të dy krahët, që tregon se nga njëri cep në tjetrin, e ka zënë ky rrugën… Ngjitur vilës së lëshuar me qira prej tij, ka qenë selia e Ambasadës së Rusisë dhe anglezi trembet për vdekje që ditën kur në Britani u helmua spiuni rus, Skripal, me të bijën.

Sa herë pyes veten:

A ka ardhur marrëzia nga të huajt, apo u është injektuar të huajve nga tanët?... A ka ardhur marrëzia nga diktatura, apo diktatura u çmend në këtë rrugë?... Po homoseksualët? Po gjenerali gjakatar? Po pemët?…. Pemët e vjetra thonë se i thau marrëzia…

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: