Malaria, sa e rrezikshme është sëmundja infektive edhe sot

Publicitet
Malaria, sa e rrezikshme është sëmundja infektive edhe sot
Ekspertët e Shëndetit Publik bëjnë me dje se, gjatë udhëtimeve në Afrikë duhet  të merren një sërë masash, pasi sëmundja mund të merret nëpërmjet vektorëve. Në prag të Ditës Botërore të malaries, OBSH-ja po kërkon investime më të mëdha dhe shtrirje të mjeteve të provuara që parandalojnë, diagnostikojnë dhe trajtojnë malarien

Sonila Isaku

Malaria është një sëmundje kërcënuese për jetën, e cila shkaktohet nga parazitë të cilët iu transmetohen njerëzve, nëpërmjet pickimit të mushkonjave femra Anopheles, të infektuara. Malaria shkaktohet nga parazitët Plasmodium. Parazitët përhapen te njerëzit nëpërmjet pickimit të mushkonjave femra Anopheles të infektuara, të quajtura “vektorët e malaries”. Ka 5 lloje parazitësh që shkaktojnë malarien te njerëzit dhe 2 prej tyre, P. Falciparum dhe P. Vivax, përbëjnë kërcënimin më të madh në përhapjen e malaries. P. falciparum është paraziti më i përhapur i malaries në kontinentin afrikan. Ai është përgjegjës për shumicën e vdekjeve të lidhura me malarien në nivel global. P. Vivax është paraziti dominues i malaries, në shumicën e vendeve të tjera.

Simptomat

Malaria është një sëmundje akute febrile. Në një individ jo të imunizuar, simptomat shfaqen zakonisht 10-15 ditë pas pickimit nga mushkonja e infektuar. Simptomat e para si ethe, dhimbje koke dhe të dridhura, mund të jenë të lehta, prandaj është e vështirë që këto shenja të lidhen me malarien. Nëse nuk trajtohet brenda 24 orëve, malaria e shkaktuar nga P. Falciparum mund të përparojë në sëmundje të rënda, duke çuar shpesh edhe në vdekje. Fëmijët me malarie të rëndë shpesh zhvillojnë një ose më shumë nga simptomat e mëposhtme: anemi të rënda, vështirësi në frymëmarrje ose malarie cerebrale. Te më të rriturit është e shpeshtë përfshirja e shumë organeve. Në zonat endemike të malaries, njerëzit mund të zhvillojnë imunitet të pjesshëm për shkak të infeksioneve asimptomatike.

Kush rrezikohet

Disa grupe të popullsisë janë në rrezik dukshëm më të lartë për t’u prekur nga malaria dhe për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes, krahasuar me grupe të tjera. Këto përfshijnë foshnjat, fëmijët nën moshën 5 vjeç, gratë shtatzëna, personat që jetojnë me HIV/AIDS, emigrantët jo imunë, popullatat e lëvizshme dhe udhëtarët. Programet kombëtare të kontrollit të malaries, duhet të marrin masa të veçanta për të mbrojtur këto grupe të popullsisë nga infeksioni i malaries, duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike. Në vitin 2016, gati gjysma e popullsisë së botës ishte në rrezik prej malaries. Shumica e rasteve dhe vdekjeve të malaries, ndodhin në Afrikën Sub-Sahariane. Në vitin 2016, 91 vende dhe zona kishin transmetim të vazhdueshëm të malaries.

Transmetimi

Në shumicën e rasteve, malaria transmetohet përmes mushkonjave Anopheles femra. Ka më shumë se 400 lloje të ndryshme të mushkonjave Anopheles; rreth 30 janë vektorë të rëndësishëm të malaries. Të gjithë llojet e vektorëve të rëndësishëm, pickojnë në periudhën kohore midis muzgut dhe agimit. Intensiteti i transmetimit varet nga faktorët që lidhen me parazitin, vektorin, bujtësin/organizmin pritës dhe mjedisin. Mushkonjat Anopheles lëshojnë vezët e tyre në ujë, nga të cilat çelin larva, që më pas shndërrohen në mushkonja të rritura. Mushkonjat femra kërkojnë gjak për të zhvilluar vezët e tyre. Çdo specie e mushkonjave Anopheles ka habitatin e vet të preferuar ujor; për shembull, disa preferojnë pellgje të vogla dhe të cekëta me ujë, të cilat janë të shumta gjatë sezonit me shi, sidomos në vendet tropikale. Transmetimi është më intensiv në vendet ku jetëgjatësia e mushkonjave është më e madhe (në këtë mënyrë paraziti ka kohë për të përfunduar ciklin e zhvillimit të tij brenda mushkonjave). Jetëgjatësia më e madhe e vektorëve afrikanë, është arsyeja kryesore pse gati 90% e rasteve të malaries në botë, janë në Afrikë.

Transmetimi gjithashtu varet nga kushtet klimatike, që mund të ndikojnë në dendësinë/numrin dhe jetëgjatësinë e mushkonjave, siç janë reshjet, temperatura dhe lagështia. Në shumë vende, transmetimi është sezonal, me kulmin e tij gjatë sezonit me shi dhe pak pas tij. Epidemitë malarike mund të ndodhin kur klima dhe kushtet e tjera favorizojnë transmetimin në zonat ku njerëzit kanë pak ose aspak imunitet ndaj malaries. Ato mund të ndodhin edhe kur njerëzit me imunitet të ulët lëvizin në zona me transmetim intensiv të malaries, për shembull kur lëvizin për të gjetur punë ose si refugjatë.

Imuniteti i njeriut është një tjetër faktor i rëndësishëm, sidomos tek të rriturit, në zonat me kushte të moderuara ose intensive të transmetimit. Imuniteti i pjesshëm zhvillohet gjatë viteve të ekspozimit dhe ndonëse nuk ofron mbrojtje të plotë, ai zvogëlon rrezikun që infeksioni i malaries të shkaktojë sëmundje të rënda. Për këtë arsye, shumica e vdekjeve nga malaria në Afrikë ndodhin te fëmijët e vegjël (të cilët nuk kanë zhvilluar akoma imunitet), ndërsa në zonat me më pak transmetim dhe imunitet të ulët, të gjitha grupmoshat janë në rrezik.

Parandalimi

Kontrolli i vektorit është mënyra kryesore për të parandaluar dhe zvogëluar transmetimin e malaries. OBSH-ja rekomandon mbrojtjen për të gjithë njerëzit në rrezik prej malaries dhe kontroll efektiv të vektorëve të malaries. Dy forma të kontrollit të vektorit, rrjetat e mushkonjave të trajtuara me insekticide dhe spërkatjet e mjediseve të brendshme, janë efektive në një sërë rrethanash.

Për udhëtarët, malaria mund të parandalohet përmes përdorimit të barnave antimalarike. Për gratë shtatzëna që jetojnë në zona me transmetim mesatar ose të lartë të malaries, OBSH-ja rekomandon trajtim parandalues në çdo vizitë paraprake antenatale pas tremujorit të parë.

Eliminimi i malaries

Eliminimi i malaries është përcaktuar si ndërprerje e transmetimit lokal të një specie/lloji të parazitit të malaries, në një zonë gjeografike të caktuar, si rezultat i aktiviteteve të qëllimshme. Nevojiten masa të vazhdueshme për të parandaluar rikthimin e transmetimit. Çrrënjosja e malaries është përcaktuar si reduktim i përhershëm në zero në mbarë botën, i incidencës së malaries të shkaktuara nga parazitët e malaries njerëzore, si rezultat i aktiviteteve të qëllimshme. Në vendet me norma të larta ose të moderuara të transmetimit të malaries, programet kombëtare të kontrollit të malaries kanë për qëllim të rrisin në maksimum reduktimin e rasteve të malaries dhe të vdekjeve. Vendet që kanë arritur të paktën 3 vjet rresht nga 0 raste lokale të malaries, kanë të drejtë të aplikojnë për certifikimin nga OBSH-ja, për eliminimin e malaries.

Vaksina

Ekziston një vaksinë e injektueshme, e cila është vaksina e vetme deri më sot, e cila siguron mbrojtje të pjesshme kundër malaries në fëmijët e vegjël. Këtë vit, vaksina e parë e malaries në botë do të aplikohet në disa zona të përzgjedhura në projekte pilot. Këto projekte pilot mund të hapin rrugën për shtrirjen më të gjerë të vaksinës, nëse siguria dhe efektiviteti konsiderohen të pranueshme.

Vaksina është vlerësuar si një mjet plotësues për kontrollin e malaries dhe nuk zëvendëson paketën bazë të masave parandaluese, diagnostikuese e trajtuese të rekomanduara nga OBSH-ja.

 

Malaria

Fakte kryesore

  • Malaria është një sëmundje kërcënuese për jetën, e cila shkaktohet nga parazitë të cilët u transmetohen njerëzve, nëpërmjet pickimit të mushkonjave femra Anopheles të infektuara.
  • Malaria është sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme.
  • Në vitin 2016, pati rreth 216 milionë raste të malaries (një rritje me 5 milionë raste nga viti 2015) dhe vdekjet nga malaria arritën në 445 000.
  • Fëmijët nën 5 vjeç janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj malaries; malaria merr jetën e një fëmije çdo 2 minuta.
  • Rajoni afrikan mbart pjesën me të madhe të barrës globale të malaries. Në vitin 2016, ky rajon kishte 90% të rasteve të malaries dhe 91% të vdekjeve prej saj.
  • Totali i financimit për kontrollin dhe eliminimin e malaries, arriti në 2.7 miliardë dollarë në vitin 2016.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: