KUR TË DUKET VETJA TIGËR, NË XHUNGLËN QË KE KRIJUAR VETË – OPINION NGA SONILA MEÇO

KUR TË DUKET VETJA TIGËR, NË XHUNGLËN QË KE KRIJUAR VETË – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Edhe demokracia lodhet, konsumon veten, nuk arrin dot të vetëmbahet e në ezaurimin e vet, mund edhe të vetëvritet. Ajo demokraci që ripërtërihet me zgjedhje, me rotacionin politik, që merr frymë nga balanca e pushteteve dhe mbrohet nga gardiani kushtetutë. Ndaj, diskutimi me shqetësimin për demokracinë, është i shteruar. Nuk mban më, ngjan patetik, me gjithë dëshirën tonë të madhe për të varur shpresën e fundit në besimin për hir të saj se, dikush diku do vërë dorë në Shqipëri.

Sot në Bruksel, mund të diskutojmë gjithë ditënatën për fitoren e Orban, ta konsiderojnë një lider autoritar, jo liberal, që po ndërmerr reforma kundër vlerave të bashkësisë, por fitorja e tij me 69% të votave, është konsideruar legjitime, në zgjedhje të monitoruara, ku vullneti është shprehur lirshëm, pa probleme e të gjithëpranuara. Emri i tij si autoritar, nuk buron nga zgjedhje jo legjitime, apo të perceptuara si të vjedhura. Për këtë, Europa është ulur ta pranojë, të negociojë me të, të mos e konsiderojë rast të izoluar apo dështim, e të kuptojë çfarë e krijoi Orban në politikën e një vendi anëtar të BE-së dhe NATO-s.

Nga i  njëjti këndvështrim, mund të nisë edhe analiza për pushtetin e sotëm në Shqipëri, të një njeriu që qeveris i vetëm, me numër të mjaftueshëm deputetësh për të kaluar shumë ligje, për të çuar përpara reforma, me përqendrim të tillë pushteti, që i ka lejuar të nisë rreshtoren për institucionet e pavarura, që dikur i konsideronte të kapura nga kundërshtari politik. Dhe dalë nga zgjedhje, të njohura e pranuara edhe nga OSBE-ODIHR, me një qeveri nën kontroll të plotë prej një shumice të bollshme, mbi kalin e betejës së reformës në drejtësi dhe kartën e integrimit europian, ngjan se është në rregull në letër me demokracinë.

Por nëse Orban ndërtoi ideologjinë e tij mbi shqetësimin e vlerave konservatore të humbura, sipas tij, të familjes, shoqërisë, shtetit, mbi kalin e betejës  antiSoros e antiemigracion, duke forcuar gjithsesi ekonominë, por duke ngjallur debate dhe frikë në gjithë kontinentin për luftën ndaj “jo demokracisë liberale”, në Shqipëri nuk arrin dot të ndërtosh një ide të qartë, mbi çfarë ideologjie u mbështet ky pushtet i ri, cilët janë armiqtë e tij dhe çfarë do të ndërtojë. Duke vrarë demokracinë në praktikë, duke improvizuar politika për të mbajtur një pushtet pa asnjë qëllim ideologjik, duke rrënuar ekonominë e duke trembur veç shqiptarët.

Dhe shqiptarët sot nuk dinë më ç’të bëjnë me këtë improvizim politiko-ekonomik, që si ajo macja që sheh veten tigër në pasqyrë, kërkon të mbijetojë në xhunglën e “bishave” të egra, duke sublimuar çdo lloj akti si vetëmbrojtje ndaj tyre. Dhe me “bisha” nënkuptoj opozitën e sotme, armiqtë e jashtëm dhe atë pjesë të “popullit të dhunshëm”, që nuk ia mirëkupton betejat reformatore kësaj qeverisjeje.

Le ta çmontojmë këtë skenar xhungle, të ngritur me aq pathos nga propaganda, për të dëshmuar se, problemi sot është ekzaktësisht lloji i pushtetit që ka zgjedhur të ushtrojë një lider i konsumuar, që nuk di ç’të bëjë me “gjithçkanë” që shqiptarët i dhanë, në mirëbesim, të frustruar, të blerë a të keqinformuar:

Pushteti sot në Shqipëri, ka një legjitimitet të dyshuar. Zgjedhjet që e prodhuan u pasuan nga ngjarje që dëshmuan hyrjen masive të parasë së drogës dhe asaj nga aktivitete kriminale në procesin elektoral. Sot, një ish -ministër i Brendshëm, është nën akuzë për përgjime që përfshijnë atë dhe policinë në derdhjen e një sasie të madhe parash në zgjedhje. Pra, arroganca e pushtetit, kaq shumë e perceptuar në publik, buron edhe nga frustrimi i fortë i vetë pushtetit, se është jo legjitim. Mund të kundërshtojë këtu “tigri” i pasqyrës se, edhe Freedom House pohoi se, zgjedhjet e 2017-ës qenë më të mira se të kaluarat. Patjetër, nuk pati incidente, rezultati u pranua, sepse u parapri nga një marrëveshje jotransparente e 18 majit mes liderit të pakicës dhe atij të shumicës, por raporti refuzon me kokëfortësi të thotë se, në arrestimet e bujshme në organizatat kriminale, janë mbledhur dëshmi për rolin që ato do të kishin në zgjedhje. Një palë zgjedhje të blera, mund të kënaqin pritshmëritë nga një vend që nxjerr tym e flakë militante, por assesi nuk mund të prodhojnë legjitimitet pushteti në koshiencën e atij që i ka blerë, sepse kurrë nuk mund të imagjinojë, sesi mund të precipitojë ai mentalitet që blihet kollaj.

Ndërkohë, opozita ka bërë lëvizje të pakuptueshme, duke përforcuar argumentet për zgjedhje të manipuluara, blerje masive vote, por denjon të vijojë betejën e saj në Parlamentin që, sipas saj, është jolegjitim. Ose beteja do të jetë parimore, duke mos e njohur një proces ku ka fituar vota e drogës, ose do pranojë të mos flasë më për paranë kriminale që prodhoi këtë Parlament. Pra, në një farë mënyre, nuk ka një “bishë” sot përballë pushtetit në xhunglën ku do të bëjë tigrin, sepse vetë opozita ia sublimoi ekzistencën, që nga dita kur vendosi të mos djegë mandatet pas vënies nën akuzë të ish-ministrit të Brendshëm e arratisjes së zinxhirit të krerëve të policisë të dyshuar për lidhje me grupet kriminale, që mund të kenë injektuar para të pista në zgjedhje. Ndaj, këtë alibi ia rrëzojmë pushtetit.

Pushteti pretendoi edhe së fundmi se, protesta e zhvilluar në Kukës, qe një formulë e stisur për të rrëzuar pushtetin me dhunë. Megjithëse një teori tashmë e rrëzuar nga vetë pjesëmarrja në të e njerëzve sa majtas e djathtas, të paorganizuar nga pushtetet e Tiranës, unë po e marr të mirëqenë atë që pretendon shumica se, po kërkohet dorëzimi me dhunë i pushtetit marrë me zgjedhje. Dhe ja supozojmë edhe më të keqen për demokracinë, që kaq shumë e përmendin sot liderë e deputetë. Po si mund të shkohet në zgjedhje të reja sot? Me të njëjtin kod elektoral, që prodhon të njëjtën formulë, që nuk lë asnjë forcë jashtë sistemit të provuar të marrë rezultat? Kur u investua me kaq entuziazëm, kjo opozitë ta vendosë primare në axhendë? Se kjo shumicë edhe në 2030-ën, mund ta shtynte, pa asnjë dert. Si po na bind ne opozita, se e ka seriozisht betejën e saj për demokracinë e stakimin nga e shkuara, kur do të krijojë destabilitet për pushtetin e korruptuar, duke i lënë shansin të riciklohet me një sistem elektoral që  i leverdis? Pra, ‘tigri” i pasqyrës nuk na tmerron dot me rrëzimin me dhunë, se që nesër po hyri në zgjedhje me këtë sistem, e sigurt se do rifitojë.

Që “tigri’ i pasqyrës të shfryhet mirë e mirë, duhet të kuptojmë edhe një lloj loje që bëhet në kurriz të shqiptarit, me statistikat e luftës ndaj kultivimit të hashashit. Edhe nëse besojmë shifrën entuziaste të diplomatit të lartë amerikan, se 99% e sipërfaqes së mbjellë me kanabis më 2016-ën, është shkatërruar më 2017-ën, janë po raporte ndërkombëtare që diplomati e ndërkombëtarë të tjerë të instaluar në Shqipërim respektojnë, se rezervat në magazina janë aq të mëdha sa ato justifikojnë ende tonelatat që kapen çdo ditë në brigjet fqinje. Pra, ajo pará e gjeneruar nga aktivitetet kriminale, është ende aktive, ka apo nuk ka kanabis të mbjellë. Po e njëjta pará që e gjeti udhën më 2017-ën, të hyjë fuqishëm në zgjedhje. Atëherë, çfarë lidhjesh iu prenë asaj në pushtetin e sotëm, që të besojmë se sikur zgjedhjet do bëheshin nesër, ajo nuk do të blinte sërish votë? Po i njëjti kryeministër i ministrit nën akuzë, është në pushtet. Nëse “tigri” mendon se po na shpëton në xhunglën e “bishave”, që nuk duan integrimin europian të Shqipërisë dhe demokracinë në të, duke rrëzuar një pushtet me dhunë, i kujtojmë se, në çdo rast, po aq keq e ke marrë pushtetin.

Po le të shtojmë edhe një argument në këtë logjikë çmontimi të përpjekjes së “tigrit”, për të na shpëtuar nga bishat e xhunglës:

Mandatet e këtij pushteti, janë të lidhura ngushtë me ndërtimin e shtetit nëpërmjet ndëshkimit. Burg për kë nuk paguan energjinë elektrike, burg për kë nuk paguan ujin, burg për ndërtimet pa leje të trashëguara, burg për nevojtarin, burg për çdo vendim të marrë vetë, të pakonsultuar, të patrajtuar me grupe interesi. Po ashtu me mospërfillje, duke marrë vendime arbitrare pa konsideruar as premtime elektorale dhe as ligje, për të favorizuar disa në dëm të shumicës. Përpos burgjeve të tejmbushura me nevojtarë, një përdorim arrogant i pronës publike, asaj që u takon gjithë shqiptarëve, për të bërë parajsën për një grusht njerëzish. Pra, përdorim i shtetit sipas dëshirës, për të ndërtuar një shtet mbi shtetin me anë të PPP-ve, një parajsë pakice mbi ferrin e shumicës. Pra, kush është në këtë rast xhungla dhe nga cilat “kafshë grabitqare” po na shpëton “tigri” i pasqyrës? Kush po e kërcënon në këtë rast, qytetari pushtetin, apo e kundërta?

Nëse sot pushteti po rreket duke u çjerrë, t’i shpjegojë popullit se po e mbron në xhunglën e trashëguar, nga “hienat” e brendshme dhe të jashtme, le të shpjegojë se si një instancë që do mund të bënte drejtësi në kaos e ka të shpartalluar dhe në tranzicion për ta shtënë të gjithën në dorë. Drejtësinë, pa organe të ndërtuara, me një kryeprokurore të përkohshme, zgjedhur në mënyrë antikushtetuese  me vetëm votat e veta. E thotë Freedom House, që aq shumë e mbrojti punën e vet, ku u sulmua për opinione të pabaza e që u shërbejnë interesave të shumicës. Pra, nëse ka sot një mace që i ngjan vetja tigër në pasqyrë, e që ka prodhuar xhunglën ku hiena është po vetë, ky është pushteti i sotëm.

Dhe për të kuptuar një herë ë mirë se, “armiqtë e jashtëm” po duan të rrezikojnë stabilitetin, që me kaq merak e mbron ky pushtet, le të sjellim në vëmendje se problemet më të mëdha që i përmenden sot Shqipërisë, kanë patur ndikimin e diplomatëve këtu, që kanë mbrojtur me çdo kusht këtë shumicë. Që nga marrëveshja e 18 majit, mos denoncimi i kultivimit të hashashit dhe zgjedhja e njëanshme e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Me gjasë, raporti i djeshëm i Freedom House lë të kuptohet dështimin e ndërkombëtarëve këtu, përfshi edhe reformën në drejtësi. Po vërtetohet çdo ditë më fakte, se opinionet e dhëna nga organizmat ndërkombëtarë që kanë asistuar reformën, kanë qenë jo ligjore. Të përmendim rastin e opinionit ligjor të EURALIUS,  që i dha shumicës mundësinë  për të emëruar në mënyrë antikushtetuese Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme e, me të, një serie shkeljesh prej saj. Por edhe dalja në dritë e shumë gjetjeve të Judicial Watch, që dëshmojnë ndikimin e organizatave të shoqërisë civile të miliarderit Soros, në hartimin e reformës në drejtësi.

Pra, xhunglën e ka krijuar vetë pushteti, për të sublimuar shndërrimin e vet në një tigër për të na shpëtuar nga grabitqarët e brendshëm e të jashtëm, që duan me çdo kusht të ndalin integrimin europian të Shqipërisë, të destabilizojnë vendin e të promovojnë dhunën. Dhuna nis nga modeli i zgjedhur për t’u skërmitur dhëmbët e kallur frikën, atyre që të dhanë votën për të vënë rregull. E nëse grabitja i bëhet nga ai që duhet t’i mbronte e sillte mirëqenien, kjo qeveri duhet ta dijë se do t’i duket vetja tigër në pasqyrë, sa kohë njerëzit ende nuk dinë fuqinë dhe pushtetin e tyre të vërtetë. Dhe pa merak, shprehja është demokratike, huazuar nga lider demokratik i një vendi demokratik. Asaj demokracie që nuk ka arritur ende në vetëvrasje.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: