KRIMI I RRUGËS NË SFONDIN E VARFËRISË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

KRIMI I RRUGËS NË SFONDIN E VARFËRISË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Krimi goditi sërish në kryeqytet, ku një tregtar i vogël vritet me armë zjarri, ndërsa i grabisnin xhiron ditore prej 9600 lekësh. Hajdutët vrasës nuk kursyen as gruan e tij, të cilën e plagosën në këmbë. Nga të dhënat e policisë, duket si një vjedhje e shkuar keq e që përfundon me vrasje. Por rastet e krimit të rrugës janë shtuar ndjeshëm në këto muaj. Në Fier u vra një tjetër qytetar, ndërsa grabitej një pikë e shkëmbimit të valutës. Pa përmendur ngjarjet e rënda të vrasjeve me motiv mafioz, shpërthimet e makinave me eksploziv, që hyjnë në rangun e akteve terroriste, çështje këto ku, sipas statistikave, vrasjet dhe autorët mbeten të pazbardhura nga organet ligjzbatuese, duke krijuar ndikim negativ te qytetari i thjeshtë dhe gjendje pasigurie. Por ndërsa krimi është ravijëzuar në historitë e 40 bandave që sfidojnë shtetin me aktivitetin kriminal, duhet theksuar se ka një shtim të dukshëm të krimit të rrugës. Krimi ka zbritur në rrugë, shpesh dhe pa "motivet sipërore" të krimit të organizuar. Një javë më parë, një i ri vritet në Tiranë, për motivet e hakmarrjes, ndërsa kishte kërkuar azil në Suedi, pikërisht për t’i shpëtuar hakmarrjes. Krimi brenda familjes është gjithashtu në rritje, ndërsa rastet e vjedhjeve të shtëpive e të mjediseve tregtare në të gjithë vendin, janë në çdo edicion informativ. Pa përmendur përplasjet me armë për arsye të prishjes së pazareve të trafikut, është tepër i lartë dhe numri i krimeve që krijohen nga motive të çastit e banale. Ndërkohë, nga të dhënat mbi krimet gjatë vitit të kaluar, rezulton se ndonëse kemi një ulje të numrit të vrasjeve, nga ana tjetër, kemi shtimin e krimeve ndaj pasurisë së tjetrit, më saktë në vjedhje banesash e të bizneseve. Dhe këtu duket se nuk janë të evidentuara rastet kur përdoret lëndë eksplozive ndaj automjeteve apo shtëpive të banimit, raste këto që mund të trajtohen dhe si terrorizëm me efekt paniku në publik.

Përtej shifrave dhe raportet e policisë e institucioneve të tjera ligjzbatuese, diskutimi për statistikat mbi krimin, mbetet thjesht në raport krahasues me vitin e mëparshëm, sesa në evidentimin dhe marrjen e masave. Pasi të vijohet ende me shpërthime tritoli në qendra të banuara, do të thotë që të mësohesh me to si një normalitet, ashtu siç do të duket normale dhe qarkullimi i njerëzve të armatosur në të gjitha mjediset publike. Në fakt, ka shumë armë të lehta në qarkullim te qytetarët, çka më tepër sesa janë kontingjent krimi, dëshmon se i mbajnë pasi kanë pak besueshmëri për të gjetur mbrojtje tek organet ligjore.

Përballë çështjeve të caktuara, që janë bërë shqetësuese për opinionin publik, politika është marrë me retorikë, ka akuzuar kundërshtarin si fajtorin e vetëm të situatës, porse kurrë nuk ka ditur të "kapë për brirësh" problemin e të japë zgjidhje. E thënë më thjesht, ajo ka prodhuar me bollëk politikë, por jo reforma e iniciativa ligjore në shërbim të qytetarit e për t’i siguruar atij garancinë dhe mbështetjen e shtetit. Madje, retorikë është bërë edhe për ngjarje të rënda, ku pré e krimit kanë rënë edhe uniformat blu, çka është një nëpërkëmbje e shtetit. Krimi në Shqipëri ka marrë përmasa të frikshme, viktima të së cilës janë tashmë jo vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe uniformat blu. Janë shtuar vrasjet, janë shtuar grabitjet dhe krimi ordiner, janë rishfaqur maskat në ndonjë aks rruge dhe kjo dëshmon se krimi po merr hov, është bërë trim edhe me shtetin, përderisa merr guximin të godasë dhe t’i kundërvihet dhe uniformave blu. Pas çdo rasti të rëndë, çështja kalohet me ca deklarata përbetuese të luftës ndaj krimit, ndërsa opozita vë theksin te paaftësia e qeverisë, se ajo është përgjegjëse për situatën dhe se e ka lënë pas dore policinë, duke e bërë të gjunjëzohet përballë krimit. Por dhënia e një deklarate, qoftë qeveritare ashtu dhe nga ana e opozitës, nuk duket se është e mjaftueshme. As siguron bindje se ligji do të tregohet i ashpër ndaj krimit, si nga kjo qeveri, ashtu edhe nga ajo që do të vijë më pas. Bindja garantohet nga veprimi, nga iniciativat konkrete dhe pse jo, nga bashkëpunimi politik në shërbim dhe mbrojtje të qytetarit. Në këtë aspekt, në ndryshim nga monotonia përsëritëse e veprimeve dhe deklaratave të klasës politike, për çdo situatë të kësaj natyre, ka ikur koha e deklaratave boshe. Nuk është vetëm vetingu, kanabisi e reforma në drejtësi, objekti se kështu do të rregullohet situata. Rregullimi dhe ndryshimi duken që poshtë, nëpër rrugët e qyteteve ku vepron krimi dhe ku jetojnë qytetarët e thjeshtë, pa eskorta e truproja. Iniciativa ligjore për rritje të ndëshkueshmërisë për armëmbajtjen pa leje, si dhe rritjen e efikasitetit për uljen e numrit të armëve që janë në qarkullim, është në interes jo vetëm të përfaqësuesve të ligjit, por dhe të vetë qytetarit, i cili do të ketë në shërbim të tij një polici më efikase e më të motivuar. Në fakt, garantimi se ligji do të jetë më i ashpër në mbrojtje të tyre, është mjeti më efikas që uniformat blu të ndihen më të motivuara në luftën kundër krimit. Duhet rend, jo retorikë spekulative dhe koha nuk pret, ndërsa varfëria është shtuar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: