Kostot e reja të bizneseve që futen në regjimin e TVSH-së

Kostot e reja të bizneseve që futen në regjimin e TVSH-së
Me dhjetëra biznese të vogla, të cilat duke nisur nga data 1 prill 2018 janë futur në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, kanë protestuar dje në rang vendi. Pretendimet: Na është rritur kostoja e kasës fiskale, ajo e gjobave, por edhe taksat vendore që paguajmë, plus tarifa e TVSH-së e cila nuk na kthehet mbrapsht dhe ne do ta reflektojmë në çmim...

Për dy orë plot, qepenat e tyre kanë qenë të ulur... Me dhjetëra biznese të vogla në rang vendi, e kanë marrë dje një masë të tillë në shenjë proteste, ndaj futjes në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke nisur që nga data 1 prill e këtij viti.

Argumenti i përbashkët: Aktiviteti i tyre privat po bëhet i papërballueshëm nga rritja e kostove.

Renditjen, e nisin pikërisht nga kostoja e shtuar, sipas tyre, e kasës fiskale.

“Çdo tatimpagues i regjistruar në TVSH për herë të parë duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës  tatimore të TVSH-së, me qëllim, lëshimin nga data 1 prill 2018, të kuponit tatimor me TVSH”, citojnë vetë organet tatimore lidhur me këtë.

Ndërsa bizneset e vogla, që futen tani në TVSH ankohen pikërisht për faktin se koston e një veprimi të tillë nuk ua merr askush përsipër.

“Tani do të kemi procedura komplet të ndryshme nga biznesi i vogël. Duke filluar që nga ndryshimi i kasave fiskale, të cilat duhen bërë të tilla që për çdo mall që tani e tutje do shesësh, ta shesësh me kupon, i cili lexon “Me TVSH”. Ti shkon dhe e  ndryshon, por edhe kjo bëhet me lekë. Çdo shërbim që bëhet nga firmat e kasave fiskale bëhet me lekë, ata as duan t’ia dinë, janë privat”, sqarojnë përfaqësues të biznesit të vogël, posaçërisht për “Albanian Free Press”.

Duke shtuar më tej edhe shqetësimin mbi koston e re për të mbajtur një ekonomist, apo kontabilist, i cili tashmë sipas tyre nuk do t’u kushtojë më si më parë, pasi vetë mbajtja e faturave të TVSH-së është një proces i ri për ta.

“Për të mbajtur letrat, ekonomisti, sa më shumë artikuj apo xhiro të kesh, aq më shumë ta rrit çmimin. Për shembull nga 1 milionë lekë që merr në një vit, ai mund të të marrë edhe 2-3-4 milionë lekë tani e tutje etj. Ndërsa sot, më e pakta, një kontabilist e ofron shërbimin e tij me një kosto rreth 150 mijë lekë në muaj”, citojnë gjithashtu përfaqësues të biznesit të vogël. Pa harruar as faktin se sipas tyre, trajtimi i ri si një biznes me TVSH, i detyron që edhe kur të kapen në gabim nga tatimorët, të gjobiten ndryshe nga më parë.

“Nëse deri tani, për moslëshim kuponi tatimor, ne gjobiteshim me 50 mijë lekë, tani ajo dy dyfishohet, deri në 100 mijë lekë. Madje, edhe gjobat do të na i vënë si biznes i madh. Sepse nuk llogaritemi më si biznes i vogël”, shtojnë mes të tjerash, sipërmarrësit e vegjël, biznesi i të cilëve, duke nisur nga 1 prilli është futur në regjimin e ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, dhe kjo, pasi ai vlerësohet të ketë një xhiro mbi 2 milionë lekë.

 

LISTA

Kostot e reja të biznesit të vogël që futet për herë të parë në regjimin e TVSH-së 

- Kostoja e kasës fiskale, që të lëshojnë kuponin “Me TVSH” 

- Kostoja e ekonomist-kontabilistit, që tani është më e lartë 

- Kostoja e shtuar e mallrave për të cilat paguhet TVSH-ja

- Kostoja e shtuar e taksave vendore që paguan biznesi etj. 

- Kostoja e shtuar e gjobave apo shkeljeve po u bënë të tilla

Shpërndajeni me miqtë tuaj: