Koncesioni, "Rruga e Arbrit" gati pas vitit 2030

Koncesioni, "Rruga e Arbrit" gati pas vitit 2030
Zbardhet kontrata koncesionare e llojit të Partneritetit Publik Privat, për projektin e rëndësishëm infrastrukturor në verilindje të vendit

Shqiptarët do të mund të ecin në Rrugën e re të Arbrit vetëm pas vitit 2030. Të paktën sipas afateve që përcaktohen në kontratën e koncesionit, që qeveria shqiptare ka firmosur për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e saj.

“Periudha e koncesionit do të jetë 13 vjet, duke filluar nga data e fillimit të zbatimit të kontratës”, saktësohet në dokumentin “Për kontratën e koncesionit/ PPP, ndërmjet Shqipërisë dhe shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”. Duke mos përjashtuar as vonesat, që mund të ndodhin gjatë zbatimit të saj, nga ngjarje madhore, apo edhe  mospërmbushje e detyrimeve prej qeverisë shqiptare. Për të nënkuptuar kështu se mund të ketë zgjatje në kohë të punimeve, edhe përtej periudhës që parashikon kontrata koncesionare në fjalë, duke bërë kështu që realizimi i “ëndrrës” së shqiptarëve për ta parë të përfunduar këtë rrugë, të duket ende i largët në kohë.

Gjithsesi, brenda 13 viteve që i është lënë si afat nga qeveria jonë, koncesionari ka të drejtën dhe detyrimin ekskluziv të hartojë dokumentacionin e projektit përfundimtar të Rrugës, por edhe të realizojë punimet e përmirësimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së saj.

“Koncesionari e kthen Rrugën, në datën e përfundimit të afatit të kësaj kontrate, në gjendje të mirë dhe funksionale dhe nuk mban me përgjegjësi për mirëmbajtjen dhe riparimet e dëmtimeve të mëpasshme të saj”, është një tjetër kusht i rëndësishëm që ajo përmban. Shoqëruar më tej, edhe me faktin se nëse kjo nuk ndodh, atëherë palët kanë të drejtë ta çojnë çështjen deri në arbitrazh.

“Kur mosmarrëveshja nuk zgjidhet me negociata, secila nga palët mund ta dërgojë mosmarrëveshjen për arbitrazh sipas rregullave të arbitrazhit të Gjykatës Kombëtare apo Ndërkombëtare të Arbitrazhit”, cilëson dokumenti.

 

Kostoja, qeveria do t’i paguajë koncesionarit plot 33.6 miliardë lekë!

“Pagesat kundrejt koncesionarit do të fillojnë pasi ky të këtë kryer 25% të volumit të punimeve”, përcakton kontrata koncesionare

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit, përmes formës koncesionare të Partneritetit Publik Privat do t’i kushtojë qeverisë shqiptare plot 33.6 miliardë lekë. Kjo shifër konfirmohet zyrtarisht prej saj në kontratën e lidhur me koncesionarin. Aty sqarohet edhe sesi këto pará do t’i jepen këtij të fundit përgjatë viteve të zbatimit të projektit në fjalë, sipas një marrëveshje të caktuar financiare.

“Pagesa që autoriteti kontraktor do të detyrohet të paguajë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës për realizimin e objektit të saj, është një vlere prej 33.6 miliardë lekë, plus TVSH-në, e cila do të paguhet sipas modelit financiar të rënë dakord mes palëve”, saktëson kontrata. Duke shtuar më tej se shteti do t’i kryejë pagesat vjetore në 4 këste të barabarta çdo 3 muaj, ndaj kompanisë koncesionare, ndërsa ajo vijon punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit në 13 vjet kohë të fiksuar me ligj.

“Pagesat kundrejt koncesionarit do të fillojnë pasi ky të këtë kryer 25% të volumit të punimeve. Koncesionari do të paguhet për punimet e kryera në fund të vitit të parë (pasi kontrata të jetë bërë efektive) vetëm nëse ka kryer mbi 20% të volumit të parashikuar të punimeve. Kjo pagesë do të bëhet në raport me përqindjen e volumeve të këtyre punimeve të parashikuara në grafikun e punimeve. Pjesa e mbetur do të paguhet në këstet pasardhëse tremujore”, janë disa nga detajet e tjera që përmban kontrata koncesionare për Rrugën e Arbrit.

 

PRONËSIA

“Qeveria shqiptare është pronari dhe poseduesi i ligjshëm i tokës së projektit ku shtrihet Rruga dhe është ajo që e vendos atë në dispozicion të koncesionarit, përpara datës së hyrjes në fuqi të kontratës. Pavarësisht kësaj, qeveria e lejon koncesionarin që të futet në të gjitha pjesët e territorit të projektit, me qëllim për të kontrolluar kushtet e tij, që të mund të fillojë zbatimin e punimeve”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: