KODI I TAHIRIT – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

KODI I TAHIRIT – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Romani “Kodi i Da Vinçit”, i shkrimtarit Dan Brown, i botuar në vitin 2003 në SHBA, solli një bujë dhe shkaktoi aq debate të shumta, sa kurrë më parë nuk i kishte shkaktuar një libër i vetëm në të gjithë botën. Përmes ngjarjeve policeske dhe kodeve të fshehta të kishës katolike, autori pretendonte të sillte një histori të re të kësaj feje, shumë më ndryshe nga ajo që planeti kishte 2 mijë vjet që i kishte mësuar. Çelësi i kësaj historie ishin pikërisht kodet dhe deshifrimet e tyre, të cilët herë shfaqeshin në formë germash e hieroglifësh në pergamenë, por edhe sendesh të cilët dikur kishin përdorur personazhet, nga Jezu Krishti e Maria Magdalena, deri te roja plak i muzeut të Luvrit në Paris, i cili u gjet i vdekur. Prej asaj kohe, ky libër i cili edhe u ekranizua, por kurrë nuk pati suksesin e romanit, u bë një mall i dashur për të gjithë, jo vetëm për amerikanët ku lindi, por deri në Shqipërinë tonë. Mes 40 milionë kopjeve të shitura në të gjithë botën, janë edhe disa dhjetëra mijë të botuara në gjuhën shqipe. Pa harruar këtu edhe zellin shqiptar të debatit në media dhe forume letrare, natyrisht edhe fetare.

Pas 15 vjetësh, historia politike e Shqipërisë, është kthyer gati si një kod i veçantë, që kërkon deshifrime, me historinë e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Teksa është nën një proces penal me lejen e Kuvendit, teksa është përjashtuar nga grupi parlamentar i PS-së, teksa karriera e tij u shemb përdhé, duke rënë nga maja në greminë dhe miqtë i janë rralluar, shpëtimi i vetëm i Tahirit, janë bërë frazat e tij që, për shumicën e opinionit, janë kthyer në kode të veçantë, që kërkojnë pak vëmendje për t’i deshifruar. Ka të paktën 6 muaj që, çfarëdo që Tahiri thotë dhe çfarëdo që ai shkruan, njerëzit ngrehin veshët dhe vënë në punë mendjen, për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “Për këtë e pati? Çfarë do të thotë me këtë? A e kërcënoi vërtetë Ramën? A ishte kjo përgjigjja e duhur?”

Kështu, frazën e tij se “nuk keni parë gjë akoma”, shumëkush e deshifron se unë një ditë do flas. Madje, nëse kjo histori vazhdon kështu, do flas shumë.

Shumëkush, frazën e tij se, “nuk ka bir nëne dhe bir kurve, që do ta ndalojë për të vërtetën”, do të thotë se Rama dhe vetëm ai, është autori i kësaj situate ku ai ndodhet.

Shumëkush, frazën e tij se, “do kërkojë vetëm të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, do të thotë që nuk mund të bëjë kompromis që, në këmbim të negociatave me BE-në, ai të pranojë prangat e çelikta dhe qelinë e ftohtë.

Dhe kjo histori me fraza e shkrime të koduara, mund të vazhdojë deri ditën që çështja e tij të ketë një vendim përfundimtar.

Megjithatë, këto janë kode të cilët kanë ardhur nga fjalët që thotë Tahiri. Sepse kodi i kodeve është ai që, ditën kur Tahiri do ishte në Kuvend, kryeministri Edi Rama nxori njoftimin në rrjetet sociale se, libri i tij “Kurbani” ishte përkthyer dhe botuar në Itali. Ishte tepër simbolike që, fjala kurban në italisht, ishte përkthyer “Il Sacrificio”. Nëse edhe këtë fjalë e quajmë kod, mund të vazhdojmë të themi se, Saimir Tahiri ishte dhe është sakrifica që kjo shumicë bën ndaj vetes së vet, në mënyrë që BE-ja të marrë vendimin, që Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësim. As më shumë e as më pak, është një kod i cili, prej 19 tetori 2017, nisi me frazën e famshme, “nuk keni parë gjë akoma”. Dhe çuditërisht, vazhdoi ende duke mos e ditur kur do jenë kodet e fundit. Ajo që i shton edhe më shumë dyshimet, është përfshirja e Ramës në lojën e kodeve. Askush nuk e di, përse ai kodeve iu përgjigj po me kode, sepse mes tyre ka shumë gjëra që i dinë vetëm ata të dy. Ama, vetëm një gjë dimë me siguri ne të tjerët! Të gjitha këto kanë një emër. I quajmë thjesht dhe pastër, kodi i Saimir Tahirit. Të presim deshifrimin.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: