KE: Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit në vendnumëro

KE: Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit në vendnumëro
Pikat e raportit ku evidentohen problemet: Dënimi i rasteve të krimit të organizuar mbetet shumë i ulët

Ndërsa zbatimi i deritanishëm i reformës në drejtësi ka marrë notë pozitive, KE i kujton Shqipërisë problemet serioze me korrupsionin dhe progresin e ulët në goditjen e krimit të organizuar.

“Numri i dënimeve që përfshijnë zyrtarët e ulët dhe të mesëm është rritur krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit. Dënime të zyrtarëve të lartë u shënuan më së shumti në sistemin gjyqësor, megjithatë dënimet përfundimtare për zyrtarët e nivelit të lartë mbeten shumë të ulëta,” thuhet në gjetjet kryesore të progress-raportit për Shqipërinë.

“Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz,” shtohet aty.

Përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, raporti njeh njëfarë progresi kundër kultivimit të hashashit. Megjithatë, në këtë drejtim kërkohet intensifikimi i konfiskimit të aseteve të grupeve kriminale dhe vazhdimi i asgjësimit të stoqeve ekzistuese të kanabisit.

“Sa i përket të dhënave, ka pasur pak përparim në çmontimin e grupeve të krimit të organizuar. Numri i dënimeve përfundimtare për rastet e krimit të organizuar mbetet shumë i ulët dhe ka shënuar rritje shumë të vogla. Më shumë përpjekje nevojiten për të trajtuar pastrimin e parave, asetet kriminale dhe pasuritë e pajustifikuara,” thuhet në raport.

Komisioni Europian thekson se mjedisi politik në Shqipëri vazhdon të jetë shumë i polarizuar, ndërkohë që kërkon vazhdimin e përpjekjeve për të avancuar reformën në administratën publike.

Në fushën e të drejtave të njeriut, Komisioni Europian vlerëson përshtatjen e legjislacionit në përputhje me standardet e BE-së si dhe kërkon forcimin dhe monitorimin e mekanizmave të mbrojtjes si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet rome dhe egjiptiane.

Në fushën e lirisë së shprehjes, raporti vlerëson se Shqipëria ka shënuar progres në forcimin e pavarësisë së Autoritetit Rregullator AMA dhe Radio-Televizionit Publik, ndërsa kërkon më shumë transparencë për reklamat shtetërore.

Nga ana tjetër, KE shpreh shqetësim për shifrat ende të larta të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, ndonëse vlerëson masat e ndërmarra për reduktimin e këtij fenomeni.

Ekonomia është gjithashtu një kriter i rëndësishëm i gjetjeve të Komisionit Europian për Shqipërinë, ku vlerësohet rritja ekonomike, reduktimi i borxhit publik dhe i kredive të këqija. Por raporti thekson se rregulloret ndaj biznesit mbetën të rënda dhe mangësitë në sundimin e ligjit vazhduan të pengonin bizneset dhe të frenonin investimet.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: