Kanina dhe Vlora përkujtojnë 567-vjetorin e dasmës së Skënderbeut me Donikën

Publicitet
Publicitet
Kanina dhe Vlora përkujtojnë 567-vjetorin e dasmës së Skënderbeut me Donikën
Një festë-dasmë e rrallë dhe e pazakontë. Një improvizim, që të çon thellë në histori për të njohur dasmën më të rrallë shqiptare

Albert Zholi

Një festë-dasmë e rrallë dhe e pazakontë. Një improvizim që të çon thellë në histori, për të njohur dasmën më të rrallë shqiptare, në themelet e kalasë së vjetër të Kaninës legjendare. Dje, në Kalanë e Kaninës, deputeti dhe djali i kësaj zone, Fate Velaj, realizoi një ëndrrën e tij të vjetër.

Në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike "Kanina" , si dhe me Lëvizjen "Foleja Kombëtare Shqiptare" dhe Bashkinë e Vlorës, ai organizoi për herë të parë në histori "DASMA E SKËNDERBEUT", ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë. Në këtë festë merrnin pjesë, ministri Gjiknuri; deputeti i PS-së, Vullnet Sinaj; kryetari Bashkisë Vlorë, Dritan Leli; kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj; kryetari i Shoqatës “Labëria”, prof. Ago Nezha, prof. Sulejman Muça, historianë, shkrimtarë, studiues, si dhe shumë grupe polifonike dhe grupe të ndryshme folklorike të ardhur nga Kosova. Por edhe një delegacion special, prej 60 vetash, i ardhur nga arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve ishte dhe Loris Castriota Scanderbeg, stërnipi i Gjergj Kastriotit.

Kalaja e vjetër e Kaninës ishte zbukuruar si kurrë ndonjëherë. Rreth 100 flamuj kombëtarë dhe 50 banderola me simbolet e flamurit kishin zbukuruar gjithë këtë kala me histori qindra-vjeçare. Në fjalën e hapjes së dasmë-festës, deputeti Fate Velaj theksoi rëndësinë e kësaj dasme, por mbi të gjitha përcolli mesazhin se pse duhet ta përkujtojmë këtë ditë dhe kush është rëndësia e saj në ditët e sotme, kur historia po deformohet. Një festim madhështor ky për të na kthyer plot  567 vjet më pas, e për të festuar në mënyrë imagjinare 567-vjetorin e dasmës më historike të kombit shqiptar, si dhe 590-vjetorin e lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. “Çifti  Skënderbe- Donika” hynë në kalanë e plot ngjarjeve mbi kuaj të bardhë të ndjekur nga dhjetëra “luftëtarë”. Me kurorat mbretërore, ata përcollën tek pjesëmarrësit ritet e dasmës së Heroit tonë Kombëtar, Gjegj Kastriot Skënderbeu.

Pas uljes së çiftit mbretëror në poltronet mbretërore filluan gëzimi, kënga, daullet dhe hareja.  Festimeve iu bashkua dhe grupi polifonik i Kaninës, ansambli i këngëve dhe valleve të Vlorës, si dhe miq e dashamirës nga trevat shqiptare të Kosovës. Dje, Kanina solli kështu në kujtesë një ngjarje të madhe, një ngjarje që ka lënë gjurmë në historinë e Vlorës, por edhe të gjithë kombit shqiptar. Dje, Kanina e lavdishme përjetoi si asnjëherë  vendin e saj në historinë shqiptare. Koncerti me këngë të grupeve të ndryshme polifonike, këngët dhe vallet arbëreshe, si dhe këngët dhe vallet e grupit Lëvizja "Foleja Kombëtare Shqiptare" gjatë gjithë kohës u ndoqën, u duartrokitën dhe u shoqëruan nga mbi 1000 pjesëmarrës.

Pas përfundimit të koncertit, në shenjë kujtimi, përjetësimi dhe vazhdimi të traditës në themelet e hyrjes së kalasë u mboll edhe një pemë ulliri, e cila do të vazhdojë të mbillet për çdo vit, për të nxitur respektin dhe vëmendjen e kësaj feste të rrallë. Brezat që do vijnë, do na jenë mirënjohës... Në fund, pas festimeve të Kaninës, në orën 16:00, pjesëmarrësit në festë-dasmën u nisën për tek Manastiri i Ardenicës, aty ku Skënderbeu dhe Donika kurorëzuan martesën e tyre në kishë.

 

Kush ishte Donika Arianiti (Kastrioti)

Andronika (Donika) Kastrioti ishte gruaja e Skënderbeut. Ajo ishte bija e princit të famshëm, Gjergj Arianiti, njërit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Andronika ishte një dukeshë. Ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin, kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë dhe u bë princeshë. Në gjuhën e sotme protokollare, Andronika Kastrioti ishte gruaja e parë e Arbërisë. Ajo lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç. Andronikës i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me gruan e parë, Marie Muzakën, ai pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë, ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara, si edhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit; pra, gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës. U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:

"...Ç'dasmë që bë Araniti

Atë natë kalaja ndriti,

Kënga dhe vallja buçiti

Çelën llamba, ndezën pisha

Plot tryeza me të

gjitha,

Mish dashi, Labërie,

Verë Parge Çamërie..."

Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur, pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri:

"...Dhëndëri si dielli ndriste,

Edhe nuseja që prunë,

Porsi hëna vetëtinte,

Dritënë në dritë e shtunë..."

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: