I arratisuri për gjysmë shekulli: Si e gjeta Shqipërinë e bunkerëve

I arratisuri për gjysmë shekulli: Si e gjeta Shqipërinë e bunkerëve
INTERVISTA/ Flet i arratisuri në kohën e komunizmit, Sejdi Belaj: Saga e jetës sime, nga kalimi fshehurazi i kufirit në Kukës, në kampet e Prizrenit, Pejës, Selanikut, Triestes, deri në arritjen e “ëndrrës” në Suedi... Rikthimi në Shqipëri? Më erdhi keq për vendin tim të varfër

Për plot 47 vite me radhë, ai qëndroi jashtë vendit, me “statusin” e të arratisurit. Teksa rikthimin në vend, e përjetoi si një traumë të vërtetë, ndërsa e gjeti po aq të varfër sa ç’e kishte lënë. Kjo është historia e të arratisurit fshehurazi nga kufiri i Kukësit, Sejdi Belaj, e cila në këtë rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press”. Shoqëruar me detaje nga më të ndryshmet, si ai i momentit të parë të përballjes me “botën ndryshe”, në ish-Jugosllavi, jetën në kampet e përbashkëta me të arratisur të tjerë. Një sagë e vërtetë peripecish, për të përfunduar në Suedi, vend ky për të cilin thotë se njohu lumturinë e vërtetë dhe u respektua si një qytetar i botës, me të drejta të barabarta me vendasit...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Një nismë shumë, shumë e rrezikshme për atë kohë. Si munde dhe si u largove nga Shqipëria? Ku ishe me punë në atë kohë?

Eh, kur e mendoj sesa kam vuajtur, habitem me rrjedhat e jetës sime. Unë jam nga Kukësi dhe fshati im ishte në kufi me ish-Jugosllavinë. Ishin vite të një varfërie të madhe. Nuk është se e kishim idenë si jetohej jashtë, por thjesht fakti që nuk na linin të lëviznim dhe na ndalohej çdo lloj komunikimi me të huajt, ma nxitte në mënyrë të pavetëdijshme kureshtjen se çfarë bëhej vërtet jashtë shtetit, sesi jetohej. A jetohej më mirë se tek ne? A dilnin ata jashtë në vendet e tjera? Pra, të tilla gjëra mendoja si i ri që isha. Dhe nuk mendoja aspak pasojat dhe as se çfarë më priste. Thjesht kërkoja një aventurë, e cila ishte tipike e moshës.  Unë isha vetëm 19 vjeç. Ishte viti 1962. Kisha bërë një kurs për pompist dhe punoja në SMT-në e Kukësit. Jeta ishte e vështirë. Një ditë, para se të nisesha ishim në Shkodër, pasi aty u zhvillua Spartakiada e Kooperativave në futboll. Ishte korrik dhe bënte nxehtë. Kur u kthyem nga Spartakiada, isha bashkë me shokun tim të krahinës, Qerim Beqiri. Duke folur me njëri-tjetrin i thashë: “A nuk ikim jashtë shtetit?”. Ai më pa si me të qeshur, por kur unë ia përsërita. ai më tha “Pse jo?”.

Në cilin vend kaluat, si nuk ju panë ushtarët tanë?

Për të ikur, vendosëm të kalonim kufirin nga fshati Orgjost. Ai është një fshat kufitar, të cilin shoku im e njihte mirë se ishte vetë nga ai fshat. Ishte pasdite kur u nisëm. Iu afruam kufirit. Përballë na doli një djalë i ri që kulloste bagëtitë. Menduam se mos kishte dhe ushtarë aty afër ndaj unë i them: “Ku mund të pimë një pikë ujë, se mbarova. Më është tharë goja për një pikë ujë”. “Ja aty lart, 200 metra më tutje është një burim”, na tha bariu i vogël. U nisëm për tek burimi dhe herë pas here kthenim kokën pas. Por bariu i vogël nuk e kuptoi planin tonë, ai kishte hallin e tij. Dolëm në një qafë dhe pastaj u varëm poshtë. Ishte gati në të errësuar. Nuk na doli askush para. Ikëm rreth 5 orë dhe dolëm në një fshat. Dukej që nuk ishte i yni, sepse e njihja zonën e fshatrave tanë. U afruam tek një lokal, ku dëgjuam këngë. Hymë brenda. Lokali nuk ishte shumë i madh, kishte rreth 40 karrige, gjysmat e të cilave ishin të zëna. U ulëm në fund dhe shikonim. Flisnin vetëm serbisht. Ne shikonim njëri-tjetrin dhe nuk dinim çfarë të bënim. Me vete kishim vetëm disa lekë shqiptare. Pas pak, na afrohet kamerierja dhe na pyet se çfarë do merrnim (e kuptuam nga shenjat, jo nga gjuha megjithëse i dija ca fjalë serbisht). Ne ngritëm supet. Ajo u largua duke tundur kokën. I bëmë shumë përshtypje. Pamë një lloj indiference. Ndenjëm dhe ca dhe dolëm jashtë. Nuk dinim ç’të bënim. “Kthehemi?”, i thashë Qerimit. “Ku di unë, kthehemi”, tha dhe ai. Ne as që e mendonim se çfarë kishim bërë. Na dukej si një shëtitje... Vendosëm të ktheheshim, por jo nga ai vend që erdhëm. Kur po ngjiteshim, pamë një ushtar që lëvizte,. Tentuam  t’i flisnim. Ai sa na pa, u habit. Menjëherë mori qëndrim dhe vuri armën përpara. Ne ngritëm supet. I bënim me shenja se nuk kishim armë. Ai na bënte me shenjë “ngrini duart lart”. I ngritëm. Atëherë, ai u kënaq, buzëqeshi dhe na bënte shenjë me armë “këndej-këndej”. Na çoi në postë. Aty na pyetën në shqip. Shumica e ushtarëve dinin shqip. Komandanti na pyeti me dyshim në fillim, por ne flisnim pa asnjë merak, sepse nuk i jepnim rëndësi se çfarë kishim bërë. Pasi na pyetën mirë e mirë na çuan në Prizren në një si kamp. Aty na morën dy civilë në pyetje. Iu përgjigjëm siç i ishim përgjigjur tek posta kufitare.  Ata habiteshin nga përgjigjet tona. Ne edhe qeshnim pasi e kishim marrë si me shaka.

Si shkoi puna juaj aty? A ju ushqyen dhe ku ju mbajtën, Si e kalonit ditën?

Aty ushqimi ishte i mirë, shumë më i mirë se tek ne. Në Prizren, në atë kamp kishte dhe disa shqiptarë të tjerë, por edhe njerëz të tjerë që nuk e merrnim vesh çfarë  pune bënin, nga ishin etj. Secili ishte në punë e vet dhe e shikonim njëri-tjetrin me bisht të syrit. Aty ndenjëm rreth dy muaj. Lëviznim rreth kampit, na merrnin në pyetje dhe pastaj na linin të lirë. Një jetë monotone. Kur na pyesnin pse erdhët, u thoshim sepse donim të ishim në një shoqëri më të lirë. Pas dy muajsh na çuan në Pejë.

Po në Pejë, a ju pyetën?

Posi. Na pyetën dy civilë. Si duket ishin të UDB-së. Njëri prej tyre na pyeti më gjatë dhe unë i përgjigjesha sy më sy. Siç duket ai e kuptoi që nuk fshihja gjë dhe më afroi. Bënte dhe shaka. Por unë synimin e kisha gjetiu, doja të shkoja në Amerikë, aty ishte ëndrra ime. Kisha dëgjuar nga disa të afërm, se ajo ishte edhe ëndrra e të gjithë njerëzve. Në kamp aty punonim, çanim dru, por bënim edhe punë të tjera. Merrnim dhe ndonjë lek (dinarë). Pas dy muajsh, m’u mbush mendja të ikja në Greqi. E vendosa. Një mëngjes, u largova nga kampi dhe dola  në rrugë automobilistike. Kur kisha  bërë disa kilometra kalon një autobus me studentë shqiptarë të Pejës që shkonin në Maqedoni, afër Shkupit. Studentët e mësuan se unë isha shqiptar dhe u afruan të më jepnin muhabet. U thashë se dua të shkoj në Shkup dhe Strugë, por në fillim  do të qëndroj në një stacion ndërmjetës. Ata më dhanë ushqim që kishin me vete, madje më mbështollën edhe ushqim ta merrja me vete. Zbrita në një stacion shumë, para se të shkoja në Shkup, por që ishte afër kufirit me Greqinë. Kur zbrita, studentët më uruan rrugë të mbarë dhe ma bënin me dorë. U largova disa kilometra nga stacioni, por nuk dija nga duhej të ecja që të shkoja në Greqi. Diku pashë një burrë. Iu afrova dhe e pyeta me aq sa dija dhe serbisht dhe shqip: “Dua të shkoj tek stacioni të marr autobusin, këndej është?”, i thashë duke bërë me dorë në të kundërt. “Jo, - tha, -andej është Greqia, është kufiri grek”. “Aha qartë, faleminderit”, - i thashë. Jo më kot e pyeta në të kundërt, që të dija ekzaktësisht nga binte kufiri. Sa u largua burri, mora rrugën në drejtim të kufirit. Nuk e di sa orë eca, por në mëngjes, u gjenda në një lëndinë të hapur. Kisha kaluar një qafë mali dhe tani nuk orientohesha. Aty takoj një bari dhe e pyes “ku jam”, ai më tha “Greqi, Greqi”. “Unë, - i thashë, - jam albanez”. Ai më pa me kureshtje dhe më tha të shkoja tek pika kufitare. Pas pak erdhën ca kufitarë dhe më morën. Më çuan në një kamp refugjatësh në Selanik. Sërish aty më morën në pyetje një oficer dhe një civil. Më pyetën gjatë. Kur iku ushtaraku, ai civili që duhej të ishte i agjenturës greke më tha se “ku do shkosh”. I thashë në Amerikë. “Në Amerikë nuk shkojmë dot ne më, - tha, - jo ju shqiptarët”. Në atë kamp më mbajtën rreth dy muaj. Bëja punë të ndryshme dhe më jepnin ndonjë dhrahmi. Pas dy muajsh, më çojnë në Kastoria një qytet i vogël mes Selanikut, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Aty në kamp kishte shumë njerëz të ndryshëm, madje dhe shqiptarë si puna ime. Nuk flisja me asnjërin, por shikoja punën time. Edhe përgjegjësit të kampit në Kastoria i thashë se dua të iki në Amerikë. Edhe ai qeshi kur i thashë.

Po aty sa kohë ndenje? Më mirë ishe në Greqi, apo në Pejë?

Ndenja dhe aty rreth tre muaj. Në Pejë isha më mirë, pasi dija gjuhën dhe komunikoja më shumë. Këtu nuk komunikoja me njeri, se ishin njerëz nga vende të ndryshme. Pra, u bë më shumë se një vit që isha larguar nga Shqipëria. Nga shtëpia nuk kisha asnjë haber. Si mund të flisja? Në Shqipëri nuk kishte telefona, as në qytetet kryesore. Ishte akoma një kohë pa komunikim. Me thënë të drejtë, u mërzita në Kastoria. Nuk më rrihej më. Nuk kisha as shoqëri. Kishte një indiferencë të madhe. Vendosa të kthehem në ish-Jugosllavi. Sa u errësua, u nisa. Tashmë kisha eksperiencë. Kisha dhe ca lekë me vete, lekë shqiptare, serbe dhe greke. Nga këmbët isha mirë. Ecja avash dhe me kujdes. Mëngjesi më gjeti pranë një poste kufitare në Bitol. Isha rreth 300 metra në të majtë të reparti ushtarak. Në duar kisha një shkop, që të më gjendej për çdo situatë. Kur befas qeni lehu dhe u kthye nga unë. Isha rreth 50 metra larg ushtarit. Kur më pa ashtu, ushtari u tremb. Mendonte se mos kisha qëllim që ta sulmoja. Menjëherë, u bë gati të lëshonte qenin dhe të drejtonte armën. Unë e kuptova qëllimin e tij ndaj hodha shkopin poshtë dhe ngrita duart lart. Ushtari menjëherë u qetësua dhe qeshi, U afrua dhe më shoqëroi për në postë. Në arte të tilla, kur kapnin një shkelës kufiri ushtarët merrnin shpërblim një ditë leje, pushim. Sa u nda nga unë, ushtari fërkoi duart që fitoi pushimin. Më çuan tek komandanti. Ai dinte shqip. Ia sqarova gjithë situatën. Qeshi. Do të çojmë sërish në Pejë, më tha. Mirë, i thashë. Pas tre orësh, më çuan në Pejë aty ku kisha qenë. Sa më çuan në Pejë, përballem me agjentin civil të UDB-së që më kishte qëndruar mirë. Ai u habit. Dinte shumë mirë shqip. “Ku ishe?”, më pyeti. I thashë se ika në Greqi dhe erdha. Qeshi. “Mirë, - më tha, - hajde në zyrë”.

Kishte qëllim që të të rekrutonte?

Jo. Përse u duhesha unë atyre? Ata donin njerëz të mësuar, njerëz dinakë. Unë isha çun i ri që s’ua kisha idenë atyre punëve. Pasi më tha “ulu”, më pyeti: “Cili është qëllimi i vërtetë që ike nga Shqipëria?”. I thashë, “vetëm që të shkoj në Amerikë”. “Mirë, - më tha, - puno sa të mundësh. Unë do të bëj çmos të të çoj në Itali, në Trieste”. U gëzova.

Në fakt, u mundua?

Po, madje shumë. Pas disa muajsh erdhi dhe më tha se e kishte rregulluar që mes disa të tjerëve nga vende të tjera, të më çonte me tren për në Itali. Nuk e besoja. Më dukej vetja, sikur po jetoja një ëndërr të largët. Atë natë nuk fjeta gjumë. Të nesërmen, më ishin bërë gati dokumentet dhe u nisa me tren drejt Italisë. Lotoja nga gëzimi, Pas rreth 16 muajsh vajtje-ardhje Prizren-Pejë-Shkup-Selanik-Kastoria-Bitol-Pejë, po merrja rrugën drejt Perëndimit. Kjo ishte ëndrra ime e madhe. Në darkë mbërritëm në Trieste. U mahnita nga bukuria e atij qyteti bregdetar. Ishte një qytet me histori të lashtë, ku gërmimet arkeologjike të mahnitnin me qytetërimin e lashtë. Atë mbrëmje na çuan në një kamp. Nuk kisha asnjë të njohur. Dhomat e fjetjes dhe ushqimet ishin të mira. Hëngra me oreks. Pas disa orëve, më thirrën të shkoja tek drejtori i kampit. Aty më morën të gjitha gjeneralitetet dhe më pyetën me hollësi kur, si ika, ku shkova dhe qëllimin. Pastaj më lanë të lirë. Na caktuan një orar veprimesh dhe na pyetën se a donim të punonim  me pagesë. Unë u përgjigja se doja të punoja. Kur shikoja detin në mbrëmje në atë vend magjik, mrekullohesha. Nuk kisha parë qytet aq të bukur dhe me një hapësirë të pafundme detare. Ndërsa tashmë i vetëm pyesja se ku mund të ishte shoku im i largimit, Qerimi. Me të vërtetë thosha se ia vlente që kisha sakrifikuar për të ardhur këtu. Por ata të kampit bënin lëvizjet e tyre. Piketonin se ku do na çonin.

Sa muaj ndenje në Trieste?

Tre-katër muaj. Më vonë, më çuan në një qytezë, Latino quhej. Një qytezë e vogël, e bukur dhe me ndërtesa të mira. Kushtet në atë kamp i kishim shumë të mira. Unë them kështu pasi në Shqipëri këto kushte as që i mendoja. Ku kishim ne dyqane të mbushura plot... Shikoja pije alkoolike që as më shkonte ndërmend t’i shikoja dhe jo më t’i shijoja në Shqipëri. Në këtë kamp, edhe punoja punë të ndryshme, edhe fitoja ndonjë lek. Pas ca kohësh, erdhën dhe më pyetën që në Amerikë nuk mund të më çonin, por në ndonjë vend tjetër të Europës, po. Unë nuk dija ç’të thoja. Nuk i njihja shtetet e Europës si ishin, se kush ishte më i miri. Ata më ofruan Suedinë. Në fillim hapa sytë, thuajse nuk dija asgjë për atë vend. Më sqaruan dhe më thanë se ishte vend i madh, i bukur me industri që do gjeja menjëherë punë.

Kur të çuan në Suedi?

Ishte fillimi i vitit 1964, pra pas dy vjetësh sorollatjesh. Më çuan me avion. As e kisha menduar të udhëtoja ndonjëherë me avion. M’u duk sikur do fluturoja pa mbarim dhe nuk do ulesha me në tokë. Kisha dhe pak frikë. Nuk dija si të vendosja rripin e sigurimit. Më kishin rregulluar ë të sistemohesha në qytetin e Gëteborg, një qytet industrial i madh. Sa shkova aty, dikush më priste duke folur emrin tim. Më çuan direkt në një shtëpi të mobiluar. U shtanga. Nuk kisha parë kurrë shtëpi të tillë. M’u duk vetja si princ. As e mendoja një shtëpi të tillë dhe të mobiluar aq bukur. Ishte një mrekulli. Nuk flija dot nga gëzimi, pasi doja të sodisja pafund shtëpinë. Krevate, dush, telefon, ujë brenda, drita të bukura, sobë elektrike, etj... Një mrekulli. Të nesërmen më çuan në një fabrikë mekanike, ku më futën në punë. Ky qytet u bë atdheu im. Qysh prej vitit 1964, deri më sot, banoj atje me fëmijët e mi. Aty u martova, aty linda fëmijët, aty u sistemova dhe atje kam gëzuar shumë gjëra. Një qytet i bukur, i pastër dhe shumë i zhvilluar. Aty kam plot 54 vjet, më shumë se gjysmë shekulli. Nuk e kuptoj dot veten time pa atë qytet, që më dha qetësi, pasuri, dashuri, respekt.

 Ndjeve ndonjëherë shenja racizmi?

Kurrë, kurrë. Suedezët janë popull shumë korrekt. Nuk e njohin racizmin dhe janë shumë, shumë punëtorë. Janë popull i edukuar me punën. Aty pashë sesi respektohej një i huaj, njëlloj si vendasit.

Kur ke ardhur për herë të parë në Shqipëri?

Eh. Kam ardhur në vitin 1992, pra pas 28-vjetësh. Pra, ika 19 vjeç dhe u ktheva 47 vjeç. Një jetë të tërë...

 

RIKTHIMI

“Si e gjeta Shqipërinë? Një vend kaq të sfilitur”

“Në Rinas më priti një mik së bashku me motrat. Kur avioni po i afrohej Rinasit, pashë nga lart një vend të zhuritur dhe mbushur me bunkerë. U habita. Bunkerët dukeshin që nga larg me atë bardhësinë e tyre. Nga lart dukej sikur ishin ngjeshur. Kur dola nga porta e Rinasit, miku im filloi të thërriste me zë të lartë emrin tim. Më dukej  se isha në një vend të thatë. Mendova se mos më kërkonte Sigurimi. Nuk e kuptoja pse thërriste me zë të lartë. Për një moment, thashë me vete të kthehem dhe iu drejtova sërish avionit. Doja me çdo kusht të kthehesha, por miku e uli tonin dhe më tha afrohu. U afrova i dyzuar. Nuk po më pëlqente fare atdheu i im. Shkretëtirë. Pas mikut pashë motrat që po qanin. Eh malli, ato ishin rritur dhe ishin bërë gjyshe. U takuam mes lotësh. Nuk e besoja që vendi im të ishte aq i prapambetur. Më dukej sikur vendi im kishte ngelur aty ku e kisha lënë qysh kur kisha ikur. Kur e krahasoja me  qytetin suedez ku unë jetoja, më dukej si nj fshat i rrënuar. U pezmatova. Kur shkova në vendlindje akoma më keq. Pa rrugë, pa ujë, pa drita, pa ushqime. Një vend i sfilitur. U mërzita shumë. Pashë një varfëri ekstreme...

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: