Hasan Luçi: Ramiz Alia liberal dhe artist i lindur, Adil Çarçani i katandisur në njeri zyre

Hasan Luçi: Ramiz Alia liberal dhe artist i lindur, Adil Çarçani i katandisur në njeri zyre
INTERVISTA/ Vijon rrëfimi i Hasan Luçit, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Si i njoha nga afër Ramizin dhe Adilin, kur erdhën për t’u vizituar nga mjekët në Paris. Por edhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, Spiro Koleka dhe Rita Marko

Ramizi, me sy zhbirues në çdo sekondë, dukej artist i lindur, befasues në pyetje dhe gjykime. Nuk i ngjante askujt nga udhëheqja që njihja unë. Ky qenkej më liberali, ndryshe nga të tjerët...”. Këto përshtypje personale përcjell në vijim të  rrëfimit të tij të posaçëm për “Albanian Free Press”, Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë, mbi ish-presidentin e vendit, Ramiz Alia, teksa ky i fundit kreu një  vizitë mjekësore në këtë vend në vitin 1974. Shoqëruar edhe me ato mbi ish-kryeministrin Adil Çarçani, i cili sipas tij

I la përshtypjen e një babaxhani, të qetë, gati të palëvizshëm, fjalëurtë, që fliste pak dhe që dukej me logjikë të fortë. Por që sipas tij, ishte kthyer në një njeri zyre, në dukje pa lidhje me realitetin që e rrethonte. “Ky më dha të kuptoja se qe shkëputur nga jeta e gjallë dhe bënte jetë të izoluar. Ky s’merrej as me gjueti as me sport a gjë tjetër. Dukej se qe bërë njeri i letrave të zyrës dhe besonte vetëm çfarë i raportonin vartësit”, citon Luçi... Për të treguar më tej edhe detaje nga vizitat mjekësore që kryenin në Paris, anëtarë të tjerë të Byrosë Politike si Rita Marko, apo Spiro Koleka ...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Cilët nga udhëheqësit e tjerë të kohës së komunizmit kanë ardhur në Francë?

Në maj të vitit 1974 erdhi me gruan për vizitë mjekësore Spiro Koleka. Atëherë e njoha për herë të parë. Ai qe i thjeshtë, sillej si fshatar apo punëtor në veshje e sjellje dhe s’të linte përshtypjen e një udhëheqësi të kohës, veçse bënte vërejtje për çdo gjë, bënte polemika të forta. Gjëja e parë që më bëri përshtypje qe shëtitja me hap sportiv 8 km në ditë, aq sa nuk e ndiqnim dot, veç shoqëruesit të vet. Një ditë donte ta shoqëronte edhe Frederik Nosi, megjithëse e paralajmërova se s’do duronte dot marshimin se ishte i sëmurë, por ai s’na dëgjoi. Nuk bëmë as dy kilometra dhe Frederiku na ra në rrugë aq sa u bëmë merak se desh vdiq. E çuam në shtëpi me taksi dhe thirrëm mjekun. Nga bisedat me Spiron, mësova se ai dinte më shumë se një shkencëtar i specializuar për zogjtë, përfshi ata shtegtarë, si patat e egra, e tjerë dhe tregonte bukur për ta. Unë e shoqërova për të vizituar Parisin, si Tur Eifelin ku hipëm, parkun e Bagatelës, parkun zoologjik në rrethinat e tij. Me të kujtuam edhe vuniotësit e kolonisë në Francë, por ai nuk kërkoi të vizitonte as ndonjë vuniotës në Paris. Meqë mbulonte sektorin e ndërtimit, i shfaqa pakënaqësinë për shtëpitë tona, sidomos për kuzhinat e banjat e vogla dhe sepse MPB-ja, me të burgosurit, bënte apartamente më të ngushta se normat e  “N.N. 21 Dhjetori” etj. Nuk më dha ndonjë shpjegim të saktë, por prapë i shpjegova modelin HLM popullor të shtëpive në Francë, që ai e quajti të afërt me tonin, gjë që s’ishte ashtu njëlloj. Shtëpitë tona qenë tejet të ngushta. Dukej se ai ishte i kursyer dhe kursimin e përmendte kudo në biseda. Edhe ky kishte marrë goxha ushqime nga Shqipëria, ullinj të përzier me portokall e limona, vaj ulliri etj. Nuk na ftoi as për një kafe e gotë raki, as ku banonte dhe as në lokal, veç fotografive që bëmë, të cilat na i dhuroi. Gruaja e tij qe e thjeshtë, nuk jepte shumë muhabet.

Po Ramiz Alia, a ka ardhur në Paris për vizitë?

Në prill 1974 erdhi për mjekim Ramiz Alia me gruan e vet, Semiramisin, i shoqëruar nga prof. Ferdinand Paparisto dhe oficerët Servet Backa e Faslli Sevrani. Më bëri përshtypje ky çift i zakonshëm, pa salltanete në qëndrim, në ecje, në përshëndetje, në kërkesa etj. Semiramisi nuk qe e bukur, por shumë e ëmbël në fytyrë, e heshtur me sy të qeshur, të jepte afërsi, si të kishe një jetë i njohur me të. Ramizi pak lëkurë verdhë-bardhë, me sy zhbirues e të lëvizur në çdo sekondë, buzëqeshte, por bënte edhe gjeste me kokë e zë të ngritur, një qeshje karakteristike diçka mitike; në çast bëhej serioz e nxiste muhabetin me shaka e thumba; i lirshëm, dukej artist i lindur, befasues në pyetje e gjykime. Nuk i ngjante askujt nga udhëheqja që njihja unë. I thashë gruas, se ky qenkej më liberali, më ndryshe nga të tjerët. “Mos fol me njeri!”, më tha ajo e gjora, se ishim në shtëpi, ku edhe muret kishin vesh e sy. Mendova kështu atëherë, për këto arsye: Së pari, sektori i jashtëm i KQ të PPSh na kishte dërguar një radiogram që t’i mbyllnim në kasaforta librat dhe shtypin e huaj, mos t’i shihnin. Dukej një urdhër absurd si shumë të tjerë nga propozimet që bëheshin për revolucionarizimin e kohës. Së dyti, kur u shtrua në spital, bënim roje shoqërimi me radhë ne diplomatët, veç shoqëruesve, por ditën. Një ditë, pasi kishin qenë tek ai sekretarët e tretë Bari Ziko e Thoma Bano, kur vajta unë, Ramizi më pyeti: “Ku i keni gjetur këta të dy?”. “Më falni, -iu përgjigja, -ju i keni dërguar, mua  këtu më gjetën dhe u njoha me ta”. “Hë, e more hakun, ë?! Kemi firmosur ç’na bien?!”. Dhe më pa me habi për guximin e treguar, por unë nuk i përpëlita sytë, se nxora një mllef, se më të vërtetë të dy qenë fare qyqarët, jo për diplomaci. Së treti, pas disa muajsh, si sekretar i organizatës bazë të partisë në Paris, u thirrëm në një mbledhje në KQ të PPSh-së, ku morën pjesë nga tërë ambasadat, konsullatat e përfaqësitë tregtare tonat jashtë. Në një pushim, kur  po bisedonim me Ramizin, erdhi prof. Sofokli Lazri, me të cilin kujtuan qyfyre nga shkolla në Shkodër. Sofua, siç e kishte zakon, lëshoi një qyfyr qesëndie të rëndë ndaj një shoku. Ramizi  i tha me të qeshur për ta kaluar hidhërimin: “Shyqyr që e njohin Sofon se ndryshe do të kalbej në burg”. Në fakt, qëndrimin e Ramiz Alisë në Paris, e kalova pa ndonjë ngjarje, se ai qe i qetë, pyeste e merrte mendime së bashku për çdo gjë, përfshi shëtitjet. Nuk linte rast mendjemadhësie në dukje, shihja që digjej për brenda për t’u dukur i pëlqyeshëm. Semiramisi s’jepte shenja të tilla, përkundrazi ishte thjeshtësia vetë, siç thotë populli. Silleshim si motër e vëlla, sidomos me gruan time; Semiramisi bënte biseda nga më të ndryshmet për jetën në Shqipëri e në Francë. Ndërkaq, Ramiz Alia bëri një mbledhje me personelin e ambasadës për gjendjen në Shqipëri si komisar dhe dëgjoi ankesat e propozimet e kolektivit, të cilat nuk ishin të pakta, që nga kërkesa për ngritje rrogash, lejimin e fëmijëve për pushime verore, etj., por asgjë nuk u miratua pas largimit të tij. Doemos as ky s’kishte si lëvizte nga vija e përgjithshme, megjithëse ky dukej se kishte mendime ndryshe, jo aq shabllone e kallëpe si të tjerë.

Thonë se në Paris ka ardhur edhe Rita Marko...

Po, në korrik 1974 erdhi për vizitë mjekësore Rita Marko, të cilin e mbaja mend mirë që nga takimi i korrikut 1960, kur shoqëroja Moris Torezin me gruan e djalin në Shqipëri. Që kur mora vesh se do të vinte, pyesja veten nëse do të më njihte. Si shoqërues kishte mikun tim Harilla Kolën, që ma lehtësonte punën, ngaqë doja t’i bëja bisht, se e dija që ishte “ters i Pojanit”. Unë i kisha edhe një inat të vjetër. Kur isha në MP të Brendshme në vitet 1958-1961, kur Rita mbulonte organet e kësaj ministrie, nuk na miratoi arsimin e lartë, (fakulteti D që kishim bërë në Moskë dhe kishim gjithë dokumentacionin përkatës). Në atë kohë, si sekretar të organizatës bazë, atje kishim vëllain e Ritës, Andrean, të cilit i kërkuam të ndërhynte, por ai s’pyeti as për atë, as për zyrën juridike të kryeministrisë, që ishte dakord me kërkesën tonë. Andrea Marko si luftëtar veteran, qe njeri i urtë, me logjikë, i përshtatshëm për komisar dhe unë shkoja mirë me të personalisht. Duket se Ritën etj., në byro i mundonte fakti se ata vetë nuk kishin arsim të lartë dhe nuk e firmosnin kërkesën tonë, se “mos u zinim vendet”. Sidoqoftë, ai nuk më njohu kur erdhi dhe nuk ia kujtova, por e shoqëroja pa qejf dhe nuk bëja biseda të gjata. Sillej me këdo ftohtë, por kësaj here nuk më zuri dot në çark për asgjë. Ai kishte mani të vizitonte dyqanet e shikonte ç’mund të blinte. Një ditë shkuam në mëngjes në magazinat e mëdha Samaritenë. Boll u soll vërdallë duke u ndalur gjatë te stendat, sidomos tek stofrat për kostume. Shitësi i zbriti gati tërë llojet e stofrave në banak, por më në fund më tha: “Janë stofra të bukura, por të shtrenjta, çne, këtu do të marr unë? Jo, do blej në Romë, ku është më lirë”. U largua pa i thënë shitësit as “faleminderit” për mundimin e madh, por ia thashë unë dhe shitësi e pa me habi. Me vete mendoja: “po ne të varfrit, ç’duhet të bëjmë?! Afroi ora e drekës dhe zbritëm shpejt shkallëve nga kati i 4-t në rrugë. Pamë se atje na mungonte shoqëruesi H. Kola. Pritëm 5 minuta, por ai s’po dukej gjëkundi. Dërgova një shok ta gjente lart dhe vërtet ai shihte ende copa stofrash. Erdhi tërë djersë dhe i skuqur nga turpi, se si na humbi. “Po çne, unë  jam roja jote apo ti e imja?!”, - gati bërtiti i inatosur Rita. “Më falni”, -tha ai me kokë ulur. “Po edhe ndodh në këtë rrëmujë”, -shtova unë për ta ulur tensionin. Një ditë tjetër, Rita më porositi t’i dërgoja projektin e lodrave të fëmijëve (rrotave të mëdha lëvizëse që ai pa në Paris), por unë s’e kreva se ato projekte bliheshin me pará dhe ai s’tha gjë nëse paguante ose jo. Për fat, dikush i bëri ato në Tiranë, jo aq të bukura, por ato ishin nën juridiksionin e Ritës si kryetar i BP të Shqipërisë.

Edhe Adil Çarçani ka qenë në Paris...

Po, në vitin 1975 erdhi për vizitë mjekësore zv/kryeministri Adil Çarçani, me gruan e tij Havanë. E takoja për herë të parë. Që në hapat e parë më la përshtypjen e një babaxhani, i qetë, gati i palëvizshëm, fjalëurtë, fliste pak, s’bënte shaka, serioz, pyeste për çdo gjë. Dukej me logjikë të fortë. Rrinte pak me kokën në njërën anë, por sytë i lëvizte gjallërisht, dukej se kishte kujtesë të mirë. Kërkoi të veprohej sipas rregullave të vëna kudo: në vizita, shëtitje, shtëpinë e pritjes etj. Ky qe i pari dhe i fundit udhëheqës që mendonte e thoshte  kështu dhe vërtet kështu bëri deri sa iku. E ftova së bashku me gruan për drekë, pa marrë shoqëruesit e tij me të, siç e bënim në disa raste për të biseduar lirshëm me ta. Doja të bisedonim më shtruar për disa probleme të diplomatëve e personelit të përfaqësive jashtë, megjithëse ai nuk merrej direkt me këtë punë, por mund të influenconte sipas gjykimit tim, se kisha dëgjuar që ishte i drejtë. Në fillim, biseda u bë për familjen time. Më foli edhe për babain, vjehrrin që i njihte në kohën e LANÇ-it dhe më vonë. Pastaj ra fjala për gjendjen e familjeve në përfaqësitë tona. Pasi i folëm unë dhe gruaja për hallet familjare, ai u tregua i interesuar të dinte më shumë. Gruaja ime i tregoi historinë e vet: “Bëra 6 vjet në Paris radhën e parë, u bëra me 3 fëmijë këtu, por jetonim hollë, mezi lidhnim 15 ditët me atë rrogë. U ktheva në atdhe me pak gjëra, jo si e lerë me këmishë. Katër vjet kërkova punë. Edhe në komitetin e partisë më përcollën, kështu që jetuam 5 vetë me rrogën e burrit”. “Si është e mundur?!, - u habit ai, - 4 vjet pa punë?!. Çudi. Neve s’na vini në dijeni për këto halle?!”. Pastaj i folëm edhe për çështjen e së drejtës të vjetërsisë së punës për pension të grave të personelit të ambasadave, që ende nuk u njihej e drejta, meqë ato ishin me shërbim pas burrave, megjithëse pa shpërblim. I folëm për trajtimin e fëmijëve në atdhe, rrogat e vogla e kuotën e vogël (10.000,00 lekë) të asaj kohe si kuotë në një vit për t’u dërguar veshmbathje nga jashtë. Kështu vazhduam dhe e vumë në dijeni, duke i kërkuar të falur, se e mërzitëm me hallet tona, por ai tha: “Jo, jo, keni bërë shumë mirë, se ne nuk e dimë kështu gjendjen dhe hallet tuaja”. Dreka mbaroi vonë, megjithëse ai as hante, as pinte, se mbante dietë, megjithëse i gatuam, sipas këshillave të mjekut të tij. As pinte duhan. Nga bisedat me të gjatë qëndrimit kuptova se qe njeri shumë i mirë, njerëzor, fisnik, por babaxhan deri naiv, se s’dinte të bënte hile as në bisedën e lirë, as në punë. Ai dëgjonte më qetësi çfarë i thoshe, por përgjigjet qenë tejet formale. Fliste dhe i theksonte gjërat sipas parimeve të partisë, por dukej njerzillëku i tij. Ky më dha të kuptoja se qe shkëputur nga jeta e gjallë dhe bënte jetë të izoluar, ndërsa të tjerët e njihnin jetën më mirë, disa përfitonin nga privilegjet, ky jo. Ky s’merrej as me gjueti as me sport a gjë tjetër. Dukej se qe bërë njeri i letrave të zyrës dhe besonte çfarë i raportonin vartësit. Të gjithë flisnin mirë për të, sidomos se qe njeri i drejtë. Nuk e takova më vonë. Në fakt dukej se udhëheqja ishte e shkëputur nga hallet e popullit dhe secili për arsyet e tij, siç bëjnë gishtat e dorës. Kur u kthyem në atdhe, gruaja ime i shkoi në zyrë Havasë, ish- sekretare e dytë e KP të rajonit nr. 2 të Tiranës. Ajo e priti mirë dhe i gjeti punë si llogaritare-doganiere në aeroportin e Rinasit.

 

EPISODI

“Si e mbajta në shtëpi gruan e Kadri Hazbiut. Ai më falënderoi me një letër revolucionare”

“Në vitin 1975 erdhi për vizitë mjekësore në Paris se vuante nga zemra edhe Hedije Hazbiu, gruaja e Kadri Hazbiut. Meqenëse ajo ishte vetëm, veç ditëve në spital, e mbajta në shtëpi. Ajo ishte grua e thjeshtë, e urtë, e qeshur dhe bënte muhabet mirë. Me gruan time u miqësuan dhe bënin së bashku punë shtëpie, se ajo s’donte të rrinte duarlidhur, siç thoshte. Qëndroi mbi 20 ditë. Atë e shoqëroi Shkëlqim Laze, oficeri i Kadriut, me të cilin ai më dërgoi edhe një letër, që po e kopjoj,  siç është tërësisht: “I dashur Hasan, Jam në dijeni të kujdesit që tregoni ndaj Hedijes. Ju faleminderit familjarisht. Pa dyshim ju bëni detyrën, por tamam në këto raste lind edhe respekti e mirënjohja shoqërore, e shëndoshë e komuniste. Unë dhe familja do t’i jemi akoma më borxhli partisë e shokut Enver për kujdesin që tregojnë. Ajo që kemi në dorë të bëjmë është të punojmë besnikërisht e pa u lodhur për partinë e atdheun tonë socialist deri në rrahjen e fundit të zemrës. Kjo do të jetë një shprehje konkrete edhe e mirënjohjes ndaj jush, e gjithë shokëve e shoqeve që na lehtësojnë preokupimet, që në këto raste janë si të thuash të pashmangshme. Këndej çdo gjë shkon mirë e shumë mirë. Shokët janë fare mirë, pavarësisht nga punët relativisht më të shumta që kemi. Gjendjen e kemi shumë të fortë, pavarësisht nga ç’kanë bërë e ç’duan të bëjnë armiqtë, cilët do qofshin. Detyrat e planit realizohen e tejkalohen, kudo luftohet për të fituar kohën e humbur. Punë partie, edukim, vigjilencë dhe dru e plumb armiqve. Këto janë e mbeten detyra të ditës”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: