Hasan Luçi: Ismail Kadare, një individualist që nuk miqësohej lehtë me të tjerët

Publicitet
Hasan Luçi: Ismail Kadare, një individualist që nuk miqësohej lehtë me të tjerët
INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: “Kishte frikë të qe i lirshëm në biseda. E para, se njerëzit e organeve të MPB-së, ai i quante spiunë. Por dhe në tërësi, Ismaili të tjerët i quante pa kulturë të lartë dhe si rrjedhojë, s’ia vlente të miqësohej me ta”

Të panjohurat e jetës së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare në Paris, që nga botimi i “Gjeneralit”, deri tek detajet e blerjes së një pardesyje për Helenën. Të gjitha vijnë sot, në vijim të rrëfimit të posaçëm për “Albanian Free Press”, të ish-zbuluesit politik të Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi. Duke dhënë detaje edhe mbi botimin dhe përpjekjet për prezantimin e filmave dhe veprave të Ismail Kadaresë në Francë. “Ismaili ngriti lart cilësitë tona si shkrimtar e poet, i një stili befasues të realizmit socialist (po me ngjyrim perëndimor) për botën franceze e perëndimore”, vlerëson ai...

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

(vijon nga numri i kaluar)

 Z. Luçi, para se ta takonit në Francë, a e keni njohur më parë Ismail Kadarenë?

Kadarenë e kam njohur në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, ishim në klasë paralele, në vitet 1951-1955. Që në vitin e parë, edhe unë merrja pjesë në rrethin letrar të poezisë, ku ishin dhe Dritëro Agolli, Agim Shehu, etj. Atje lexonim poezitë tona, por unë s’po arrija t’ua mbushja mendjen. Një ditë i kërkova Ismailit ta lexonte një vjershë timen. Ai e lexoi shpejt dhe më tha: “Ti e ke kopjuar nga unë, por prapë nuk vlen fare”. Nuk ia mora për keq, se kisha pak kohë që e njihja, por duket dielli që kur lind. Ai qe individualist qysh atëherë, rrinte vetëm, dukej se i pëlqente vetëm vetja, kur qeshte, ai s’nxirrte zë, por ngërdheshej.

Po pas gjimnazit, ku e ke takuar Ismail Kadarenë?

Me Ismail Kadarenë ishim vullnetarë edhe në rrugën e Dritës në korrik të vitit 1952, në kantierin e Ferr-Shkopetit në Mat. Ismaili qe më i dobët me shëndet se unë, punoja me kazmë e lopatë në hapjen e trasesë së rrugës, se isha mësuar në fshat me punë të tilla, kurse Ismailin e dërgonim, që në orën 7 të mëngjesit, për të na marrë ujë me gjym në një shpat mali përballë. Pasi kalonte me këmbë lumin Fan, i gjori bëhej akull, që në mëngjes, por atëherë bënim sakrifica me bindje atdhetare, siç ishte koha. Njëherë atje ku merrte ujë Ismaili disa herë gjatë 6 orëve të punës sonë rinore, u vra një diversant dhe u kapën të tjerë nga forcat e Sigurimit të Shtetit, por ai si dhe ne të tjerët, shpëtuam dhe mblidheshim në kampin e kantierit që në orën 18:00 pasdite.

Kur u botua në Francë libri “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Kadaresë?

Kur sapo kisha vajtur në Paris, në shkurt të vitit 1972, u botua romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, meritë e J. Malos si dhe e përkthyesit Isuf Vrioni, emrin e të cilit e lanë anonim me porosi nga lart, edhe pse na kërkohej nga miqtë dhe detyroheshim t’u flisnim kot dhe miqve francezë, siç e shpjegon J. Malo në kujtimet e veta. Mua më gëzoi ky fakt, jo vetëm si shqiptar dhe i njohur me Ismailin, por edhe si shkak i mirë për t’u takuar me intelektualët francezë, të cilëve do t’ua këshilloja ose do t’ua dhuroja librin në kuadrin e propagandimit të letrave shqipe. Ky ishte romani i parë i botuar atje. Së bashku me ambasadorin përgatitëm listën e miqve, të personaliteteve e të trupit diplomatik që do t’u dërgonim këtë roman, se nga shtëpia botuese “Albin Mishel”, Robert Sabatieja na dërgoi 200 kopje për t’i shpërndarë te miqtë e ambasadës dhe për t’i dërguar në Shqipëri. Pasi e shpërndamë librin, ndoqëm jehonën e tij në shtyp, ku u shkruan artikuj lavdërues në gazetat kryesore, duke pasur jehonë të gjerë. Ky sukses na nxiti për arritje të reja, pasi u krijuan rrethana të reja për njohjen e vendit tonë në Francë dhe nëpërmjet saj, në vende të tjera ku rrezatonte kultura franceze. Këtë roman ia dërgova edhe Moris Klavelit, që kishte marrë çmimin “Gonkur” (një çmim letrar ky i djathtë në Francë), shkrimtar që e takoja në pritjet dhe tregonte mirësjellje. Ai nuk m’u përgjigj direkt, por një mikut të tij i kishte thënë se i kishte pëlqyer romani i Kadaresë, vetëm se vështirë të konkurronte për atë çmim.

Iu futa më thellë njohjes së kushteve për botime në Francë. Mblodha e studiova shumë pamflete të shtëpive botuese franceze, shumica e të cilave ishin në lagjen latine të Parisit. Miq të ndryshëm më tregonin punonjës te botuesit për t’i njohur drejtpërsëdrejti. Këtë punë e bëja edhe me librarinë ngjitur me selinë tonë, ku huaja edhe libra për lexim. Miqtë që kishin bërë botime të librave të tyre qenë më konkret duke më thënë se kë duhej të takoja, ç’mund të përfitoja nga takimi me ta, cilat qenë kushtet e botimeve etj. Kështu u njoha më mirë me Robert Sabatien, drejtorin  letrar të “Albin Mishel”, zonjën Blavie po atje për botimin e romaneve të Kadaresë; Pier Siprio, zonjat Andre For dhe Fransuazë Kolaneri të grupit “Hashet”, “Fajar” dhe “Stok”; me Pier Ruso në shtëpinë botuese “Norman Betyn” etj. Ky bashkëpunim me shtëpitë botuese u forcua kur u dhanë për botim librat e reja të Kadaresë “Kështjella” dhe “Dimri i madh”. Atëherë unë luajta rolin e përkthyesit në takimet e Kadaresë, i cili e kuptonte, por ende nuk fliste vetë frëngjisht. Së bashku me të, ose me ambasadorin morëm pjesë në dreka e darka me botuesit. Kur Kadareja kthehej në Atdhe, unë ndiqja çështjet konkrete për botimet e tij.

Çfarë të ka bërë përshtypje në këtë kohë tek Kadareja?

Për çudi, Ismail Kadare nuk më tha asnjë fjalë mirënjohje për vendlindjen time, Kuçin, ku banorët i treguan subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pasi në Buronja të Kuçit ishte varri masiv i vrasjes së oficerëve italianë nga nazistët gjermanë në vitin 1943. Pier Siprion e njoha në gazetën “Le Monde”, por më mirë e njoha si drejtor në shtëpinë botuese “Hashet”, i cili qe një nga gjigandët e shtypit e të botimeve franceze, përfshi dy filialet e saja, “Fajar” e “Stok”, “Hasheti” kishte monopolin e shitjes së librit francez në botë dhe shpërndarjen e shtypit brenda e jashtë vendit. Në këtë shtëpi bleva fjalorë, larusë, libra shkollore për t’u thelluar në njohjen e gjuhës frënge etj. Siprio u bë një mik i vendit tonë në fushën e propagandës për Shqipërinë me botime, artikuj në shtyp, emisione radiotelevizive (sidomos në Radio Frans-Kulturë). Unë pata një bashkëpunim të ngushtë e të frytshëm me të. Më njohu edhe me gruan e vet, që mori pjesë edhe ajo në punën tonë. Me rastin e 30-vjetorit të çlirimit ai shkroi artikuj për historinë e Shqipërisë mbi bazën e materialeve tona, veç atyre nga miqtë prof. Dyselie dhe Pier Mazar, gazetar arti në gazetën “Lë Figaro”. Siprio më njohu me Pier Andrë, drejtor i programit të Radio Frans-Kulturë, me të cilin realizuam një emision për 30-vjetorin e çlirimit, një për ekspozitën e “Artit shqiptar në shekuj”, një për historinë e Shqipërisë, nga një orë secili, duke u dhënë materialet dhe duke u treguar miq të Shqipërisë në këto fusha për pjesëmarrje në emisione. Pasi P. Andrë doli në pension, e vijova bashkëpunimin me drejtorin e ri Zhegy dhe me gazetarët Budrie e Perar. Siprio më njohu edhe me shtëpinë  botuese “Flamarion” për të paraqitur librin e Dritëro Agollit. Unë diskutova me zotërinjtë Guigan dhe Sojotavin, pasi vepra u cilësua interesante, por për arsye të ndryshme nuk arritën ta përfundonin çështjen. Siprio më njohu me një nga bashkëpunëtorët e tij, Anë-Mari Brogus, të cilës i linte porosi për mua në mungesë të tij.

Zonja Andre For, përgjegjëse e të drejtave për të huaj në librarinë e njohur “Hashet” trajtonte marrëdhëniet me shkrimtarët e huaj, që botonin në këtë shtëpi botuese. U njoha me të në 1972, kur puna për botimin e librave të Kadaresë kishte filluar mirë dhe mbajta lidhje të pandërprera të shkëlqyera derisa u largova nga Franca. U miqësuam në rrugën e letërsisë edhe familjarisht në dreka e darka. Burri i saj Moris Fori kishte qenë ministri i Jashtëm i Francës që nënshkroi në Romë dokumentin e Tregut të Përbashkët Evropian. Me këtë zonjë të qeshur gojëmbël u trajtuan edhe botimet e librave të Kadaresë jashtë Francës, si “Kështjella” në Holandë në 1975.

Kurse zonja Fransuazë Kolaneri, shefe e shërbimit të shtypit në librarinë “Hashet”, qe një udhërrëfyese dhe një bashkëpunëtore e shkëlqyer në fushën e propagandimit të librave të Kadaresë dhe për takime me shkrimtarët francezë. Ajo ishte një pikaloshe bukuroshe, tejet e shkathët, e aftë se dinte t’i zgjidhte shpejt punët e vështira të shtypit. Më dha këshilla e adresa të sakta për të trokitur, ku gjeta vërtet qëndrime miqësore me botën e ndërlikuar të letrave, të mediave franceze të shkruara e pamore. Qe me origjinë italiane. Kjo,zonja For dhe zonja Marilenë Belanzhe e shtëpisë botuese “Fajar” bënin një ekip shumë të fortë si miq të Shqipërisë në grupin “Hashet Literaturë”.

Kur erdhi Kadareja në Paris për të qenë i pranishëm për botimet e tij?

Në qershor 1972, Ismail Kadare erdhi në Paris për botimet e tij. Në pjesën më të madhe të takimeve zyrtare të tij e shoqërova dhe, në më të rëndësishmet, J.Malo. Ai qëndroi në hotel “Dypleks” afër banimit tonë pranë Tur Eifelit. Në këtë kohë ai kuptonte mirë frëngjisht, por parapëlqente që takimet t’i bënte me përkthyes dhe vetëkuptohen arsyet. Në takimet e kësaj kohe, Ismailin e pëlqeja edhe për një gjë tjetër: ishte kudo shqiptar në takimet me të huajt, paraqitej me dinjitet e seriozitet, fliste qartë, shkurt, mbronte kombin tonë e virtytet shqiptare. Në çdo pritje, dreka e darka, ai nuk harronte kurrë se qe shqiptar, se të huajt kurdo, në radhë të parë, na shihnin e na gjykonin si shqiptarë, thuajse emrat e përveçëm nuk i përfillnin. Në përgjithësi, Ismaili ngriti lart cilësitë tona si shkrimtar e poet, i një stili befasues të realizmit socialist (po me ngjyrim perëndimor) për botën franceze e perëndimore. Mëdyshja e shkrimeve të Kadaresë, në raport me lexuesit, që jo kushdo e kupton atë në të njëjtën mënyrë, i pëlqeu botëkuptimit letrar perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë. Miqtë i bënin atij shumë pyetje kurth, por Ismaili shpëtonte me lehtësi, pa çka se, në tërësi, nuk qe bindës për atë botë intelektuale. Francezët kuptonin metodën e Kadaresë në shkrimet me nënkuptimet e tyre, që gati, çdo lexuesi, i shkon për shtat. Këtë dyzim e kuptuan mjaft lexues në Shqipëri dhe e kritikonin, kurse ata në perëndim e donin dhe e kuptonin si një shkrirje akulli në realizmin socialist.

Çfarë ju ka bërë përshtypje nga romanet e Kadaresë dhe reagimet e Enverit për romanet e tij?

Mua, personalisht, më çudiste fakti si e pranoi Enver Hoxha “Dimrin e Madh” kur ai paraqitej kolos me këmbë argjili, se s’kishte personazhe të tjerë pozitivë dhe real-socialistë. Shkurt, Enveri në atë roman dukej, për mua, i ngulur në shkretëtirë dhe Kadareja finok ia jepte këtë sinjal perëndimit. Unë s’mund t’i shprehja hapur këto mendime, veç J.Malos herë-herë, por bëja çmos të botoheshin në perëndim qoftë veprat e Ismailit, qoftë të njerëzve të tjerë të letërsisë, të artit e të kulturës, të sportit, të folklorit etj., se vërtet si komb kishim se ç’t’i tregonim botës. Kjo qe arsyeja që mbroja edhe Ismailin, i cili qe i vështirë në shoqëri, si me burra edhe me gra. Edhe kur u takuam në Paris kësaj here, megjithëse njihesha me të, siç tregova më lart, që në gjimnaz, prapë Ismaili qëndronte ftohtë në fillim, rrinte shumë i heshtur dhe kuptoja se kishte frikë të qe më i lirshëm në biseda. Unë i vura dy arsye qëndrimit të tij: njerëzit që kishin punuar në organet e MPB-së, ai i quante spiunë, kishte alergji dhe ndjenjën e persekutimit prej tyre. I quante edhe pakulturë, siç thuhej atëherë “vetëm polic e aq”. Së dyti, në tërësi, të tjerët Ismaili i quante pa kulturë të lartë dhe si rrjedhojë s’ia vlente të miqësohej, mjaftonte për të që t’i bënin punën që i interesonte. Për ta zbutur që të njihte Parisin ditën e natën, madje edhe duke lënë ndonjë punën time, që mund ta bëja më vonë, pas darke e ftoja në shtëpi, ku shihnim filma kur s’dilnim shëtitje vetëm ne të dy, ose të tre me gruan time. Gruaja na bënte ndonjë ëmbëlsirë të lehtë, ose petulla në dërrasë (siç i themi ne në Kuç), ndryshe palaçinka me reçel frutash, herë-herë petulla me gjalpë a vaj etj. Herën e parë, ai hëngri si mik i turpshëm. Njëherë tjetër i pëlqyen petullat, i hëngri në fillim me përtesë, pastaj me kënaqësi, siç duket se qenë  petulla shqiptare. Filloi të mos sillej si mik i turpshëm. Unë përpiqesha të bëja biseda kulturore më shumë se politike me të, t’i flisja për miq të kulturës franceze, për projekt ide për të bërë të njohur kulturën shqiptare atje dhe që Ismaili të na ndihmonte më shumë me mbështetje në udhëheqje në Tiranë.

Po Ismaili çfarë vuri re tek ty, pas kaq afrimiteti?

Ai vuri re se unë trajtohesha me ngrohtësi nga miqtë francezë që takonim për librat e tij, si burra dhe gra, gjë që e ngrohën dhe i forcoi besimin tek unë. Më 21 qershor 1972, ai u ftua për drekë nga botuesi, së bashku me ambasadorin dhe me mua. Atje qenë ftuar shumë miq. Javeri dhe unë i kishim të njohur të gjithë pjesëtarët e tavolinës dhe flisnim lirisht me ta. Unë bëja edhe përkthimin për Ismailin dhe mezi po i mbaroja gjellët e shijshme që na vinin përpara. Dreka kaloi mirë dhe ai mbeti i kënaqur si dhe pjesëmarrësit në tërësi, që bënë shumë pyetje dhe ai u përgjigj mirë. Nuk harroj kurrë një vëzhgim të Ismailit në këtë drekë. Kur ne e kishim mendjen te punët e rastit e në të ardhmen, ai kishte vënë re (si shpirt poeti e shkrimtari) se gjatë bisedës më pëshpëriti: “Shiko të gjitha gratë e ftuara këtu janë pikaloshe, siç duket kështu i pëlqejnë drejtorit të kësaj shtëpie botuese”. Unë mezi mbajta të qeshurit dhe vura pecetën në gojë që të mos dilte zëri fort, kurse Ismaili picërroi sytë e u ngërdhesh me djallëzi cinike dhe me kënaqësi njëkohësisht për këtë zbulim. Me këtë histori qeshën jo pak, edhe të tjerët më vonë kur ua tregova.

Një ditë kishte telefonuar në ambasadë një mik i Ismailit, që e ftonte për darkë dhe sekretari i tretë, Haxhi Taga, që iu përgjigj kishte mbajtur shënim ditën e orën. Kur Ismaili shkoi atje, miqtë i gjeti me pizhame. Qeshën me këtë shaka pa dashje, keqkuptimin gjuhësor, pinë një uiski dhe i thanë datën e saktë të darkës. Kaq iu desh Ismailit të tallej me ne diplomatët e selisë por ia donte puna, të bënte edhe dallime mes nesh. Hajde të duroje thumbat e tij e ngërdheshjet ironike.

 

EPISODI

 “S’la dyqan pa shëtitur në Paris, që t’i blinte Helenës një pardesy”

 “Para se të kthehej në atdhe, ai s’la dyqan pa parë për t’i blerë Helenës një pardesy dhe unë i gjori e çoja kudo, sa u bëra  telef, por Ismaili qe i papërtuar ta arrinte qëllimin: Të qe e bukur e të kushtonte sa jepte Ismaili. Më në fund, pas një jave e gjetëm fare afër banesës sonë, një copë gri të bukur me refleks. Të tjerat i bleu me më pak vështirësi. Gjatë kësaj kohe, m’u ankua se padrejtësisht shteti i mbante paratë që ia jepnin me vështirësi nga banka e Tiranës. Ai kishte të drejtë, por ashtu qenë ligjet e kohës dhe paratë nuk ia hante kush. Unë e tërbova fare: “Mos u qaj, se ti merr, të paktën, 100 fish nga ne që hamë kocka e mushkëri, që s’i hanë këtu, mos u qaj se të del të na qerasësh edhe ne”. Po pse, na dha një kafe? Nuk bëri vaki as në Shqipëri. Na qerasën në shtëpi, kur i kam vajtur një herë me gruan vizitë, ku gjetëm edhe Helenën, që është mikpritëse, se Ismaili do na kishte lënë pa gjë, tipik, siç thuhet për gjirokastritët e tillë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: