Hahn: Nuk ka rrugë të shkurtër drejt BE, i gjithë procesi bazohet në merita

Hahn: Nuk ka rrugë të shkurtër drejt BE, i gjithë procesi bazohet në merita
Komisioneri për Zgjerim, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kuptojnë se reformat janë thelbësore

Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kuptojnë se nuk ka rrugë të shkurtër drejt BE-së dhe se i gjithë procesi bazohet në merita dhe arritje.

Shumë nga tensionet në Ballkanin Perëndimor mund të tejkalohen po të bëhen të gjitha vendet e rajonit anëtare të BE, tha Komisoneri i Zgjerimit të BE, Johannes Hahn, i cili është prej 1 nëntorit 2014 Komisar i BE për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe për negociatat e zgjerimit.

Z. Hahn, tha dje në një intervistë me DW, se viti 2025 është i mundshëm për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që i është hapur rruga për negociatat e anëtarësimit. “Në nivelin politik kjo tingëllon shumë e largët - e tillë edhe duket. Kjo do të thoshte që deri në vitin 2023 të jenë mbyllur negociatat. Në parim është e bëshme, por është një objektiv shumë ambicioz”, - tha z.Hahn.

Duke u ndalur në arritjet e vendeve aspirante, z.Hahn veçoi: “Ka përparime në fushën e sundimit të ligjit, në luftë kundër korrupsionit, në zhvillimin ekonomik”.

Hahn apeloi që suksesi të jetë i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm dhe jo arritje në sektorë të caktuar. “Prandaj preferoj të flas për një proces dhe jo për negociata: nuk është fjala që të mbarojmë pika të ndryshme dhe të themi: kemi miratuar këtë ose atë ligj. E rëndësishme është që në fund të fundit ato t'i zbatojmë. Dhe këtu ne dëshirojmë të shohim më shumë përparime në luftën kundër korrupsionit, si dhe një drejtësi më të fortë, më të pavarur dhe më transparente”. Këtu z.Hahn veçoi vendin tonë: “Një shembull është Shqipëria, atje miratuan një reformë shumë të gjerë të drejtësisë dhe tani janë në fazën e zbatimit”.

Duke u ndalur në negociatat e Shkupit me Athinën për çështjen e emrit, z.Hahn u shpreh  optimist se në javët e ardhshme do të ketë një dakordim. “Mendoj se të dyja shtetet kanë arritur një etapë të re në marrëdhëniet e tyre”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: