Gjon Mili, fotografi shqiptar që mahniti botën me fotot e tij

Gjon Mili, fotografi shqiptar që mahniti botën me fotot e tij
INTERVISTA/ Flet piktori Qemal Agaj: “Nuk ka botim për lidhjen e fotografisë me muzikën e xhazit, sidomos ato të viteve 1938-1945, ku të mos përmendet Gjon Mili. Por sesionet që kanë tërhequr më shumë, janë ato me Pikason”

“Gjon Mili njihet si artist i veçantë, sidomos për aftësinë e tij, në përdorimin e teknikave të reja në fotografi. Ai është me të vërtetë i shquar në përdorimin e dritës stroboskopike, në fotografimin e sporteve, muzikantëve dhe në mënyrë të veçantë në “Dance Photography”. Kështu vijon rrëfimin e tij të posaçëm për “Albanian Free Press”, piktori Qemal Agaj, duke folur mbi artin e forografit Gjon Mili. Duke dhënë edhe detajin se një nga personalitetet e artit botëror, më i fotografuari dhe që ka lënë gjurmë në jetën e Milit, ka qenë kompozitori dhe violonçelisti i shquar spanjoll, Pablo Kazals...

(Vijon nga numri i kaluar)

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Fadil Shehu

Sipas jush, cili personalitet në fushën e artit, mbetet më i preferuar për fotografin Gjon Mili?

Nga personalitetet e artit botëror, më i fotografuari dhe që ka lënë gjurmë në jetën e Milit, ka qenë kompozitori dhe violonçelisti i shquar spanjoll, Pablo Kazals. Njohja e Milit me të është me të vërtetë e veçantë. Ishte akoma student kur dëgjoi për herë të parë një koncert të Bahut, luajtur nga Kazals. Mili kujton: “Unë u mbërtheva në inçizimet e tij dhe i dëgjoja ato me orë të tëra. Preva fotografinë nga gazeta dhe e vara në mur. Unë e kam akoma atë. Për mua, ai është një mrekulli”. Nën influencën e muzikës së tij, Mili abandonoi oboen dhe filloi të ushtrohej në piano. Revista LIFE” e datës 11 nëntor 1966, në një botim special kushtuar Kazals, do të shkruante: “Shumë njerëz,në shumë vende, janë paraqitur para kameras të Milit, por asnjëri nuk ka lënë përshtypje aq të thellë sa violonçelisti i shquar Pablo Kazals”. Mili e takoi për herë të parë Kazals, në vitin 1949. Prej atëherë, deri në vdekjen e muzikantit në vitin 1973, ai e ndoqi atë kudo në festivalet e Prade-s në Francë, në Greqi dhe së fundi në San Huan,  Porto Riko, ku Kazals kaloi vitet e fundit të jetës.

Në një nga botimet e gazetës “Dielli” kam lexuar një shkrim tuajin, ku bëhet fjalë për një ekspozitë fotografike. Çfarë të veçantë ka ky album për Milin?

“The Family of Man” është albumi me fotografi nga ekspozita më e madhe e hapur deri atëherë në botë, në vitin 1955, në Muzeumin e Artit Modernorganizuar nga Eduard Steichen, shef i departamentit të fotografisë në këtë muzeum. Prezantimi i Milit këtu është mjaft dinjitoz. Në 503 imazhe, nga 68 vende të botës, ku përfshihet puna e 273 fotografëve, Mili renditet i treti, me pesë fotografi, nga të cilat tre prej tyre janë me teknikën e fotografisë stroboskopike. E veçanta qëndron në faktin se fotot e kësaj ekspozite janë tashmë të ekspozuara permanente në muzeumin “Clearvau Castle” në Luksemburg, në vendlindjen e autorit, duke u vizituar me shumë interes në çdo kohë.

Po shikoj disa revista “LIFE’’. A është brenda tyre, sërish Mili?

Kur nisa të interesohesha për Milin, e ndjeva si domosdoshmëri të dija se çfarë ishte shkruar dhe botuar brenda faqeve të kësaj reviste, me të cilën Mili bashkëpunoi për gati dyzet vjet. Në komentet dhe artikujt e kësaj reviste jam bazuar në shumë shkrime për Milin.

Është e vërtetë që në një libër, Mili flet për artin e tij?

“Photography within the Humanities” është libër ku ai flet për veten. Është fjala e tij përpara studentëve të Universitetit Uellesley College” në Masaçusets, në prill të vitit 1975. Unë e kam përkthyer të plotë këtë bisedë në “Dielli”, korrik 2017. Ndërsa libri “The Magic of the Opera”është një botim i “Metropolitan Opera House” në Nju Jork. Në kopertinë shkruhet: “Një kujtim i Metroplitan, me një seri fotografish të kohës nga fotografi Gjon Mili’’. Dhe më poshtë vazhdon: “Në 72 foto të mrekullueshme, nga  fotografi shquar Gjon Mili, bota magjike e Operas në Amerikë është sjellë në jetë me fuqi dhe bukuri”.

Cili prej subjekteve mbetet  më i preferuari për ju?

Mili njihet si artist i veçantë, sidomos për aftësinë e tij, në përdorimin e teknikave të reja në fotografi. Ai është me të vërtetë i shquar në përdorimin e dritës stroboskopike, në fotografimin e sporteve, muzikantëve dhe në mënyrë të veçantë në “Dance Photography”. Kontributi i tij në fotografimin e muzikantëve të xhazit është i pamohueshëm. Nuk ka botim për lidhjen e fotografisë me muzikën e xhazit, sidomos ato të viteve 1938-1945, ku të mos përmendet Mili. Por sesionet që më kanë tërhequr më shumë, që unë i kam kushtuar tre botime në gazetën“Dielli”, janë ato me Pikason. Cikli i fotografive “Pikaso duke vizatuar me dritë”, janë nga më të vlerësuarat që i janë bërë atij. Fotografia që më ka tërhequr më shumë është imazhi ku Pikaso, vizaton me dritë një figurë, e cila nga vetë Mili, botime serioze,artikuj galerish dhe shkrime në shqip, është quajtur Centaur.

Po sipas mendimit tuaj, çfarë është figura e vizatuar nga Pikaso?

Mendoj se figura e vizatuar është “Demi spanjoll”.

Në Shqipëri ka 15 vjet që shkruhet për Milin. A keni qenë i lidhur më këto shkrime?

Mund të them se po, por nuk mund të them sa shkrime kam lexuar. Ekspozita me fotografi të Milit, nga Roland Tasho, në vitin 2005, pa dyshim meriton të lavdërohet. Për herë të parë në Shqipëri, artdashësve po u prezantohej një ekspozitë e tillë, e cila u shoqërua me komente, diskutime dhe intervista. Midis tyre pati informacione të reja, por dhe konstatime të gabuara. Ju kujtoj se Mili akoma nuk është përkthyer në shqip. Dua të përmend këtu shkrimet nga Qerim Vrioni, ku pasioni i tij për artin, kultura dhe aftësia për të shkruar, i bëjnë ato interesante. Po ashtu, do të veçoja një shkrim nga Besim Fusha, që ka lidhje me një ekspozitë të Milit në 1971, në Paris. Është po ai vit që ai vizitoi familjen e tij për herë të parë në Bukuresht, ku hapi dhe ekspozitë. Unë e kam prezantuar këtë në Dielli, Shkurt, 2017. Mendoj ta përshkruaj më gjerë në një shkrim të veçantë mbi ekspozitat e Milit. Një tjetër ngjarje, është dokumentari ‘’Dritë”, realizuar nga kineastët Y.Gjollesha dhe S. Bako, në vitin 2015. Ky është dokumentari i parë kushtuar Gjon Milit dhe kjo ka bukurinë e saj. Ai është një artist shumëplanësh. Unë nuk e kam parë dokumentarin dhe nuk e di në ç’këndvështrim e kanë kapur. Por dhe kineastët nuk kanë shpëtuar dot nga konstatime të gabuara. Ajo që më ka tërhequr më shumë vëmendjen, është një koment i Y. Gjollesha-s, në “Gazeta Shqip Online’’, 23 Janar, 2016 me titull: “Dy vjet në kërkim të jetës së Gjon Milit, kjo kineaste, e paraqet artistin ndryshe’’…Nisur nga ideja për të fotografuar objekte në lëvizje, vendosa të eksperimentoja një teknikë të re si “Light Painting”. Për këtë vendosa të takoj Pikason”. Mendoj se do të ishte  bindëse n.q.s kineastja do të thoshte nga e ka marrë këtë thënie të Milit. Dhe më poshtë vazhdon: “Ndihem me fat që po punoj për figurën e Gjon Milit dhe mendoj se më shumë se një femër, atë nuk mund të arrinte ta zbërthente askush. Vetëm një femër mund ta kuptojë delikatesën e tij. Duket qartë që edhe frymëzimi për të kanë qenë femrat”. Vallë kanë po atë mendim, ata me të cilët kineastja është konsultuar? Në artikull kineastja shton: “Ndërsa në fushën e fotografisë, ai cilësohet si shpikësi fotografisë stroboskopike”. Mendoj se ky është një konstatim i gabuar. Mili nuk është shpikësi i fotografisë stroboskopike. Mili njihet si fotografi më i shquar në përdorimin e kësaj teknike, sidomos në Dance Photography”.

Mendoni se një ditë, këto shkrime do i përmblidhni në një libër të veçantë?

Jam akoma në punë e sipër për plotësimin e materialit me gjetje dhe komente të reja. Vëmendja ime është përqendruar në saktësinë e fakteve. Ndoshta një ditë do të jem gati.

Po shikoj këtu në një kornizë një dekoratë. Ç’është kjo? Si ta kuptoj?

Oh! Është histori e gjatë. Dhjetë vjet më parë, në tetor 2007, kur ishim me pushime në CocoaBeach, Florida, kam shpëtuar nga mbytja, një grua në një det me dallgë. Mësova që e shpëtuara ishte Maureen Jenings, 68 vjeçe, shkrimtare e shquar për romane dhe skenare filmash me subjekte dedektivësh nga Kanadaja. Ngjarja bëri bujë. Gazetat në Kanada e komentuan gjatë. Kjo medalje dhe certifikata që ju po shikoni, u jepen atyre njerëzve, të cilët rrezikojnë jetën e tyre, për të shpëtuar të tjerët. Ky është libri i nderit. Shkrimtarja në shenjë mirënjohje, më dërgoi libra të saj, shoqëruar  me autografe falënderimi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: