FORUM I “ALBANIAN FREE PRESS”/ Kur do të hyjmë në Europë?

Publicitet
Publicitet
FORUM I “ALBANIAN FREE PRESS”/ Kur do të hyjmë në Europë?
FORUM/ Pas rekomandimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, flasin deputetët Përparim Spahiu, Ismet Beqiraj, Dhurata Çupi dhe Fadil Nasufi. Çfarë ndryshon tashmë në Shqipëri me çeljen e negociatave? Kur mendojnë ata se do jemi realisht pjesë e BE-së, në cilin vit?

Komisioni Evropian i rekomandoi dy ditë më parë Shqipërisë hapjen e negociatave për anëtarësim. Vetë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, e pranishme dje në Tiranë, e përshëndeti një vendim të tillë të Brukselit zyrtar, publikisht gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Sipas saj, ky vendim ishte rezultat i reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke hapur kështu dritën jeshile për të vijuar rrugëtimin e mëtejshëm drejt BE-së. Por si e komentojnë një vendim të tillë që mbërriti nga Brukseli zyrtar, deputetë të kaheve të ndryshme të politikës në Shqipëri? Flasin posaçërisht rreth kësaj çështjeje për “Albanian Free Press”, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu; ajo e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, si edhe deputetët e Partisë Socialiste, Ismet Beqiraj dhe Fadil Nasufi....

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

ISMET BEQIRAJ, Deputet i PS:

Hapja e negociatave, tani fillon epoka e ndryshimeve të mëdha”

“Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave ishte një provim i vështirë pranveror, që Shqipëria e kaloi me sukses. Kemi edhe një provim për përmirësim note para diplomimit në pranverë. Tani fillon epoka e ndryshimeve të mëdha si komb, në mentalitet, civilizim, respektim të jetës, punës, lirisë që të jep demo-kracia, pronës, ligjit dhe institucioneve të shtetit. Vendi ynë i mrekullueshëm, trashëgimi nga të parët si borxh për brezat që do të vijnë do përjetojë transformime që në ëndrrat e tyre rilindasit na lanë. Kur prezantohem me studentët në fillimviti i këshilloj: “të gjithë një ditë do i përfundoni studimet, por për 5, 6 apo 7 dhe më shumë vjet, kjo është në dorën tuaj”. Edhe për këtë rast, këshilla mbetet e vlefshme. Gjithçka është në dorën tonë. Ky fillimshekulli është i shqiptarëve, s’kemi më kohë për të humbur”.

 

FADIL NASUFI Deputet i PS:

Optimizmi dhe shpresa, tani kanë marrë shkëlqim dhe dritë

“Data 17 prill 2018 do të celebrohet si një ditë historike dhe çdo shqiptar duhet të ndihet krenar për lajmin e çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Është plotësim i ëndrrës dhe aspiratës shekullore te shqiptarëve që për këtë të drejtë të mohuar po prej shekujsh kanë luftuar e sakrifikuar si askush në rrjedhën e shekujve për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane. Optimizmi dhe shpresa kanë marrë shkëlqim dhe dritë, pas një pritshmërie kaq të gjatë dhe sot meritojnë të gjithë urime, të gjithë shqiptarët pa dallime politike. Është një fitore e shqiptarëve dhe e Shqipërisë, e askush nuk ka të drejtë ta politizojë dhe ta monopolizojë. Çelja e negociatave për në BE rrit besimin, shpresën dhe optimizmin për të gjithë se nuk plotësohet thjesht një aspiratë sa e hershme dhe bashkëkohore, por kërkohen të arrihen standartet europiane për të qenë me status të barabartë me vendet e përparuara të Evropës. Si pjesë e BE-së, tashmë rrezohen tabutë e të qenit të përjashtuar, si vend inferior dhe me qeverisje autokratike e despotike siç ka ndodhur edhe në të kaluarën e afërt, por jemi nën peshën, modelin, monitorimin dhe standardin europian të BE-së. Përgjegjësia e politikës dhe e gjithë shoqërisë shqiptare fokusohet në ligjzbatim, në punëbërje, në progres të gjithanshëm, në aplikimin e modeleve më të arrira që kanëvendet e BE-së, duke lënë pas gjithë trashëgiminë negative të sjelljes dhe veprimit alla-shqiptarçe që ka dominuar tradicionalisht politikën tonë duke mbajtur peng politikat integruese dhe fatet e Shqipërisë. Ne do të jemi anëtarë me të drejta të plota në BE, kur ta meritojmë nga vetja jonë si shqiptarë dhe nga përgjegjshmëria e politikanëve tanë. Sa me shpejt ta pastrojmë Shqipërinë nga politika shterpë dhe klanore, nga mjedisi i ndotur, nga administrata e paaftë dhe nga korrupsioni, trafiqet, krimi dhe çdo negativitet, aq me shpejt bëhemi anëtare të BE-së”.

 

DHURATA ÇUPI, Deputete e PD:

Shqipërisë i duhet ende shumë punë për në BE”

“Këto ditë vazhdoj të jem në një vizite zyrtare nga Kuvendi, ku jam përfaqësuese e Partisë Demokratike në këtë delegacion. Një nga takimet ishte edhe me kryetarin e Komisionit Europian të parlamentit çek. Natyrisht, një nga kërkesat ishte mbështetje për Shqipërinë . Vendi ynë përfiton shumë nga bërja pjesë e Bashkimit Europian. Por besoj se Shqipërisë i duhet shumë punë. I duhet një shtet ligjor. I duhet një qeveri e pakorruptuar. Një shtet që të ketë besimin e shumicës së shqiptarëve . Dhe me këtë qeveri, më duket e pamundur të kemi rezultate pozitive”.

 

PËRPARIM SPAHIU Deputet i LSI:

Jemi ende shumë larg Europës, përfitimet jo sot

“Pas rekomandimit të KE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë shikoj një lloj entuziazmi kudo në Shqipëri që besoj se duhet të përshëndetet. Për mendimin tim, sa më afër Europës, sa më pranë saj, besoj se Shqipëria do të ketë përfitime në një të ardhme, por jo sot. Aktualisht, ne jemi shumë larg saj dhe nuk jemi pjesë e saj. Presim qershorin të shohim si do rrjedhën ngjarjet dhe a do të çelen vërtet negociatat. Nga ana tjetër, unë vetëm në një gjë e shoh pozitive, hapjen e negociatave, pasi pas këtij momenti qeveria shqiptare do të jetë nën një skanim, apo monitorim të plotë dhe të detajuar. Pas këtij momenti, detyrat do jenë të qarta dhe nuk do të neglizhohen. Pas qershorit, nis çelja e negociatave, qeveria do të marrë notat sipas punës për luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër drogës, luftën për zbatimin me rigorozitet të reformës në drejtësi që ajo të mos jetë e kapur dhe mbi të gjitha, luftën kundër korrupsionit që është i madh. Pra, këto janë detyra shumë të vështira duke marrë parasysh problemet e sotme në qeverisje. Të jemi korrektë, jam shumë skeptik për pranimin në BE. Kjo edhe për arsyen se dalja e Britanisë së Madhe la një boshllëk të madh. Nga ana tjetër, ne si shtet kemi probleme të mëdha ekonomike dhe me çeljen e negociatave nga ana ekonomike populli shqiptar nuk fiton asgjë. Për mua, futja në BE si pjesë e familjes së madhe europiane do te jetë shumë e largët. Le të mos festojmë me madhështi, por me modesti, pasi çelja e negociatave ka më shumë detyra, përgjegjësi, kushte se sa privilegje. Jemi në momente kur varfëria është e madhe dhe infrastruktura e vendit është shumë larg standardeve të BE. E thënë thjesht BE do të thotë standarde dhe punë dhe jo privilegje dhe gjumë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: