FMN: PPP-të me rrezik, Shqipëria po i aplikon shumë

Publicitet
FMN: PPP-të me rrezik, Shqipëria po i aplikon shumë
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron sërish për koncesionet e llojit të Partneritetit Publik Privat

Format koncesionare të Partneritetit Publik Privat (PPP) mund të ofrojnë përfitime pozitive vetëm nëse janë të mirëplanifikuara dhe të menaxhuara siç duhet. Në të kundërt, ato paraqesin rreziqe për ekonominë e një vendi. Ky është një paralajmërim i ri që Fondi Monetar Ndërkombëtar jep në lidhje me koncesionet e njohura si PPP, të cilat kanë filluar të aplikohen dendur nga qeveria shqiptare. Në një studim të posaçëm, dedikuar atyre, institucioni i njohur ndërkombëtar vë në dukje faktin se në Shqipëri, PPP-të janë më të aplikuara se në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Duke dhënë kështu alarmin për kujdesin që autoritetet shtetërore duhet të tregojnë ndaj tyre.

Sipas FMN-së, në vendin tonë kontratat e Partneritetit Publik-Privat (PPP) zënë rreth 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kurse  në vendet e tjera të rajonit, kjo peshë është shumë më e ulët. Mjafton të kujtojmë këtu se pas Shqipërisë renditet Maqedonia, e cila i aplikon PPP-të deri në nivelin prej 5%. Sikundër, ka edhe vende të tjera në rajonin tonë, të tilla si Kosova për shembull, që këto lloj koncesionesh nuk i aplikon fare.

“Investimet përmes PPP-ve, megjithatë, përfshijnë rreziqe fiskale në të gjitha fazat e projektit, duke përfshirë përgatitjen e buxhetit, prokurimin, financimin dhe menaxhimin e kontratave të bazuara në performancë. Ato mund të gjenerojnë një numër të madh llogarish jashtë bilanceve dhe reduktojnë transparencën. Kjo është sidomos e dukshme në kontratat e investimeve publike”, vënë në dukje mes të tjerash, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Për t’i risjellë në vëmendje edhe njëherë qeverisë shqiptare në këtë mënyrë, kujdesin që duhet të tregojë me këto formqa koncesionare, ndërsa këtë vit ajo ka nisur të vërë në zbatim shumë prej tyre, përmes programit “1 Miliard”.

8%

E Prodhimit të Brendshëm Bruto është sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, niveli aktual i PPP-ve në Shqipëri, më i larti ky në Ballkanin Perëndimor, pasuar nga Maqedonia, që këtë tregues e ka vetëm 5% të PBB-së

APELI

“Është e rëndësishme që qeveritë të marrin drejtimin e duhur në planifikimin dhe menaxhimin e PPP-ve. Ato duhet të sigurohen që përfitimet e mundshme prej tyre të realizohen, duke e menaxhuar siç duhet kostot, por edhe rreziqet që ato mbartin”

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: