Florinda Mazreku: Në Teatrin e Kukullave që 18 vjeçe, skena u bë familja ime

Publicitet
Florinda Mazreku: Në Teatrin e Kukullave që 18 vjeçe, skena u bë familja ime
Jo shumë nga publiku e dinë, por “Mjeshtrja e Madhe”, Forinda Mazeku, me mbi 300 personazhe të interpretuara, ka filluar të aktrojë që në moshën 15- vjeçare dhe vjen nga duart dhe puna e të madhit Sandër Prosi. Sot aktorja e mirënjohur e Teatrit të Kukullave, e cila mban rekordin e aktivitetit prej 41 vitesh, e ka peng që nuk u pranua fakti se ajo, edhe pas mbushjes së moshës për pension, të vazhdonte të jepte kontribut në teatrin ku u rrit, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Me lot në sy, teksa kujton karrierën, rolet, mjeshtrit e mëdhenj që e mëkuan me dashurinë për punën, Florinda Mazreku, “kacamisri”, “miushi”, “vajza e ujërave”, “oktapodi” e mjaft personazhe të tjera të dashura për ne, rrëfehet si rrallë herë, për jetën e saj, rininë, familjen, pasionin për profesionin që, larg teatrit, e vazhdon edhe sot.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Jeni e vetmja aktore që ka interpretuar 41 vjet, pa ndërprerje, në teatrin e Kukullave. Sa emocione keni sot, për këtë karrierë?

Edhe tani e dashur, që bisedoj me ty, ti e sheh, më dridhet zëri! Teatri i Kukullave mbetet i çmuar me vlerë sa familja ime, sepse për shumë e shumë vite, ka qenë si familje për mua! Nuk e harroj emocionin, por edhe trishtimin që kam ndjerë kur u festua 65-vjetori i ngritjes së këtij teatri. Unë isha në sallë e jo në skenë, edhe pse kam qenë nga protagonistet kryesore me pjesët e mia. Ishte hera e parë që ndodhte e kjo jo nga vullneti apo dëshira ime. Sepse unë duhet të isha në skenë e të përfaqësohesha me rol, e jo në sallë, pavarësisht nderimit! Kisha dhe kam ende aq shumë për t’i dhënë atij teatri, nga përvoja ime, por nga drejtoresha e asaj kohe, kjo mundësi nuk m’u dha. Madje, kisha rreth një vit e gjysmë që nuk më jepej asnjë rol! Nuk e kuptoj, përse këtu tek ne, nuk vlerësohet sa duhet përvoja e atyre që kanë punuar gjatë në një fushë. Ndërkohë që edhe sot, me aq sa mundem, unë vrapoj të takoj aktorët e dikurshëm të Teatrit të Kukullave, xhaxhi Zijanë, teta Lirinë; shkoj të takoj aktoren e madhe Margarita Xhepa, sepse Xhavit Xhepa, bashkëshorti i saj, ishte njeriu kryesor që më ka mësuar, si fëmijën e vet. Ishin ata që më bënë mua, atë çka jam sot e, pasi kanë kaluar vitet e janë harruar krejtësisht, unë nuk i harroj kurrë! U jam mirënjohëse, tërë jetën time! Mendoj se edhe sot aktorët me përvojë duhen thirrur! Çdo drejtues institucioni ka nevojë për përvojën e tyre të madhe!

Kjo përvojë është edhe më e vyer, sepse teatri i kukullave është mjaft i veçantë...

Po, është mjaft i veçantë, sepse mund të jesh aktor që ke mbaruar për aktrim shkollën e lartë, por mund të mos jesh në gjendje të interpretosh me kukullën. Duhet që aktori interpretimin me emocion, t’ia transmetojë kukullës e kukulla t’ia transmetojë publikut, fëmijëve. Më ka ndodhur të eci në rrugë, një fëmijë i vogël ka filluar të qajë e unë, aty për aty, kam improvizuar diçka që të pushojë, të qetësohet. Edhe një fije bari, mund të kthehet në personazh që fëmija ta vlerëson!

Ju keni shkuar pranë Teatrit të Kukullave, tepër e re. Si arritët deri aty?

Isha mjaft e vogël. Në vitin 1971, u hap një studio në Teatrin Popullor. Në ato vite i jepej shumë rëndësi anës artistike, gjetjes së talenteve të reja nga klasa punëtore ose nga shkollat. Qysh e vogël, në shkollën tetëvjeçare, merresha me aktivitete, këndoja dhe recitoja, bëja balet, madje shkoja edhe në cirk për të mësuar. Isha një fëmijë mjaft aktiv. Madje edhe në lagje e dinin dhe e pëlqenin këtë anë timen, gocën e tyre që, teksa kalonte, ose këndonte ose kërcente. Sot mbyllen fëmijët nëpër lodra e lokale, por ne fatmirësisht, edhe pse të varfër, kemi pasur hapësira të tjera ku argëtoheshim. Kujtoj që kam qenë 15-vjeçare kur dhashë konkurs për të hyrë në studion e teatrit. Isha e vogël, nuk e dija rëndësinë e aktorëve të mëdhenj, përpara të cilëve u paraqita. Ishte Kadri Roshi, Sandër Prosi, Sheri Mita, Prokop Mima e të tjerë korifenj të teatrit. Të madhin Sandër Prosi do ta kujtoj edhe para se të mbyll sytë, sepse i detyrohem shumë! Ne që vinim nga shkolla tetëvjeçare, dukeshim tepër të vegjël përpara atyre që vinin nga klasa punëtore. Na thërrisnin bebe, por edhe na admironin, sepse ishim të vegjël, por kishim guxim dhe talent. E quaj veten me fat, sepse edhe studentët e arteve, rrallë kishin fatin të takonin apo të punonin me aktorë të këtij kalibri, ndërsa ne bënim leksione me ta, të njëjta si në shkollën e aktrimit. Të merrje përvojë prej tyre, ishte një pasuri që nuk ta merr dot kush e që të vlen gjithë jetën. Ne na ndanë në tre grupe dhe unë pata fatin të isha në grupin e Sandër Prosit dhe Sheri Mitës. Së bashku vumë pjesën, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, ku pata rolin kryesor dhe partnerë kisha të madhin, Roland Trebicka dhe Sokol Angjelin. Ishte shfaqja e parë që dola në skenë e unë hapja shfaqjen, ulur në një shezlong, me flokët me bukle mbi supe, me pak grim. Ishte një magji teatri dhe roli ishte i përshtatshëm për mua. Me emocione të shumta kujtoj edhe kur i madhi Mihallaq Luarasi më kërkoi të luaja në një pjesë të tijën, rolin e një prej motrave të Orfeut. Të gjithë më shikonin me admirim dhe zili që, një mjeshtër si Mihallaq Luarasi më dha nderin të punoja me të. Pra, pata fatin ta nisja shumë e re, me më të mirët dhe me pjesë madhështore dhe skenografi gjigante! Pjesa e tretë që do më mbetet e pashlyer në kujtesë, ishte “Prefekti”! Ishte një mrekulli, të interpretoje me aktorët më të mëdhenj! Kujtoj se sa shumë të menduar e kisha personazhin.

Isha e vogël dhe pritej nga unë të vazhdoja studimet e larta për aktrim. Por ne ishim pesë fëmijë, familje e varfër si të gjithë atëherë, dhe më desh të sakrifikoja dhe të punoja, ndaj më caktuan menjëherë në Teatrin e Kukullave. Isha 18 vjeç, por ditën e parë në teatër, nuk do ta harroj kurrë! Më pritën aq ngrohtë, sa që më dhanë një rol episodik qysh pas dy javësh. Prej ditës së parë, pashë regjisoren e famshme, Lavdie Toro. Kisha emocione, sepse përballesha me një trupë aktorësh të një formati tjetër. Por menjëherë, Lavdie Toro më afroi shumë e më pas u bëmë si një familje. Rastësisht, ishim edhe fqinjë dhe familja e saj m’u bë si imja. Lavdie Toro kishte mbaruar shkollën dhe specializimin në Rumani, enkas për kukulla, sepse ka disa vende që kanë mjaft traditë në Teatrin e Kukullave. Nga përvoja e saj e madhe, pata fatin të mësoja edhe unë! Njëkohësisht vazhdova edhe shkollën e mesme natën. Imagjinoni, kam studiuar në degën elektrike...

Po familja juaj, si e priti këtë vendim?

Kisha familje shumë të emancipuar. Im atë kishte mbaruar studimet në Itali, por për arsye të sistemit, përfundoi të punonte bojaxhi, pavarësisht bagazhit të jashtëzakonshëm që kishte! Ai më ndiqte dhe më inkurajonte pa masë, më shtynte të lexoja e të mësoja gjuhë të huaja. Mamaja, një heroinë për mua, rriti pesë fëmijë në kushte tepër të vështira! Jetonim në një dhomë, por ajo përpiqej të na mbante të veshur bukur, ashtu me basme të qepura me shije, përpiqej të zbukuronte shtëpinë që të jetonim me estetikë. Sa herë shikoj foton e saj, kujtoj sakrificat e mëdha, që kanë bërë nënat tona! Unë jetoja te Parku i Autobusëve, shkoja e vija në këmbë që të kurseja trelekëshin e autobusit që t’ia jepja mamit. Kemi bërë sakrifica, por kemi qenë tepër të lidhur me njëri-tjetrin.

Në rolet e tua ke qenë perfeksioniste, punoje me detaje?

Ha ha ha... po, shumë. Edhe vendet në skenë i caktoja përpara. Isha e fiksuar edhe pas kukullës, e trajtoja si një fëmijë, merresha edhe me flokët e kukullave, me detajet e duarve, i kontrolloja me kujdes. Doja që kukulla të më tregonte se çfarë donte të thoshte. Disa në teatër më shikonin me skepticizëm, madje, për këtë anë të natyrës time. Kishte ndër ne që mezi prisnin të mbaronin rolin e të shkonin me vrap në shtëpi. Unë jo, prisja reagimin e publikut. Për mua, ajo ishte pjesa më e bukur e shfaqjes, kur fëmijët ose prindërit turreshin të më takonin! Ishte shpërblimi më i madh për mua! Deri në atë pikë shkonte pasioni apo dashuria për punën, sa që ka pasur raste të shumtë që, edhe me temperaturë të lartë, kam ndenjur në skenë. Kam thyer këmbën dy herë gjatë shfaqjes, - kanë shkruar mediat për këtë, - jam rrëzuar dhe lënduar rëndë te shfaqja “Gjergj Elez Alia”, por kam kafshuar buzën, kam duruar dhimbjen dhe e kam çuar rolin deri në fund!

Gjatë kësaj kohe, ju edhe u dashuruat, apo jo?

Ah, po, e vërtetë. Unë lija çelësin te një fqinjë dhe aty ndodhi dashuri me shikim të parë. Ka ndodhur qysh kur isha 16 vjeç, por aty vetëm sa u njohëm. Më vonë lindi dashuria mes nesh. Por unë kam qenë mjaft e ndrojtur, e dashur, por e rezervuar. Prisja të ma thoshte ai se, kur do të vendoste për ne të dy. Kujtoj me shumë nostalgji, kur erdhi kunata e tim shoqi të më takonte. Unë mendova se erdhi me fëmijën për të parë teatrin. Ajo më tha se, më prisnin nga shtëpia për darkë që të më shikonte ai, që më pas do të bëhej vjehrri im. Im shoq kishte baba shumë të ditur e mendje hapur, ndërsa nënën e kishte shtëpiake me origjinë serbe. E qetë dhe e dashur. Fillova të dridhesha nga emocionet, vrapova te Xhavit Xhepa dhe ia thashë. Të gjithë u gëzuan shumë, e filluan të më këshillonin si të sillesha. Pra, më shumë flisja me kolegët se me familjarët, teatri ishte familje për mua. Atë natë, unë kam ndenjur me kokën ulur e vjehrri as fytyrën nuk mundi të më shihte! I kishin thënë se isha e bukur, por nuk më pa dot, ha ha ha. Më pas erdhën në shtëpinë tonë e aty unë qerasa, si nuse e re, sipas traditës. Aty qeshi dhe u shpreh se po, më në fund, tani e besoj që qenka e bukur nusja! Ha ha ha... Më pas, erdhi martesa dhe fëmijët. Jam shumë krenare për familjen time, që më ka mbështetur pa masë!

Cilat mendoni se janë veçantitë që ju bënë aktoren aq të njohur që jeni sot?

Mendoj se janë, së pari, disa cilësi që t’i jep zoti. Pra mimika, përshtatshmëria e zërit me çdo personazh, plastika etj. Por edhe disiplina në punë e mbi të gjitha pasioni i madh që unë edhe tani kam për kukullën, si dhe vlerësimi për shijet e publikut. I adhuroj fëmijët, ndihem për bukuri mes tyre se sa mes të rriturve! Ata nuk e njohin ende djallëzinë, t’i thonë gjërat në sy, ata ëndërrojnë personazhet e tua. Në skenën e Teatrit të Kukullave, një aktor mund të luajë edhe tre personazhe brenda një pjese; pra, je në dispozicion të regjisorit. E jo të gjitha personazhet luhen me të njëjtin tonalitet zëri. Sot shikoj se, ky gabim bëhet shpesh. Kam qenë aktorja e parë që kam përfshirë publikun me skenën dhe shfaqjen, duke ftuar fëmijët të jenë pjesë e shfaqjes e të ngjiten në skenë. Kujtoj sot, me humor që, kur luaja rolin e miushit, hyja duke teshtirë, u drejtohesha fëmijëve se, përse nuk më thoshin: Shëndet! Pra, i ftoja të bëheshin pjesë e lojës. Detaje si këto, që kërkojnë improvizim, i kam përdorur shpesh, madje edhe në shfaqje të mëdha, në mjedise jashtë në qytete ose në koncerte ku ishim të ftuar. Kjo krijonte afrimitet me publikun, e bën atmosferën më të ngrohtë. Asnjëherë nuk kam konsideruar të ardhurat si parësore, si shumë të tjerë, jo se ato nuk duhen e nuk vlejnë, por nuk janë qëllim në vetvete. Kam pasur e kam si qëllim kryesor, që fëmijët të marrin mesazhin e duhur.

Qëndrojmë te mesazhi; sot, si e shikoni këtë pjesë të edukimit të brezave?

Me shumë vakuume. Kjo ka qenë dhe është edhe vlera më e madhe e Teatrit të Kukullave. Ai edukon fëmijët me mesazhe të vyera, me dashurinë për shokun, prindin, me bamirësinë dhe ndihmën, paqen, me idenë se fëmijët e të gjithë botës janë njësoj, pa dallim feje, krahine, ngjyre. Sot, shikoj ndonjëherë me nipërit filmat vizatimorë dhe tmerrohem për zhargonet që kanë, mesazhet e gabuara që transmetojnë. Ndaj mendoj se, i duhet dhënë përparësi dhe mbështetje e madhe Teatrit të Kukullave, të vetmit në Shqipëri.

A më tregoni se si përdoren marionetat? Jeni e vetmja që dini t’i përdorni...

Ah, marioneta është kukulla më e vështirë, shumë shumë e vështirë! Jam e lumtur që e kam përdorur te pjesa “Tre derrkucët”, ku një nga kukullat erdhi nga jashtë. Ishte shumë e bukur, por me fije, pra marionetë. Imagjinoni se sa plastikë duhet, që kukulla ndërkohë të ecë, të flasë, të ketë lëvizje dinamike, të interpretojë, në të njëjtën kohë. Por ashtu siç e thashë më sipër, falë zotit, kisha plastikën e duhur dhe anën vokale. Por edhe iniciativën për të ndryshuar kukullën. Për shembull, te pjesa e bukur, “Qerosi mundi katallanin” kisha rolin aq të dashur të Vajzës së Ujërave, me ato flokët lejla, të gjata, si ujëra. Doja me patjetër të kishte detaje të veçanta dhe gjeta me vështirës disa temina, të cilat ia ngjita nëpër faqe, që të dukej me dritë, si një princeshë.

Nga fëmijët tuaj, ju keni një vajzë, Xhenin, që është aktivizuar shumë në art; e merrnit me vete?

Shumë e vërtetë. Kjo pjesëmarrje e saj edhe me teatrin, përkrah këngës për fëmijë, erdhi jo si pasojë e faktit se është bija ime, sepse po të ishte e pa talentuar, as që do e konsideroja si ide. Por Xhenis ka shumë pasion për teatrin, për fëmijët, këngën, kërcimin, që kur ishte e vogël dhe filloi të aktivizohej me koreografen Kozeta Bakiu. Edhe sot, ne punojmë bashkë në agjencinë e saj, në misionin për të bërë të lumtur sa më shumë fëmijë. Ajo nuk mjaftohet me personazhet që unë interpretoj, mjedisin e kthen në skenë, me dekor dhe detaje të jashtëzakonshme, që vijnë nga fantazia e saj.

Jeni nderuar me tituj të shumtë nderi, së fundmi edhe titullin “Mjeshtre e Madhe” nga Presidenti i Republikës; si i vlerësoni ato?

Sigurisht që janë vlerësim i madh, por të të them një të vërtetë të madhe mbi mua. Titullin më të lartë ma kanë dhënë fëmijët, publiku, ma kanë dhënë nënat që më takonin, duke më thënë se fëmija i shikonte në ëndërr personazhet! Titullin e lartë ta japin moshatarët e tu, që janë rritur me rolet e mia dhe kështu si ti, i mbajnë mend edhe sot. Më lotojnë sytë kur kujtoj një projekt që u zhvillua në një qendër në Kombinat, ku kalonin kohën fëmijë të rritur me probleme. Ata fëmijë kishin talent të rrallë, bënin me duart e tyre vepra ornamentale fantastike, kryevepra abstrakti. Edhe pse nuk arrinin të shpreheshin siç duhet, unë nuk do t’i harroj kurrë përqafimet e tyre! Ata shndrisnin kur shikonin pjesën që vumë në skenë për ta. Kur u largova, më dhuruan një punë dore të tyren, që e kam në shtëpi. Ja, këta janë titujt që vlerësoj më tepër!

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: