Fëmijët, rreziku që vjen pas ekranit dhe internetit

Publicitet
Publicitet
Fëmijët, rreziku që vjen pas ekranit dhe internetit
Psikologët tregojnë se, çrregullimet e karakterit, pagjumësia apo dhimbjet e syve e të kokës, zakonisht janë më të përhapura te fëmijët që frekuentojnë internetin pa kufi. Ndërsa ekspertët e IT-së theksojnë se, fëmijët shqiptarë janë më të rrezikuar, pasi prindërit nuk janë në dijeni të aplikacioneve si filtra mbrojtës

Sonila Isaku

Interneti dhe bota virtuale po rrëmben edhe të vegjlit. Rreth 60% të kohës, fëmijët shqiptarë e kalojnë në rrjetet sociale dhe lojërat online. Pas një anketimi të kryer në shkollat e kryeqytetit, rezultoi se nxënësit e përdorin në masë internetin. Por të dhënat zyrtare të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, thonë se kjo dukuri ka prekur edhe më të vegjlit, ndërsa ka shtuar frikën e prindërve për pasigurinë e tyre.

“Të dhënat e studimit tregojnë se, nxënësit rreth 60% të kohës së lirë, e kalojnë në internet, dhe vetëm 20% të kohës që kalonin në internet, shikonin faqe informuese, kurse pjesa tjetër ishte lojë online” - thuhet në studimin më të fundit, të kryer në shkollat e kryeqytetit.

Duke iu referuar këtij studimi del se, fëmijët janë të rrezikuar nga interneti, sepse nuk ka filtra që mund t’i ndalojnë të hyjnë në faqe të cilat nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre.

Ekspertët

Të gjithë jemi dëshmitarë se sa të aftë janë fëmijët tanë për të përdorur lojërat elektronike, telefonat celularë nga më të sofistikuarit, kompjuterët dhe pajisje të tjera elektronike. Por akoma më të aftë janë ata që prodhojnë programe, lojëra për fëmijë, e reklama apo produkte, të cilat shtojnë kureshtjen dhe vullnetin e fëmijëve, për t’i njohur e përdorur ato më tej. Këto të reja teknologjike, natyrisht që kanë një kosto për familjet tona, kosto këto që, shpesh herë, nuk janë vetëm ekonomike. Me të rejat që sjell çdo ditë e më shumë teknologjia dhe përdorimi i internetit, edhe fëmijët duhen mësuar se si dhe sa duhet ta përdorin atë, duhen kontrolluar në një farë mënyre dhe duhet komunikuar me ta mbi rreziqet. Të mos gënjehemi nga e reja dhe e bukura që sjell komunikimi online dhe njohjet pa kufi që mund të bëjmë nëpërmjet rrjetit. Ekspertë të internetit tregojnë se, rreziku që paraqet përballja e fëmijëve me internetin në Shqipëri, është disa herë më i madh. Sipas Eljona Kurtit, eksperte e IT-së në një prej kompanive në vend, rreziku ndaj të rinjve bëhet për shkak të mungesës së vëmendjes së duhur nga të rriturit.

“Është tepër e rëndësishme të ketë një informim më të plotë, sa i takon rrezikut që paraqitet në internet. Ajo çka vihet re sot, është puna që duhet të kryhet për ndërgjegjësimin edhe të prindërve, për kohën që duhet të lihen fëmijët në internet dhe faqet që ata duhet të shohin. Po kështu, një punë serioze duhet bërë nga të gjitha institucionet përkatëse për ndërgjegjësimin. Në shumë programe që përdoren, mund të instalohen aplikacione si Parents Control, e thënë në shqip kontrolli prindëror, i cili mund të vendoset në telefon, kompjuter. Ky aplikacion mund të bëjë filtrimin e përmbajtjes që ka faqja. Gjithashtu, ka edhe programe të ngjashme me të, për të filtruar faqet që hapen nga fëmijët” - pohon Kurti. Sipas saj, e rëndësishme nuk është kufizimi i fëmijëve nga interneti, por ofrimi i njohurive të nevojshme për ta, duke marrë parasysh moshën.

Psikologët

E ndërsa ekspertët elektronikë dhe IT japin këshillat për vendosjen e filtrave në kompjuter apo telefona, në mënyrë që fëmijët të jenë sa më të sigurt, psikologët në krahun tjetër ngenë alarmin për pasojat negative që sjell në shëndetin e fëmijëve, qëndrimi për një kohë të gjatë para internetit.

Blerta Bono, psikologe tregon se, kujdesi dhe komunikimi me fëmijët duhet edhe në përdorimin e faqeve të internetit që reklamohen si arritje të mëdha, si mund të jetë “Facebook”-u i ditëve të sotme.

“Moskujdesi dhe mosnjohja e kritereve të përdorimit të këtyre programeve nga fëmijët mund të sjellë pasoja të pakëndshme për ta, pasi në rrjet ka edhe shumë “mashtrues” që, së pari, dëshirojnë ta njohin fëmijën përmes internetit (kur ky i fundit ka një adresë e-mail ose është i regjistruar në Facebook), sillen e komunikojnë si të ishin me të vërtetë moshatarë, e më vonë arrijnë të depërtojnë në sekretet e fëmijës, derisa të marrin takim me të jashtë shtëpisë. Normalisht që emocioni për këtë “njohje të re” nga ana e fëmijës, bën që ky i fundit ndonjëherë të mos u tregoj prindërve dhe pasojat mund të jenë të pakorrigjueshme. Çrregullimet e karakterit, pagjumësia apo dhimbjet e syve e të kokës, zakonisht janë më të përhapura te fëmijët që frekuentojnë internetin pa kufi” - thekson Bono. Sipas saj, interneti po dëmton fëmijët edhe psikologjikisht, sepse shpesh përdoret edhe si formë bulizmi, duke futur në këtë rrjet social foto të miqve të tyre, me fjalë negative dhe fyese.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: