“FAKE” POR ME FATURË! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

“FAKE” POR ME FATURË! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Si pjesa më e madhe e femrave mendoj se ka disa elementë të gardërobës së një zonje ose zonjushe, pa të cilat, një figurë është e paplotë.

Mes tyre mbretërojnë tre, syzet, çanta dhe këpucët.

Me thes të jesh veshur, thoshin gjyshet, kur ke çantën dhe këpucën e duhur, shkëlqen. Por në tërë këto vite e duke mos qenë aspak me pretendime të mëdha e me xhep të majmë, një dukuri aspak zbavitëse më ka bërë gjithmonë përshtypje.

Pas shumë viteve jetesë në Itali, mësova se të ofroheshin shërbime në cilësi dhe çmim për çdo xhep dhe formë. Pra, nëse ishe një borgjeze e mesme, mund të shkoje deri në një çantë, me ulje, me vlerë 50 euro ose në rastin më të mirë, në 100 euro. Dukeshe bukur, çanta ose këpucët nuk ishin kineze (sepse malli kinez ishte drama e tregtisë italiane, por jo vetëm). Ishe e hijshme, me shije, femër e mbajtur por sigurisht nuk arrije kastën e lartë, që kishte një veçanti. Një avokate, kirurge, pronare apartamentesh, trashëgimtare industrish etj, arrinte një nivel të caktuar financiar, pra milionin e eurove dhe e thoshte në formë fraze, “i bëra vetes një Rolex” ose “i bëra vetes një çantë Chanel” ose “i bëra vetes një palë syze Chopard”. Kjo thuhej në rrethin e tyre si një sinjal kaste, niveli ekonomik, arritjeje, aspak për mburrje, por sepse tregonte frytin e një pune, përpjekjeje ose pasurie të trashëguar.

Por, shumë rrallë ndodhte përpara të dyzetave.

Femrat e Lindjes, kryesisht mantenuta, gra të shtata të një moshëmadhi miliarder ose eskort, dalloheshin menjëherë  në rrugët me gurë të shëtitoreve ose në butikët e shtrenjtë, sepse ato ishin të vetmet që në moshë shumë të re, shpalosnin me mburrje një Louis Vuitton ose Prada.

Po tregoj gjatë për Italinë, sepse moda nga aty ka ardhur, e po nga aty edhe limiti ose qytetaria në veshje dhe sjellje. Të mbajturit të një çante Made In Italy, handmade, lëkurë por jo nga një brand ndërkombëtarisht i njohur, nuk të bënte të vobektë, të bënte një intelektuale që jetonte me pagën e saj.

Përpara disa vitesh, e hasa këtë dilemë mbi nevojën e ethshme mbi markat, teksa isha për një vizitë në Kinë. Takuam disa miq që merreshin me biznes aty dhe, si për shaka e për të soditur, më shoqëruan në disa vende, kryesisht apartamente, ku tregtoheshin mallra “fake” por të cilësisë së parë, siç i quanin ata. Kryesisht mëndafsh dhe lëkurë. Një nga tregtarët fliste një anglishte të rrjedhshme  e kur i thashë nga vija, me mburrje, më tregoi se si një delegacion i tërë me gra e vajza, mes tyre edhe një politikane e njohur, kishin blerë tek ai koleksionin më të ri të shalleve, pardesyve e palltove “Burberry”, pa folur këtu për çanta e syze.

Qesha me vete, sepse m’u kujtua menjëherë krenaria e kësaj shqiptareje në kulm të karrierës, teksa mburrej në parakalim për këto blerje “të shtrenjta” diku në Londër. Por ja, sapo shkel në Shqipëri, ndeshesh me këtë dukuri sa qesharake aq edhe absurde që nuk ndodh kund.

Kudo gjetkë markat “fake” shiten nga shitësit ambulantë ilegalë ose afrikanët nëpër plazhe, të cilët janë në betejë “të përjetshme” me ligjin. Por rrugët e dyqanet e këtij vendi, jo vetëm që “ndjekin” pretendimet absurde të femrave “të pajetuara” shqiptare për marka më jehonë të madhe, por madje në këtë vend, si pa të keq, markat fallto janë “të ligjëruara” sepse ato shiten me thjeshtësinë më të madhe, në qendër e në periferi, pas xhamave të vitrinave, jo fshehur në magazina, reklamohen në Instragram e FB, revista e kudo gjetkë. Pa pikë problemi, ky vend që pretendon të hyjë në Evropë, shpërblen etjen fshatareske për luks të të gjitha atyre që udhëtojnë me imagjinatën drejt dimensioneve paralele, e duan ta shikojnë veten si idhujt e tyre por që “fake” kanë vetëm buzët, sepse të tjerat i kanë aq të shtrenjta e reale sa që me to blihet një shtëpi këtu.

Po pse vallë në këtë vend kaq të vogël e të varfër, është kaq e lirshme shitja dhe reklamimi i markave të njohura “fake”, ndërkohë që edhe vetë Kina e madhe që i përdor, në rrugët e saj, ka vendosur politika strikte e dënime të rënda për këdo që shet mallra të falsifikuara?

Rëndom në këtë vend të servirin çanta “Chanel” që dalin nga ambalazhe në qese plastike, atlete “Balenciaga” që kanë mbushur dynjanë si virozë gripi, syzet “Ray-ban” e të tjera si to nuk preken më me dorë, madje atyre “Chopard” u lëvizin vidat e xhamat edhe kur i blen në dyqanet e famshme të syzeve kur gjen foto vipash në mur. “Fake” pamje, “fake” metalitet, “fake” personaliet.

Ja pse i duam aq shumë markat false.

Ja pse lirshëm edhe qeverriu na lejon t’i shesim pa na hyrë gjemb në këmbë.

Sepse i shkojnë për shtat dëshirës për të dalë nga provincializmi si mendësi e jo si përkatësi, i shkon për shtat dëshirës për të qenë çfarë nuk jemi dot e s’kemi për të qenë kurrë.

Se jemi “fake” por jemi me faturë tatimore!

Shënim: Fotot janë marrë nga butikë, magazina dhe rrjetet sociale që reklamojnë produkte false të markave të njohura në Tiranë

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: