EUROPA MES DY SHQIPËRIVE - OPINION NGA SONILA MEÇO

EUROPA MES DY SHQIPËRIVE - OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Me një durim të marrë e kemi shndërruar dëshirën për t’u ndjerë europianë, në një temë të mërzitshme, të cilën, meqë nuk e kuptojmë në thelb, e përdorim si të vetmin perceptim që na çliron nga realiteti i një vendi nga ku iket si prej një vendi lufte.

Jemi përfshirë prej ditësh në një ngasje të parezistueshme për të parashikuar hapen apo jo negociatat për anëtarësim në familjen europiane, duke u kujtuar për këtë temë vetëm kur afrohen rekomandime komisionesh, samite ku lideri pret të shtrëngojë duart me Merkel, apo kur duhet justifikuar me çdo kusht paaftësia për të bërë shtet me institucione. Ndërkohë, që çështja është më pak e mërzitshme dhe shumë më e rëndësishme se kaq, nëse i hyjmë ta kuptojmë.

Procesi i integrimit në Bashkimin Europian kalon në tre faza:

Një vend bëhet kandidat për anëtarësim.

Kandidati kalon në negociatat formale të anëtarësimit, një proces që kërkon përshtatjen me ligjet e Bashkimit Europian, përgatitjen për zbatimin e tyre dhe reformave të drejtësisë, administrative, ekonomike dhe kritere të tjera të pranimit.

Kur negociatat dhe reformat shoqëruese përmbushen, duke kënaqur të dy palët, vendi mund t’i bashkohet BE-së.

Kemi realizuar fazën e parë, në pritje të nisjes së të dytës, ku për momentin ka një rekomandim nga Komisioni Europian si dy vite më parë. Por pritet miratimi nga qeveritë europiane në formën e një vendimi unanim nga Këshilli i vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Para se të ndodhë një gjë e tillë, pra të hapen negociatat, bëhet një kontroll i detajuar i çdo çështje (fushe politike), ku Komisioni vendos të rekomandojë me, apo pa kushte hapjen e negociatave (Shqipëria sapo e siguroi për të tretën herë një rekomandim pozitiv, kësaj here pa dhe me kushte). Asnjë negociatë për çdo kapitull nuk mbyllet, nëse çdo qeveri europiane nuk kënaqet me progresin e arritur. Dhe negociatat mbyllen, kur të gjithë kapitujt (plot 35) të mbyllen. E më pas vijohet me aderimin e plotë, që është proces më vete dhe kërkon sërish konsensus të plotë nga vendet anëtare.

Ky është procesi nëpër të cilin duhet të kalojë Shqipëria për të merituar anëtarësimin. I treguar shkurt, gjithsesi, kuptohet puna e jashtëzakonshme në sjelljen e Europës si standard në politikat dhe reformat në vend. Që kërkon jo një, jo dy, po shumë mandate qeverisëse.

Në raport me Ballkanin Perëndimor, procesi i afrimit ka patur veçanti, duke kaluar nga Marrëveshjet e Asociim-Stabilizimit e duke shënjuar një formulë stabiliteti, më shumë se demokracie rajonale. Ky fakt u pohua edhe dje nga drejtoresha Rajonale për Evropën, në Njësinë e Inteligjencës Ekonomike, pranë revistës “The Economist”. Sipas saj, nevoja e ruajtjes së stabilitetit ka prodhuar sundimtarë në rajon,  duke e shndërruar në shqetësuese gjendjen e demokracisë, me tendenca përkeqësimi përgjatë viteve të fundit. Rritja e pamjaftueshme ekonomike, varfëria, emigrimi i trurit dhe i krahut të punës, kufizimi i lirisë së medias, janë sfondi i regjimeve hibride, siç cilësohen ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë që përcaktohet si “demokraci me të meta”.

Me shqetësimin e  parandalimit të së keqes së madhe, në analiza, kjo tendencë përkeqësuese, mund të shihet si një simptomë që ka nevojë urgjente për një kurë të shpejtë, për të mos lejuar edhe “sëmundje” të tjera në këtë imunitet të dobët, të bëjnë kërdinë (ndërhyrjet e faktorëve terciarë, Rusi, Turqi e Kinë, etj). Për disa, BE-ja është barna shpëtuese, por në protokollin “mjekësor” të saj të kujtojmë vende të Europës Lindore e Qendrore, që pavarësisht “kurës” përkeqësuan rekordet e demokracisë (Polonia e Hungaria sapo vërtetuan se anëtarësimi nuk i konsolidoi dot demokracitë, Bullgaria e Rumania nuk u bënë më pak të korruptuara), apo të tjera, që në vend të zhvillimit ekonomik njohën staniacion e përkeqësim duke rrezikuar efekte zinxhir në familjen e përbashkët (Greqia, Spanja, Portugalia etj). Pra, të përdorësh me çdo kusht kartën e avancimit në procesin integrues si formulën e zgjidhjes së problemeve të brendshme drejt një demokracie të konsoliduar, apo ndikimit negativ të faktorëve të jashtëm, nuk është zgjidhja absolute. Të kujtojmë se Turqia I ka çelur negociatat në vitin e largët 2002 dhe Europa sot është gjithnjë e më e pakënaqur me regjimin që drejton vendin.

Ndaj le të ndalim këtu hovin e çuditshëm të një propagande, që me rekomandimin pozitiv të Komisionit Euriopian për çeljen e negociatave, sapo pranoi apriori se ka përmirësuar demokracinë, ekonominë dhe se ka qenë viktimë perceptimesh të shtrembëruara për akuzat ndaj skandaleve të saj. Por për të ndalur edhe një debat shterpë që kërkon të ngjizë kohë televizive për shitje reklamash në media, mes mazhorancës dhe opozitës a thua se këto janë procese, që konfirmojnë se kush është i mirë e kush i lig në politikën vendase. E çfarë po i intereson shqiptarit, që zgjohet në mëngjes të sigurojë bukën e gojës dhe shkollën e fëmijëve, sesi e degjeneroi aksh deputet/e aksh politikan/e, me rekomandimin e lexuar nga Mogherini, kur rekomandimi në vetvete nuk garanton ende se ky shqiptar jeton në një vend me ligje, ekonomi e standarde europiane të zbatuara.

Deri këtu analizova pjesërisht se çdo idealizim apriori I vendimeve në nivel burokratik, nuk garanton domosdoshmërisht cilësi jete më të mirë në realitet. Le të vijojmë analizën për të kuptuar thelbin e momentit:

Të jemi të sinqertë, po ndërtohen dy Shqipëri, një në letër e një në realitet, një për konsum shkresash burokratësh e një për shqiptarët dhe taksapaguesit europianë, që do duhet të binden për atë Shqipërinë në letër, të rekomanduar nga Komisioni Europian. Për të bindur më pas qeveritë respektive të pranojnë unanimisht çeljen e negociatave, që do të duhet të ndërtojnë Shqipërinë reale dhe jo atë “të “shkaraviturën, sipas axhendave burokratike. Nuk do thithim ajrin e një rekomandimi, as do pijmë ujin e tij, as do hamë ushqimin dhe  as do kërkojmë drejtësinë për padrejtësitë që përjetojmë në të. Ne thithim Shqipërinë reale, atë që prekim çdo ditë. Për ta bërë frymore atë letër burokratike rekomandimi le të kujtojmë shqetësimet e “Freedom House”, “Transparency International”, Fondit Monetar Ndërkombëtar, “Doing Business”, Bankës Botërore e shumë agjencive të tjera monitoruese dhe bashkëpunuese me vendin tonë. Mbi të gjitha, le të rreshtojmë fakte prej realitetit.

Më konkretisht, në vjeshtën e vitit 2016, Shqipërisë iu kërkuan një sërë kushtesh për t’u plotësuar, nga reforma në drejtësi, tek lufta kundër krimit të organizuar, kultivimit të lëndëve narkotike, lufta ndaj korrupsionit, etj, për të siguruar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ende në vigjilje të reformës në drejtësi, një sërë vendimesh antikushtetuese kanë shënjuar zbatimin e saj, vonesa antiligjore në ngritjen e strukturave të saj, emërime jo në frymën dhe gërmën e kushtetutës . Ende krimi i organizuar kontrollon trafikun e lëndëve narkotike, sipas raporteve ndërkombëtare, sasirat e hashashit të mbjellë e kultivuar kanë kaluar nga parcelat në magazina, duke tentuar të arrijnë brigjet e BE-së, korrupsioni vijon të zbulojë skandale të zyrtarëve të lartë të publikuara tashmë. Vetë përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Mogherini, pohoi se: “Vlerësimi që ne bëjmë është se kushtet janë përmbushur, se Shqipëria është gati për të nisur negociatat dhe me një rekomandim tërësisht pozitiv për Këshillin që reformat do të ruhen dhe thellohen. Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se duhet të përmbushin pesë përparësisë kryesore të njohura, të cilat do të mbeten elementet kyçe mbi të cilët do të gjykohet”. Pra, rekomandimi është një benefit dyshimi, një shans për të besuar se ato që u kërkuan që në vjeshtën e 2016-ës do të plotësohen. Thënë ndryshe, vendimi për një rekomandim pozitiv është shansi për të vijuar e për të marrë rezultat konkret në realitet, nga kushtet e plotësuara në letër.

Jo vetëm kaq, por po na thuhet drejtpërdrejt se nuk janë vetëm konstatimet e Komisionit, por do të jenë qeveritë e vendeve anëtare të BE-së që do të vendosin lupën mbi çdo arritje të Shqipërisë për të sublimuar çeljen e negociatave. Pra, edhe alibia se forca të brendshme e të jashtme po përpiqen të lobojnë kundër këtij procesi, bie poshtë me pohimin e fortë edhe të burokratëve entuziastë në letër se do duhet të jetë ecuria reale që do të bindë vendet anëtare. Në rast se do të ketë një qëndrim refrektar ndaj zgjerimit, ai nuk do të mund të jetë vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin Perëndimor, por është e vërtetë edhe e kundërta, se në rast se vendimi i vendeve anëtare do të kushtëzohet nga nevoja për të shmangur fitila në barutin ballkanas, që do të rrezikonin kontinentin e vjetër, Shqipëria do të përfitojë edhe nëse nuk ka përmbushur kriteret e saj. Pra, ta mbledhim mendjen njëherë e mirë, gjithçka do kërkojë që Shqipëria të pranojë vetveten për atë që është për shqiptarët, që jetojnë në të e më pas për Europën e halleve të europianëve të saj.

Madje ne që kaq shumë e idealizojmë këtë rekomandim burokratësh, (që ka shumë pikëpyetje në përmbajtje mbi saktësinë e tij), në realitet duhet të dimë se po këta burokratë janë përfshirë këto ditë në një rrënim të autoritetit të Presidentit të Komisionit Europian, me një akt, që nga parlamentarë europianë është konsideruar si skandal që po rrënon besueshmërinë ndaj BE-së. Martin Selmayr, i cili u zgjodh Zëvendës-Sekretar i përgjithshëm i Komisionit Europian, pak minuta më vonë u promovua si Sekretar i Përgjithshëm i tij, në procedura jo të drejta e transparente. Nga anëtarët e Parlamentit Europian është hartuar një rezolutë për ta dënuar këtë zgjedhje, madje u kërkua dorëheqja e menjëhershme e tij për të rikthyer besimin dhe integritetin e institucioneve europiane. Dhe gjithçka lidhet me reputacionin e Presidentit të Komisionit Europian, Juncker, që e lejoi një akt të tillë. Dhe nuk është hera e parë që skandalet përshkojnë korridoret e institucioneve europiane. Sot ato akuzohen për mungesën e koordinimit mes tyre, për një funksionim që nuk i sheh në bashkëveprim, por në autonomi të plotë, Këshilli me Komisionin hasin probleme mes tyre, duke i evituar dhe jo zgjidhur. Strasburgu shpesh është nën akuzë për shpenzime të tepruara, strukturat janë të ndërlikuara, duke sjellë vonesa dhe jo efikasitet. Në një analizë të plotë të situatave që kalon burokracia europiane, presidenti francez Emmanuel Macron do të deklaronte dje se Bashkimi Europian nuk do të duhej të pranonte një tjetër anëtar, derisa blloku aktual prej 28 vendesh të integrohet thellësisht, duke përshkuar një reformë gjithëpërfshirëse. Edhe pse do të donte ankorimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në projektin europian, :nuk është koha për të lejuar anëtarësime të reja:, u shpreh ai. Sepse sipas Macron, vetë Europa duhet të reformohet për t’u bërë më e mirë, pavarësisht se nuk do të dëshironte një Ballkan drejt Rusisë a Turqisë. Por më parë një shtëpi solidare dhe që funksionon se një zgjerim me të njëjtat rregulla, që e mbajnë në kaos. Më mirë një debat demokratik e kritik mbi atë çfarë është e do të jetë Europa para zgjedhjeve parlamentare europiane të vitit tjetër, përballë nacionalizmit në rritje dhe sfidave të largimit të Britanisë së Madhe. Juncker, Presidenti I Komisionit Europian me një kundërpërgjigje u shpreh se familja europiane nuk është një bllok franko-gjerman, duke lënë të kuptohet se ky debat do të jetë ekzistencial për të ardhmen e bashkësisë. Pra, çfarëdo entuziazmi të na përfshijë si militantë të etur në interpretimin e rekomandimit të Komisionit Europian, tashmë e dimë me siguri se si ne e si familja ku duam të anëtarësohemi kemi nevojë për reforma të mëdha e të verbëta, për të kaluar nga projekte burokratike në realitete të gjalla, ku ka frymë e jetë.

Rasti i Ballkanit Perëndimor është përjashtimor për mënyrën e zgjerimit të Bashkimit Europian, ose vlerat mbi të cilat u krijua dhe kërkon t’i rievokojë në fjalën e tij edhe presidenti Macron. Vërtet huazojmë paralele me Rumaninë, Bullgarinë e Kroacinë, por ndërsa e dimë se teoria e përfshirjes nuk i mbijetoi situatës problematike që sot ndeshet në to me korrupsionin, nepotizmin dhe probleme të natyrës ekonomike, në rastin e Ballkanit një predispozitë gjeopolitike pa arritur ende në anëtarësim ka prodhuar liderë autrokratë, korrupsion, lidhje me krimin e organizuar, sjellje antikushtetuese, kufizim të lirisë së medias. Në këto vende u krijua një stabilitokraci, që ndihmon shmangien e konflikteve të tmerrshme ende të freskëta të viteve ’90, por dobëson demokracinë duke e bërë të pamundur ndarjen e pushteteve dhe duke i dhënë ekzekutivit një fuqi dominuese mbi shtetin. Ndaj edhe gjeopolitika hyn më në lojë sesa përmbushja dhe ndarja e vlerave dhe kritereve themeltare të Kopenhagenit. Por çfarë ngjan paradoksale në këtë këmbëngulje për të avancuar me Ballkanin Perëndimor, edhe pse kriteret nuk janë plotësuar, edhe pse regjimet lokale bëhen gjithnjë e më autoritare është frika e një ndikimi që do t’i kthente këto vende drejt Rusisë, Turqisë, apo Kinës. Paradoksale, sepse këto vende janë anëtare të NATO-s, janë në kufij me Bashkimin Europian, nën mbikëqyrje të shtuar për realizimin e reformave demokratike.  Pra kjo kartë e fortë e faktorëve terciarë, që mund të mbajnë peng Ballkanin Perëndimor ngjan se u shërben më shumë burokratëve të Brukselit për të fshehur qeveri autokratike, të kapura e jofunksionale, si e jona, ndërsa në vetvete është edhe dështim i tyre për të ndërtuar demokraci të vërteta, duke mbështetur stabilitokracitë.

Sado e bukur Shqipëria në letrën e Mogherinit, sado e mbështetur nga ndërkombëtarët këtu, që kërkojnë me çdo kusht një sukses në CV-të e tyre, teksa i largohen përgjithmonë vendit ku shqiptarët jetojnë me breza, megjithëse merr entuziazmin e pushtetit për një kartë që do të na e tundë në zgjedhjet e vitit tjetër, pavarësisht ngazëllimit të militantëve që e shohin grusht fytyrës për kundërshtarin, e megjithë optimizmin e të angazhuarve në burokracinë europiane, Shqipëria që jetojmë, që thithim çdo ditë është e vërteta, Europa që i ushtoi zërit të presidentit francez është realja. Nëse pushteti dhe politika kanë problemin kronik të mosnjohjes së ndryshimit mes perceptimit dhe realitetit (a mungesës së dëshirës për të njohur të dytin), të kujtojmë gjithnjë, se ne si popull jetojmë në realitet. Shqiptarë a europianë qofshim. Tani le të hapen negociatat.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: