Euro vijon rënien, vit jo i mbarë për monedhën evropiane

Euro vijon rënien, vit jo i mbarë për monedhën evropiane
Vazhdon trendi rënës i monedhës që u shigjetua nga Banka e Shqipërisë për dominimin e saj në ekonominë vendase

Monedha evropiane sa vjen dhe dobësohet, duke patur përballë një monedhë vendase gjithmonë e më të fortë. Kjo është situata që ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre javëve tregun e brendshëm valutor dhe që po vihet re edhe në ditët e fundit. Konkretisht, të dhënat zyrtare tregojnë se një euro u këmbye dje me 129.15 lekë, rreth 0.19 pikë më pak se një ditë më parë. Ndërsa në ditët e para të këtij muaji, kujtojmë se ajo kapi shifrën deri 128 lekë, aspak e favorshme kjo për ata që disponojnë një sasi eurosh dhe duan ta këmbejnë atë. Në këtë mënyrë, duket se monedha evropiane nuk po shfaqet më aq “ekspansioniste” në ekonominë vendase, duke pritur një moment më të mirë të ngritjes së saj, për të dalë sërish e dukshme nëpër tregje. E duke përmbushur në njëfarë mënyre kështu projektin e shpallur prej Bankës së Shqipërisë për të ashtuquajturin “deeuroizim”. Thënë më thjesht, stimulimin e përdorimit të monedhës vendase, lekut, duke dobësuar kështu atë të monedhës europiane, euro. Një fushatë kjo e nisur pikërisht këta muaj të vitit, kur kompanitë e huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në vendin tonë dhe transferojnë fitimet e tyre jashtë vendit. Ekspertët e ekonomisë e kanë shpjeguar pikërisht me një fakt të tillë edhe rënien e madhe të euros në këtë pjesë të vitit. Sikundër edhe me pagesën prej bizneseve të një sërë detyrimesh fiskale, proces ky që kërkon në njëfarë mënyre prej tyre një sasi të konsiderueshme valute, e cila kthehet në monedhën vendase, e kësisoj, çon në rënien e saj. Fjala është për pagesën e taksave të tilla si ajo mbi fitimin, apo edhe TVSH-ja ose sigurimet shoqërore, etj, të cilat kanë qenë të detyrueshme deri në fund të muajit mars të këtij viti, efektet e së cilës mesa duket po vazhdojnë edhe këtë muaj.

129.15

Lekë u këmbye dje monedha evropiane, euro, kundrejt monedhës vendase, lekut, rreth 0.19 pikë më pak se një ditë më parë

Edhe monedha amerikane, dollari, njësoj si ajo evropiane, ka treguar shenja të dobësimit të saj të dukshëm në tregun e brendshëm valutor. Konkretisht, dje një dollar u këmbye me 104.48 lekë, me 0.38 pikë më pak se fundi i javës së kaluar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: