ENTUZIAZËM I PËRMBAJTUR PËR NEGOCIATAT – OPINION NGA PLATOR NESTURI

ENTUZIAZËM I PËRMBAJTUR PËR NEGOCIATAT – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Hapja e negociatave mbetet tema qendrore në këto ditë. Mogerini erdhi vetë në Tiranë, për të shprehur urimet e duke theksuar se, Komisioni i BE-së e mbajti fjalën, për të dhënë një rekomandim pozitiv për negociatat e anëtarësimit. Tani është radha jonë, të bëjmë detyrat tona. Por jo me gjasme, siç ka ndodhur deri më sot e që progres raporti i theksonte se shumë prej detyrave, janë thjesht në fillim të punës, ndërsa të tjera kanë mangësi. Dhe mënyra si do operohet, besoj se do të ndikojë dhe në vendimin që do të marrin vendet anëtare në Samitin e ardhshëm, ku do të diskutohet zgjerimi i BE-së. Kryeministri Rama shpjegoi pikërisht se, ky është fillimi i një angazhimi të ri dhe më të madh e shpresojmë se do të jetë pikërisht kështu. Duke shpërndarë doza qetësie për çka mund të pritet nga Samiti i BE-së, Rama vëren se nuk ka shtet që të jenë kundër anëtarësimit të Shqipërisë, por janë vetëm disa individë, që nuk e duan Shqipërinë. Por, për fat të mirë, midis tyre nuk është as Merkel dhe as Macron. Gjithsesi, kryeministri nuk e përmbajti dot të drejtonte disa fjalë të helmatisura ndaj opozitës, ndërsa i bëri thirrje të mos lidhej me vende që nuk e duan interesin e Shqipërisë dhe që mundohen të pengojnë anëtarësimin e saj në BE.

Kreu i PD-së i cili kishte rrugëtuar në Berlin, përgjigjet se opozita e dëshiron anëtarësimin, pavarësisht problematikave që duhet t’i kishte zgjidhur qeveria dhe se kishte vajtur pikërisht për të lobuar për votën pro. Gjithsesi, Basha theksoi se, në Gjermani ka skepticizëm për problemet që kanë të bëjnë me korrupsionin, drogën e trafiqet.

Mund të quhet lajm i mirë që, opozita, pavarësisht tensioneve të brendshme politike, për çështjen e integrimit të vendit po mban qëndrim pozitiv dhe jopengues. Më parë ka ndodhur rëndom futja e shkopinjve në rrota dhe ku e kemi pësuar të gjithë si shoqëri. Ndaj dhe Mogerini e theksoi këtë fakt, duke falënderuar dhe opozitën për këtë angazhim. Gjithsesi, tensioni duket se do të vazhdojë, pavarësisht se në rastin konkret nuk pati ndonjë lëvizje penguese, situata politike në Shqipëri, duket se do të shkojë drejt agravimit. Kemi një thirrje për mosbindje civile dhe aksion politik, me akuzat për kapjen e pushtetit dhe institucionet nga Rama, dhe natyrisht që kjo mund të sjellë dhe acarim në vijimësi. Ndërkohë, kjo situatë dhe ca më tepër për imazhin e akaparimit të pushteteve, mund të ndikojë dhe në vlerësimin që do të bëjnë vendet anëtare në Samitin e BE-së. E në këtë rast, do të jemi sërish të dëmtuar. Ndaj nuk është e mjaftueshme për të bërë disa thirrje në konferenca shtypi, që të vishet fanellë e përbashkët me opozitën për çështjen e integrimit. Nëse tentohet seriozisht kjo dhe synohet të ngrihet një grup unison, ku të operohet me të njëjtin qëllim, atëherë bashkëpunimi duhet bërë mbi baza konkrete, me iniciativa të përbashkëta dhe jo me deklarata mediatike.

Ndërkohë, qeverisë që i bie dhe barra kryesore për ta çuar me sukses deri në fund këtë proces, duhet që, në këtë rrugëtim, të mos ftojë vetëm opozitën, por gjithë qytetarët shqiptarë si aktorët kryesorë dhe përfituesit direkt të këtij procesi. Duhet thënë se, për shkak të një klime ku janë vënë në diskutim iniciativa dhe nisma të qeverisë, kësaj radhe nuk ka ndonjë entuziazëm pse po marrim viston për hapjen e negociatave. Rasti i Rrugës së Kombit dhe protesta në Kukës, uljet e qepenave të tregtarëve të vegjël, dhe shprehje të tjera të pakënaqësisë mbi ritmet e zhvillimit të ekonomisë, dëshmon se qeveria duhet të bëjë kujdes, jo vetëm për të fituar vlerësimin e Komisionit të BE-së, por dhe për të mos humbur besimin e qytetarëve. Pra, është e qartë se diçka nuk shkon, dhe që duhet të ishte ndryshe. Pak rëndësi ka retorika se do të bëjmë shtet, se pa taksa nuk ka të tillë, dhe se nëse po vuajmë nga kjo shtrëngesë është për të mirën tonë. Të gjithë e duam shtetin e rregullin, kërkojmë të zhvillohemi e të ndihemi europianë, porse kur hesapi nuk del dhe kur në llogari futet dhe buka e fëmijëve, atëherë është çasti për të kuptuar se duhet reflektuar, se shumë gjëra duhen ndryshuar, madje edhe duke kërkuar falje me sinqeritet, për çka nuk është bërë mirë. Arritja e konsensusit me qytetarët, imponon dhe konsensus më të gjerë, qoftë edhe me opozitën me qëllim që të krijomë bindje te vendet europiane se, demokracia te ne vërtet ka defekte, por ka vullnet për t’i kapërcyer si pengesa.

Deri këtu jemi të qartë se, me këtë situatë, gjendja nuk është aspak në rregull dhe se pushteti duhet të kuptojë që, ky reagim qytetar  në vetvete, është diçka e shëndetshme për demokracinë. Nuk është i shëndetshëm ky tension politik që thjesht e mbahet ndezur e që asgjë nuk zgjidh. Ajo çfarë është shqetësuese, është fakti se ndërsa politika përleshet, këtu nuk ka arbitër që të ndajë të drejtën, pasi vetë institucionet janë të atrofizuara dhe në shërbim të atij që ka pushtetin e radhës. Acarimi i mëtejshëm do të bëjë të humbasim sërish trenin drejt Brukselit. Askush nuk e pranon një vend që ka jostabilitet politik!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: