Ekspertët: Rekomandimi? Nuk ka vend për eufori, ekonomia s’ndryshon

Ekspertët: Rekomandimi? Nuk ka vend për eufori, ekonomia s’ndryshon
FORUM/ Ekspertët e njohur të ekonomisë, Zef Preçi, Selami Xhepa dhe Gjergj Buxhuku, flasin mbi pritshmëritë në aspektin ekonomik të rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Çfarë impakti ka realisht ai për ekonominë shqiptare?

Rekomandimi i dhënë dje nga Brukseli zyrtar ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian, nuk duhet të shihet aspak me eufori, të paktën në aspektin ekonomik. Të këtij mendimi shprehen gjatë prononcimeve të posaçme për “Albanian Free Press”, ekspertët e njohur të ekonomisë vendase, Zef Preçi, Selami Xhepa dhe Gjergj Buxhuku. Duke pohuar se gjithsesi ky mbetet një fakt i rëndësishëm, sidomos në aspektin politik, ata lënë të kuptohet se kur flasim për ekonominë, gjërat janë ndryshe. E kjo, pasi edhe nëse do të shtohen fondet e BE-së ndaj vendit tonë, si pjesë e natyrshme e procesit, sërish do të jemi ne që do të përballemi me disbursimin e tyre dhe të njëjtat probleme për fondet që janë dhënë deri tani, e që sipas tyre nuk kanë qenë të pakta. Për më tepër, ata shtojnë se i mbetet sërish palës shqiptare që të përballet në fund me sfidën për ta bërë tregun e saj sa më kompetitiv, megjithë ndihmën e shtuar që mund të japë në vijim Bashkimi Evropian...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

SELAMI XHEPA:

Mbështetja e BE-së ka qenë dhe më parë, s’presim ndonjë gjë të madhe

“Rekomandimi për hapjen e negociatave me BE-në, nuk lë vend për ndonjë eufori të madhe në aspektin ekonomik. Por  nuk ka dyshim që pritshmëritë janë pozitive. Domethënë, që pritet mbështetje në veçanti në ato reforma të cilat janë kritike dhe e mbajnë ngërthyer ekonominë e Shqipërisë. Por edhe me klimën e biznesit në vend, e që kanë të bëjnë kryesisht me reformat institucionale, shtetin ligjor, kontratat, sistemin e drejtësisë etj. Por që kanë të bëjnë edhe me mbështetjen për biznesin dhe që mendoj se do të shoqërohen me efekte shumë të rëndësishme. Por sidoqoftë, vend për ndonjë eufori nuk ka, pasi ky është një proces në vazhdim. Pra, Shqipëria ka qenë pjesë e instrumentave para-aderim, në njëfarë kuptimi mbështetja e BE-së ka qenë edhe më përpara. Por tani, kjo shërben edhe si moment tërheqje për investitorët e huaj. A do të ketë një rezultat konkret ekonomik? Nuk është se presim ndonjë gjë madhe nga ndihma e Bashkimit Evropian, pasi të njëjtat instrumenta do të aplikohen për Shqipërinë deri në momentin e anëtarësimit. Por në komunitetin e investitorëve, dhe sidomos atyre të huaj, ky është një sinjal pozitiv që besoj se do t’i rrisë pritshmërirë e tyre për një treg më interesant dhe më të parashikueshëm. Efekti kryesor do të ketë pikërisht ky për një shtim të të qenit kompetitiv, edhe pse ky në disa vende është provuar dhe në disa jo. Për shembull, Kroacia i ka  shoqëruar negociatat me përmirësim të ekonomisë dhe rritje të shpejtë të saj. Kurse në vendet balltike, efekti i këtij procesi ka qenë i kundërt. Ndaj themi se nuk ka vend për eufori, por që politika e brendshme të punojë sic duhet, në mënyrë që ta përkthejë këtë hap të rëndësishëm në një benefit real për ekonominë shqiptare”.

GJERGJ BUXHUKU:

 Vetëm kur të hapen realisht negociatat, mund të priten ndryshime në ekonomi

“Në radhë të parë, duhet ditur se rekomandimi i dhënë dje nga Komisioni Evropian, nuk do të thotë hapje negociatash. Vendimi i vërtetë merret në qershor dhe sipas të gjitha gjasave e disa informacioneve që kanë ardhur, rezulton se do të jetë e vështirë. Natyrisht, ne urojmë që të merret. Do të vlerësoja se ky është një çerek hapi, por nuk është hap i plotë. Dhe kështu që në aspektin ekonomik, duke qenë se vetëm vendimi për hapjen e negociatave mund të sillte një dritë jeshile për zhbllokimin e financimeve evropiane për Shqipërinë, fakti që është marrë vetëm rekomandimi, nuk do të thotë gjë. Pasi i tillë është procesi, janë vendet anëtare të Bashkimit Evropian në fund ato që vendosin për hapjen e negociatave. Madje ky as në aspektin politik nuk është një hap i plotë, aq më pak në atë ekonomik. Nuk ndryshon asgjë për të, por mund të ndryshojë vetëm në qershor. Ajo pastaj është një diçka për t’u vlerësuar, edhe pse jo jashtëzakonisht e mirë në aspektin ekonomik, për zhbllokimin e financimeve. Por të gjitha do të shihen pas qershorit, sepse deri atëherë nuk ka ndonjë gjë për t’u shënuar. Ideja është që pastaj kalon në programe më të plota financimi, pas hapjes së negociatave dhe pastaj futesh te pjesa e dialogut, me BE-në, bazuar në sektorë të ekonomisë. Por duhet ditur se deri në qershor nuk ke financime plus, pra nuk ndryshon asgjë në ekonominë e Shqipërisë”.

ZEF PREÇI:

Nuk ka përfitim të drejtpërdrejtë për ekonominë shqiptare

“Dhënia e rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim nga Bashkimi Evropian nuk ka përfitim të drejtpërdrejtë për ekonominë shqiptare. Sepse qeveria ende duhet të bëjë më shumë reforma për të luftuar krimin dhe korrupsionin, ndërsa vendi duhet të bëhet në atraktiv për investimet e huaja. Duhen pranuar se Shqipëria është nga ato vende që ka ende shumë probleme me administratën dhe kapacitetet e saj dhe nuk arrin dot të absorbojë fondet e BE-së, të cilat edhe sot janë në dispozicion të saj. Mendoj se ka vend vetëm për përgjegjësi dhe jo vend për eufori. Sepse duhet ditur që duhen reforma, janë ato që e bëjnë vendin të jetueshëm. Pasi integrim do të thotë që të jesh si të tjerët, si Gjermania, Spanja, apo Franca dhe Italia. Ky është modeli që ata të ofrojnë dhe ne jemi të detyruar të ndërmarrim reforma, për ta arritur këtë model. Ata thonë që kjo është rruga dhe se e ardhmja është në Evropë, por duhet të përmbushësh reformat, duhet të ndërtosh institucionet e shtetit të së drejtës. Mjafton të kujtojmë se Turqia ka 30 vjet që negocion, vend kandidat është edhe sot e kësaj dite. Integrimi është në vetvete plotësim i standardeve. Ajo që ne kemi bërë është shumë më pak se ajo që duhet të bëjmë, me ndërtimin e institucioneve dhe të respektimit të të drejtave, të pronave etj. Nga dhënia e rekomandimit, rëndësi ka vetëm fakti që vendi e rrit besimin se po ecën në drejtimin e duhur”.

RAPORTI

KE: Të ulet borxhi publik, të zgjidhet çështja e pronës

Në progres-raportin e tij për Shqipërinë, Komisioni Evropian ka marrë në vlerësim edhe kriterin ekonomik të Shqipërisë. Ai pohon se duhet që të ulet më tej borxhi publik dhe të vijohet me përpjekjen për rritje të mëtejshme ekonomike dhe ulje të papunësisë. Raporti shkruan gjithashtu se reforma  thelbësore për të përmirësuar klimën e biznesit janë ndërmarrë, porse ato duhet të ndiqen nga përpjekje të mëtejshme, si reduktimi i ekonomisë informale dhe zbatimi i plotë i reformës në drejtësi. Kurse sa i takon sektorit bankar, thuhet se kreditë e këqija janë në rënie, por huadhënia drejt bizneseve mbetet e ulët. “Veçanërisht progres është arritur në energji dhe infrastrukturën e transportit dhe dixhitalizim, megjithatë mbeten disa mangësi, të cilat cënojnë konkurrueshmërinë dhe tregtinë e Shqipërisë. Tregtia e jashtme mbetet nën potencial dhe e përqendruar sektorialisht”, vlerëson raporti. Duke shtuar se një tjetër problem që cënon ekonominë shqiptare, është edhe e drejta e pronës dhe regjistrimi i tokës.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: