Ekonomia shqiptare po mbahet vetëm nga hotelet e restorantet

Publicitet
Publicitet
Ekonomia shqiptare po mbahet vetëm nga hotelet e restorantet
Hotelet dhe restorantet kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen ekonomike gjatë vitit të kaluar. Duke “ua marrë në kthesë” edhe sektorëve të tjerë potencialë si ndërtimi, industria apo shërbimet

Të drekosh apo darkosh nëpër restorante, duket se po kthehet në një trend gjithmonë e më të preferuar për shqiptarët. Sikundër, edhe të frekuentosh hotelet, po gjen mjaft përhapje në çdo skaj të vendit. Qoftë nga shqiptarë, por kryesisht të huaj, të cilët po rezultojnë më të shumtë se më parë, nga viti në vit. Duke i kthyer kështu hotelet dhe restorantet në një sektor vërtet të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

E thënë më thjesht, që po i sjell asaj më shumë pará. Dhe që madje, duhet thënë se po konkurron dukshëm edhe sektorë të tillë potencialë të saj, si ndërtimi, tregtia, shërbimet, deri edhe vetë industrinë si të tillë.

Një dukuri e tillë konfirmohet nga vetë ekspertët e Institutit të Statistikave, në raportin e tyre të fundit, mbi ecurinë e rritjes ekonomike të vendit tonë, ose e Produktit të Brendshëm Bruto, siç e quajnë ata konkretisht këtë lloj treguesi makro-ekonomik të vendit.

Kontributin kryesor në rritjen e PBB-së gjatë fundvitit të kaluar e kanë dhënë degët: hotele dhe restorante, por edhe  transport e tregti, me nivelin prej 0.66%, cilësojnë ata.

“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt të vitit 2017 vlerësohet me një rritje në nivelin prej 3.36%, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2016”, shtojnë më tej ata, në lidhje me ecurinë e ekonomisë shqiptare në tërësinë e saj.

Ndërkaq, ka qenë po vetë INSTAT-i, i cili në një raport të mëparshëm ka konfirmuar gjithashtu suksesin e sektorit të hoteleri-restoranteve në vendin tonë, referuar pikërisht edhe lejeve të ndërtimit që janë dhënë për  hapjen e një sërë objektesh të reja. S

ipas tyre, rezulton se biznesi i ndërtimit të hoteleve ka lulëzuar vitin e kaluar teksa u dhanë më shumë se 53 leje në të gjithë vendin, niveli ky më i lartë i shënuar në katër vitet e fundit dhe që flet kështu për ecurinë e tij pozitive, rrjedhimisht edhe për një shtim të kontributit të tij në ekonominë vendase.

Teksa të dhënat zyrtare, flasin aktualisht për një numër prej 3791 strukturash akomoduese në tërësi, në rang vendi.

Nga ana tjetër, një dukuri interesante që zbulojnë ekspertët lidhur me ecurinë e sektorit të hoteleri-turizmit është edhe rritja e dukshme brenda tij e aktivitetit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor.

“Ky shënoi rritje deri në nivelin prej 21.99 %”, pohojnë ata, duke konfirmuar në këtë mënyrë se kulinaria si e tillë, e cila shoqëron në mënyrë të pandarë sektorin e hoteleri-restoranteve, po shënon një rritje të dukshme nga viti në vit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: