DRAMA “ONE MAN SHOW” – ANALIZË NGA SONILA MEÇO

DRAMA “ONE MAN SHOW” – ANALIZË NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Rritja ekonomike nuk ka asnjë vlerë, nëse i lë njerëzit jashtë. Ky është argumenti i parë për këdo që të sjell një shifër të thatë të rritjes ekonomike të vitit të kaluar, e asaj të shpresuarës për të tashmen.

Ky model ekonomik që përjeton Shqipëria, është një One Man Show (shfaqje me një protagonist) ku, një njeri i vetëm, garanton nga gjoksi i tij çdo projekt, investim, PPP dhe politikë fiskale. Ky është argumenti i dytë për këdo që pretendon se, kjo qeveri ka vizion.

Nëse Shqipëria nesër çel negociatat me BE-në, integrimi më së pari do të kërkojë ekonomi të fortë. Procesi nuk e ndryshon jetën e qytetarëve, sa çel e mbyll sytë. Përkundrazi, e jona mund të përkeqësohet, sepse ekonomia nuk është gati. Ky është argumenti i tretë për këdo që ndërton pritshmëri të paqena, se do të ndodhë mrekullia ekonomike me hapjen e negociatave. Madje, edhe nëse ndodh nesër anëtarësimi.

Çdo diskutim mbi afate, tema periferike se, kush po pengon çfarë në procesin integrues, janë përpjekje për të mos lejuar një debat të fortë e të rëndësishëm mbi ekonominë, ajo që mund të na çojë brenda një kohe të shkurtër, nga optimizmi prej ëndrrës gjithnjë e më të afërt europiane, te drama e një jetese gjithnjë e më të vështirë e të papërballueshme. Edhe sikur negociatat e po të doni edhe integrimi të ndodhë nesër. Dhe nuk do të shkoj larg në këtë analizë.  Do t’i referohem vetëm zhvillimeve e gjetjeve të muajit të fundit, për të vërtetuar hipotezën se nuk na shpëtojnë dot, as negociata e as integrimi për të shmangur një situatë ekonomike drejt fundosjes.

  1. DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit) pohon në raportin e fundit se: “Korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisë. Hetimi dhe dënimi i zyrtarëve të lartë, që kanë abuzuar me detyrën, ka qenë sporadik dhe i paqëndrueshëm. Qeveria, biznesi dhe grupet kriminale, synojnë të ndikojnë median nëpërmjet mënyrave jo të përshtatshme. Ka pasur raste të ushtrimit të presionit direkt dhe indirekt politiko-ekonomik mbi median, kërcënime mbi gazetarë, që janë përpjekur të hetojnë raste korrupsioni dhe krimi. Zyrtarë, politikanë dhe persona të lidhur me interesa të fuqishme biznesi, shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë hetimit dhe dënimit.” Pra, abuzimi me financat e shtetit dhe kapja e tij nga interesa të fuqishme biznesi ose kriminale (ky term i fundit po përmendet gjithnjë e më shumë në raporte ndërkombëtare), janë shprehje e modelit ekonomik të zgjedhur nga kjo qeveri e One Man Show-t. Shprehje e këtij modeli ekonomik, pas 5 vitesh në qeverisje, në prag të çeljes së negociatave, është edhe punësimi informal në më shumë së gjysmën e ekonomisë, kushtet e këqija të punës në sektorin e prodhimit, ndërtimit dhe sektorin e minierave, mungesa e sindikatave, shkelje të shpërblimeve dhe standardeve të sigurisë në punë, sidomos në sektorin e tekstileve, ndërtimit dhe industrisë nxjerrëse. Pra, me një përmbledhje të thjeshtë, kjo është ekonomia e e kapur e një qeverie dorëzuar krimit, por dhe interesave të një grushti biznesmenësh, sipas DASH.
  2. Pas një reagimi të fortë për vendosjen e tarifave mbi kalimin e Rrugës së Kombit, pranimit nga qeveria të mungesës së transparencës dhe ndjeshmërisë për më të varfrit e të pamundurit, burgosjes së protestuesve, tashmë kemi arritur në pohimin e një zyrtari të ministrisë së transporteve se, po mendohet të negociohet një tarifë më e ulët dhe se sidoqoftë tarifa do të mbetet. Këtu fshihet edhe (c) modeli ekonomik i zgjedhur nga kjo qeveri e One Man Show-t. Janë shumë rrugë për të cilat mirëmbajtja sigurohet nga buxheti i shtetit, ashtu si edhe vepra të tjera publike. Por bash në këtë rast, koncesionarit i janë garantuar plot 31 vjet siguri për fitimin prej buxhetit të shtetit, pa tender, pa konkurrencë. Në fund të ditës, fitimi i tij do të jetë i garantuar nga qeveria, megjithëse jo i drejtë dhe me hije të forta dyshimesh korrupsioni. Kjo është një filozofi e përdorur, në thuajse çdo koncesion të dhënë nga kjo qeveri, ku garantohet fitimi i biznesit në dëm të buxhetit të shtetit, duke ngarkuar gjithnjë e më shumë qytetarin. Fakte këto, të konstatuara e tashmë të publikuara. Qeveria One Man Show-t nuk heq dorë, gjithsesi.
  3. Monedha europiane po arrin rekorde të reja të ulëta, në këmbimin me lekun, sidomos në javën e fundit. Nëse ka ndonjë dyshim e hutim se ç’hyn këtu qeverisja e One Man Show-t dhe pse kjo dëmton ekonominë, ja edhe shpjegimi. Oferta e lartë e euros e ka nënçmuar monedhën, ofertë që vjen më së shumti nga rrugë informale. Mjafton të kundrosh panoramën në qendrën më të madhe administrative në vend, Tiranë, ku ndërtimet kanë marrë hov të jashtëzakonshëm e të konstatosh se, hyrja e euros në treg ka patur efektin më të madh në këtë sektor të cituar edhe nga raportet si më i preferuari pas lojërave të fatit për pastrimin e parave. Por një arsye po aq e fortë, është edhe ekonomia e dobët dhe konsumi i ulët, përpos një përpjekjeje të papritur të Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin e tregut, pa një përgatitje graduale. Cilët janë përfituesit e mëdhenj të kësaj situate? Importuesit e mëdhenj, qeveria (sepse përfiton dhe prej shumë kohësh, madje nga ulja e vlerës së borxhit për shkak të zhvlerësimit të valutës), si dhe agjentë spekulues në tregje valutore. Në këtë rast, vetë shteti dhe qeveria e One Man Show-t, po lejojnë  për një kohë të gjatë këtë situatë, pa ndërhyrë duke dëmtuar konsumatorin, konkurrencën dhe produktin Made in Albania. Madje, mungojnë edhe shumë politika qeveritare që do të mund të siguronin mbrojtjen e prodhimit vendas, të forcimit të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, që sot ndihet e dobët edhe krah fqinjëve e jo më eurozonës. Për këtë mjafton t’u vendoset një mikrofon qytetarëve, eksportuesve, ose të konsultohen të dhënat e INSTAT-it mbi humbjet prej më shumë se 120 milionë euro në kompanitë e prodhimit vendas. Asnjë adresim për këtë problem nga qeveria e One Man Show-t, deri më sot.
  4. Banka Botërore publikoi një studim mbi taksën progresive të zbatuar nga kjo qeveri prej vitit 2013, me të ardhur në pushtet. Qeveri e majtë që do luftonte pabarazinë. Media shkroi përgjatë javës së kaluar, duke cituar tregues shqetësues të raportit. Sipas autorëve të studimit, kjo taksë ka varfëruar më shumë ata që konsideroheshin të varfër, sipas pragut të vendosur mbi të ardhurat e disponueshme për konsum. Sipas raportit, 29% e ekonomive familjare u varfëruan, si pasojë e taksave direkte dhe atyre indirektë. Madje, këto të fundit janë regresive, duke varfëruar edhe më tej të varfrit. Kjo taksë u trumbetua si gjetje e qeverisë së One Man Show-t, që do të vendoste barazi, do të ndihmonte ekonomitë familjare duke i lehtësuar, por sot e kësaj dite, jo vetëm nuk heq dorë, por po shton taksa e tarifa të reja, pa konsultime e transparencë. E pohon Banka Botërore.
  5. Pak ditë më parë, kompania Sun Petroleum Albania që tregton markën Gulf, ka ndërprerë aktivitetin. Kompania kishte shitur paraprakisht mijëra tollona dhe ende sot, askush nuk po u jep përgjigje konsumatorëve se, çfarë do të bëhet me shpenzimet e tyre të parapaguara. Aksioner zyrtar i kompanisë, është Universal Energy Group, me seli në Delaware të SHBA-ve, një zonë e njohur për krijimin e kompanive guaskë. Kush i mbron konsumatorët që panë në përurimin e punës së kompanisë, qeveritarët e One Man Show-t, të flisnin me entuziazëm për këtë aktor të rëndësishëm në treg? Po edhe nëse e shohim më gjerë, kujt mund t’i faturohet paradoksi se, shqiptarët përballojnë çmime ndër më të lartat në Europë për naftën, pa cilësi të garantuar, kur Shqipëria ka pasuri të shumta, me fushat më të mëdha naftëmbajtëse mbi tokë në kontinent? Pak ose aspak kontroll mbi tregun, kompani që hapen e falimentojnë brenda një kohe të shkurtër. Mjafton të sjellim ndërmend ARMO-n, zhytur në borxhe e detyrime të krijuara në vite, që arrijnë në 600 milionë euro.  Pra, një treg krejt kaotik, i pakontrolluar, që favorizon një grusht sipërmarrësish shqiptarë, fshehur pas kompanive off shore, duke rënduar taksapaguesit shqiptarë shumëfish. Dhe ky është një ndër sektorët që mund të mbante ekonominë shqiptare, por qeveria e One Man Show-t, si edhe të mëparshmet, kanë vendosur ta lënë në dorë të korrupsionit, evazionit fiskal dhe spekulimit në kurriz të shqiptarëve. Të dhënat janë nga vetë ministritë e linjës e dëshmitë po shtohen çdo ditë nga faktet e mbledhura në media.
  6. Pas hyrjes në fuqi më 1 prill, të uljes së pragut mbi aplikimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar, duke futur në të edhe biznesin e vogël, pas protestave në disa rrethe të pronarëve të tyre, kryesisht të vetëpunësuar, vetë zyrtarët e lartë të qeverisë këmbëngulën, pak ditë më parë, se, nuk ka taksë të re për biznesin e vogël, thjesht detyrim për deklarim. Asnjë ngarkesë fiskale, sipas tyre. Bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, kanë qenë të përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Tashmë bizneset me më shumë se 2 milionë lekë xhiro, do të duhet të paguajnë TVSH. Kostoja reale e shtuar për biznesin e përfshirë në TVSH, shtohet me koston e administrimit për çdo biznes, nga dyqanet e lagjeve tek lokale a bare. Tatimet do duhet të bëjnë kontrolle të forta, tek më shumë se 70,000 biznese e një Zot e di se si mund të kontrollohen me 1.500 punonjës, duke konsumuar kaq shumë energji me evazionin e vogël, kur i madhi bën kërdinë. Dhe për më tepër, kur përvoja e vendeve europiane dëshmon për lehtësira të shumta për këtë kategori.  Qeveria shqiptare nuk dëgjoi as sugjerimet e FMN-së, as konsultoi përvojat më të mira europiane, çdo gjë me kokën e  One Man Show-t. Çfarë shqetëson në politikat fiskale të qeverisë është se. synon rritjen e taksave pa ulur abuzimet dhe shpërdorimet me fondet publike.

Me 6 kronika ngjarjesh të ditëve të fundit, mund të krijohet një ide mbi ekonominë e ndërtuar nga kjo qeveri, që ka zgjedhur të fshehë nën ajsbergët e propagandës, problemin e vërtetë që mund ta fundosë atë, por edhe mirëqenien e shqiptarëve. Këtu nuk ka vend, as për mbrojtje e as sulm militantësh. Sot opozita nuk ka një model e projekt të sajin ekonomik, mbi të cilin do të ankoroheshin shpresat në mbytje të shqiptarëve, që kanë të varur në qafë kusure oligarkësh, koncesionesh, tatimesh e taksash dhe borxhesh, që nesër do mbysin ata, për të pluskuar një grusht njerëzish. Me këtë vendosmëri për të vijuar duke injoruar çdo institucion ndërkombëtar, pa një alternativë ekonomike të artikuluar qartazi, kapur nga krimi dhe oligarkët, modeli ekonomik i kësaj qeverie, lë të pambrojtur shqiptarin e thjeshtë, duke e fundosur. Dhe kjo do të jetë finalja e shfaqjes së One Man Show-t, nëse e lëmë të vijojë i pa shqetësuar, finale në të cilën as nuk do të jemi për t’i fishkëllyer a goditur me miell… të paktën.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: