“DETANTA”, NEGOCIATAT ANULOJNË MOSBINDJEN CIVILE – OPINION NGA PLATOR NESTURI

“DETANTA”, NEGOCIATAT ANULOJNË MOSBINDJEN CIVILE – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Zhvillimi i fundit pas vendimit të Komisionit të BE-së për hapjen e negociatave, natyrisht që do të profilizojë mënyrën si do të rrjedhin ngjarjet politike në muajt në vijim. Kjo u pa që gjatë seancës parlamentare ku, me gjithë braktisjen e zakonshme që i bënë punimeve të Kuvendit, PD-ja mblodhi direkt grupin parlamentar për të vendosur, se si do të jetë strategjia e mëtejshme. Të njëjtën gjë bëri dhe kryeministri Rama kur, në seancën e djeshme të grupit parlamentar, vijoi të marrë në shqyrtim punën dhe problematikat e dikastereve të veçanta, pas gjashtë muaj qeverisjeje. Së pari e pati radhën ministri Gjiknuri, i cili relatoi për projektet dhe afatet e përfundimit të rrugëve Tiranë-Elbasan, bajpassin e Fierit, si dhe vijimin e autostradës nga Kukësi në Morinë. Më tej, dëgjesa vijon me ministri të tjera. Kryeministri Rama u kërkoi deputetëve të tij, që të angazhoheshin për prurje të reja dhe sa më cilësore të njerëzve të cilët do të ofrohen në administratën publike, duke theksuar se papunësia mbetet një nga problemet më të mëdha në vend. Ndaj, rekrutimet e reja duhet të jenë me sa më profesionistë dhe të angazhuar në detyrat që do të kryejnë. Tani mbetet në dorë të deputetëve, se sa të aftë do të jenë njerëzit që do të rekomandojnë, pasi gjithsesi dhe si përherë, sigurimi i vendit të punës do të kalojë sërish në filtra politikë, përderisa në këtë përzgjedhje do të jenë me ndikim edhe parlamentarët e selisë rozë. Gjithashtu, kryeministri kërkoi prej tyre dhe një mbështetje më aktive, sa i takon reformave që ka marrë qeveria.

Në selinë blu, Basha dhe të vetët, pas takimit me Mogerinin duket se bëjnë një hap prapa. Protestat dhe mosbindja civile arshivohet, të paktën deri në qershor, kur pritet të mblidhet Samiti i BE-së për të vendosur për zgjerimin apo statusquo- në e Ballkanit Perëndimor. PD-ja duket se heq dorë nga protesta, me qëllim dorëheqjen e qeverisë, duke mbajtur të vetmin kusht, atë të lirimit të 11 qytetarëve kuksianë. Dorezat e sfidës pra, u futën sërish në xhep dhe tërheqja la në boshllëk sheshet, ku dikur vlonin kërcënimet e përbetimet për rrëzimin e Ramës. Kështu, merret një pushim deri në qershor, më pas sërish do të vijojnë si për të ndjekur Kampionatin Botëror të Futbollit ashtu edhe për pushimet e verës në resorte luksoze. Asgjë me tepër se kaq.

Qëndrimet dhe fokusimi i secilës palë duket kaq i ndryshëm dhe thua se jetojmë në botë të largëta e të huaja me njëra-tjetrën. Nga njëra anë kemi objekt prurjet në administratë dhe reformën e ujit, nga krahu tjetër ka një dualizëm midis protestës dhe asgjësë. E vetmja temë e përbashkët, por që gjen trajtim të ndryshëm, është reforma në drejtësi. PD-ja që akuzon se Rama po kap drejtësinë dhe shumica që akuzon pakicën, se po pengon reformën. Ndërkohë, Rama e paraqet reformën në drejtësi, si arritja që bindi komisionin për vendimin pozitiv për negociatat. Gjithsesi, pavarësisht se do këtë protesta apo jo, arrestime apo dosje të reja, ajo çka do ta mbajë të ndezur betejën në Parlament e më gjerë, do të jetë pikërisht drejtësia dhe reforma e saj.

Krijohet kështu një klimë “detante”, ku palët vërtet nuk janë marrë vesh me njëra-tjetrën, as kanë bërë ndonjë marrëveshje të besueshme për të bashkëpunuar e ndarë përgjegjësitë, thjesht një armëpushim i kërkuar nga BE-ja, por armët dhe akuzat enden në erë. Ndërkohë, shqiptarët do të jenë në të njëjtën “detantë” që i ka ndjekur në dy dekada, me një mijë halle të përditshmërisë e të mbijetesës. Papunësia, shtrenjtësimi i jetesës çka shihet dhe në uljen e fortë të aftësisë blerëse, kanë sjellë një pesimizëm social për të ardhmen dhe, për këtë, fajtori shihet në vetë klasën politike, si atë që drejtoi dje edhe në atë që drejton sot. Në këtë kuadër, ndërsa reforma që po kryhet në drejtësi parashikon të kapë peshq të mëdhenj a të vegjël, për atë qytetarin që në përditshmërinë e tij ka mbijetesën, pak rëndësi ka se si dhe nga kush do e pësojë "peshku", që është pasuruar duke vjedhur pasuritë publike. Pak rëndësi ka, se çfarë mekanizmash përdoren dhe kush i vë në përdorim butonat e drejtësisë. Ndaj ka dhe shumë pak arsye që, si motiv të protestës së tij, të jetë fakti se, njëra pjesë e politikës po përdor drejtësinë në dëm të palës tjetër. Pasi dhe protestat e qytetarëve për hallet e tyre të përditshme në gjithë këto vite, kanë mbetur pa zë dhe pa zgjidhje. Dhe kjo është një panoramë e njëjtë në gjithë këto vite tranzicion, kur ka drejtuar e djathta apo e majta. Vetë jeta e përditshme e shqiptarëve është një protestë, ndaj nëse nuk arrin ta kuptojë këtë politika, i mbetet të vijojë në botën iluzive të "betejave" oratorike në Parlament apo në panele televizivë. Kemi armëpushim politik, por jo zgjidhje. Do e shtyjmë si ta shtyjmë, ashtu siç kemi bërë në 27 vjet, që kur thërrisnim ta bëjmë Shqipërinë si BE-ja!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: