Denoncimet në internet, “furtunë” largimesh nga Hipoteka dhe ALUIZNI

Denoncimet në internet, “furtunë” largimesh nga Hipoteka dhe ALUIZNI
Pas denoncimeve të shumta, që qytetarët kanë kryer në portalin “Shqipëriaqëduam.al”, mjaft punonjës të degëve të Hipotekave dhe ALUIZNI-t janë larguar nga puna, ose janë penalizuar me masa ndëshkimore. Sipas ministres së Drejtësisë, platforma e bashkëqeverisjes nxjerr përgjegjësinë e qartë për zvarritjet e kërkesave të qytetarëve në zyrat e shtetit

Një valë shkarkimesh dhe masash disiplinore ka përfshirë degët e Hipotekave dhe të ALUIZNI-t në rang vendi. Fjala është për plot 46 punonjës të tyre, që janë larguar nga puna, pas denoncimit të bërë ndaj tyre nga qytetarët.

Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, sipas të cilës, një gjë e tillë ka ardhur pikërisht si rezultat i kontributit të drejtpërdrejt të qytetarëve në luftën e përbashkët kundër zvarritjes së tyre në zyrat e shtetit.

“Në shumë prej zyrave kishte shkelje dhe abuzime, prandaj edhe janë marrë 91 masa, nga të cilat 46 largime nga detyra dhe 45 masa disiplinore për zyrtarët e Hipotekave e të ALUIZNI-t”, ka pohuar ministrja lidhur me një fakt të tillë.

Po ashtu, Gjonaj bëri me dije se janë paralajmëruar edhe 18 zyrtarë të tjerë, për të cilët deklaroi se do të shkarkohen, në rast se nuk e përmirësojnë punën e tyre.

“Në të gjitha rastet, kur kthimi i përgjigjes është vonuar më shumë se dhjetë ditë dhe qytetarët kanë bërë denoncimet e tyre në platformën shqiperiaqeduam.al. grupi i punës i ka marrë në shqyrtim ato”, ka sqaruar më pas ministrja.

Sipas saj, platforma e bashkëqeverisjes nxjerr përgjegjësinë e qartë për zvarritjet e kërkesave të qytetarëve në zyrat e shtetit, falë ankesave të atyre që nuk bëhen palë me korrupsionin dhe nuk rrinë duarkryq.

“Jemi të vetëdijshëm se ka ende punonjës që duhet t’i identifikojmë dhe t’i largojmë se bashku. Çdo kërkesë që ka lindur nga mospërgjegjshmëria e punonjësve të administratës, ka ndihmuar në largimin e tyre”, përfundoi ministrja.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: