BSH: Ekonomia e vendit në rritje, ajo e qytetarëve në rënie

BSH: Ekonomia e vendit në rritje, ajo e qytetarëve në rënie
“Niveli i të ardhurave të familjeve ka shënuar rënie, ndërsa niveli i shpenzimeve ka vijuar prirjen rritëse. Teksa 28% e familjeve deklarojnë që kanë hua për të paguar”, pohojnë ekspertët e bankës qendrore

Ekonomia e vendit paraqitet sërish në rritje prej institucioneve dhe të dhënave zyrtare. Por ama, qytetarët shqiptarë duket që janë më të varfër se më parë. Kjo sepse ata po fitojnë më pak dhe po shpenzojnë më shumë, duke e përkeqësuar kështu mirëqenien e tyre të jetës së përditshme.

Dukuri e konfirmuar nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në raportin e fundit të stabilitetit financiar. Sipas raportit, gjendja e familjeve shqiptare është përkeqësuar, ndërsa të ardhurat e tyre janë pakësuar dhe shpenzimet u janë shtuar.

“Niveli i të ardhurave të familjeve ka shënuar rënie gjatë 6-mujorit të dytë të vitit të kaluar, ndërsa niveli i shpenzimeve ka vijuar prirjen rritëse, duke rezultuar në ngushtim të balancës financiare, të ardhura-shpenzime”, vlerësojnë ata.

Duke shtuar edhe faktin se rreth 28% e familjeve deklarojnë që kanë hua për të paguar dhe se kjo peshë vazhdon që të mbetet e pranishme në jetën e tyre të përditshme si një pengesë. Madje mjaft prej tyre shkojnë edhe më tej, duke pohuar se nuk e kanë më të lehtë si më parë për t’i shlyer ato.

“Një pjesë e familjeve ka deklaruar përkeqësim të aftësisë paguese. Ndërsa shumica e tyre nuk pret përmirësim të saj”, vlerësohet në raportin e BSH-së në lidhje me një dukuri të tillë. Duke kompletuar në këtë mënyrë vështirësinë me të cilën po përballen qytetarët dhe familjet e tyre në jetën e përditshme në aspektin financiar. Gjë e cila në fakt, nuk reflektohet aspak teksa jepen të dhënat e panoramës ekonomike të vendit në tërësi.

Kështu, gjithmonë sipas Bankës së Shqipërisë, situata ekonomike nëpër të cilën ka kaluar vendi gjatë vitit të kaluar ka qenë pozitive dhe me një rritje ekonomike mbi nivelin prej 3.36%.

“Në  tregun e punës, norma e papunësisë vijon prirjen rënëse që prej muajit dhjetor të vitit 2015, duke u ulur në nivelin prej 13.4%”, vlerëson gjithashtu raporti i stabilitetit financiar me dhënien e treguesve optimistë të ekonomisë vendase. Madje ai shton edhe se skenarët e mundshëm të përkeqësimit të saj, nuk do të mund ta “zhysnin” atë në vështirësi.

“Perceptimi ofron një vlerësim përgjithësisht pozitiv dhe në zbutje mbi ecurinë e rreziqeve kryesore”, vlerësojnë ekspertët e BSH-së. Për të shtuar më tej se rreziku  potencial që vjen nga “përkeqësimi i ekonomisë së  brendshme”, perceptohet ndjeshëm më i zbutur. Por duke apeluar se “rreziku politik në vend” ka vijuar të mbetet në  grupin e rreziqeve kryesore, edhe pse ai gjithsesi, sipas BSH-së, thuhet se ka ardhur në rënie e sipër.

“Aktualisht, bankat e perceptojnë këtë rrezik kryesisht të lidhur me ecurinë e reformave ekonomike dhe klimën e biznesit në vend”, cilëson Banka e Shqipërisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: