Bruno Pollogati: Jetën familjare e mbaj larg punëve të mia

Bruno Pollogati: Jetën familjare e mbaj larg punëve të mia
INTERVISTA/Flet për Albanian Free Press kantautori Bruno Pollogati, një nga solistët e grupit të njohur “Revolt Klan”, që prej pak ditësh ka dalë në tregun muzikor me një këngë solo e cila  po korr shumë sukses: “Pritëm pak” është një këngë me motive ballkanike e cila deri tani është pritur dhe pëlqyer shumë nga publiku dhe për këtë u jam mirënjohës për mbështetjen, se pa ata s’jemi ne.

Që në vitet 2000 e deri më sot, grupi “Revolt Klan” është nga të paktët grupe me djem që i ka rezistuar skenës dhe tregut muzikor, përmes këngëve që kanë njohur sukses dhe bashkëpunimeve me emra shumë të njohur të muzikës, me këngë që u kthyen në hit, siç është rasti i këngës me të madhen Eli Fara. Por një nga djemtë e talentuar të këtij grupi, kantautori nga Vlora, Bruno Pollogati, vendosi që këtë prag vere, të dalë me një këngë solo, që po korr mjaft sukses, gjithmonë në stilin e muzikës pop-romantik. Një këngë dashurie që ka bërë për vete shumë të rinj. Ndaj ne i morëm këtë rrëfim posaçërisht për Albanian Free Press, mbi jetën dhe karrierën e tij, teksa ishte me xhirimet e një tjetër kënge të re.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ishim mësuar me ty si një nga zërat e grupit shumë të njohur “Revolt Klan”. Por ti na surprizove, erdhe si solist me këngën tënde. Si lindi ajo?

Duke qenë se kemi 10 vite në treg menduam të bëjmë dhe ne ndryshime, si të gjithë kolegët tanë, duke ardhur me këngë solo por jo të ndarë si grup. Së fundmi ne kemi përfunduar projektin e ri që do të dali në treg shumë shpejt.

 

“Pritëm pak” është një këngë Pop por shumë melodioze dhe romantike. Do të ndiqet nga një album solo?

“Pritëm pak” është një këngë me motive ballkanike e cila deri tani është pritur dhe pëlqyer shumë nga publiku dhe për këtë u jam mirënjohës për mbështetjen, se pa ata s’jemi ne. Nuk kam menduar për album por di të them që do të ketë shumë këngë dhe bashkëpunime.

 

Kur mendon fëmijërinë tënde, çfarë kujton, çfarë shije ka ajo, çfarë arome?

Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, kam kujtime të bukura dhe shoqëria e fëmijërisë më shoqëron akoma edhe sot. Ka shije shumë të mirë dhe aromë sinqeriteti që vështirë ta gjesh në ditët e sotme.

 

Si ishte debutimi yt si kantautor, e kujton atë ditë?

Unë gjithmonë kam punuar në grup dhe debutimi ynë i parë si grup ka qenë shumë mbresëlënës dhe plot emocione, gjej rastin të përshëndes kolegun, mikun dhe bashkëpunëtorin tim Febi Shkurti me të cilin kemi punuar pa fund për të qenë këtu ku jemi sot si grup.

 

Je në këngët e para personale por ke shumë vite si kantautor. Por pak njihet nga jeta jote. Na trego pak për familjen. Sa të ka përkrahur familja në këtë pasion?

Është e vërtetë, jetën familjare përpiqem ta mbaj larg punëve të mia, por di të them që familja është dhe do mbetet mbështetja e parë jo vetëm në rrugën time artistike por dhe jashtë saj.

 

Nga frymëzohesh kur krijon një këngë?

Unë jam shumë kreativ nuk marr shkas nga asnjë gjë për t’u frymëzuar, thjesht kur më vjen diçka në mendje, e regjistroj në telefon e nëse grupit i pëlqen, ne e zhvillojmë bashkërisht.

 

Emocionet i mund apo të mundin?

Po nuk pate emocione nuk përcjell asgjë pozitive në publik, emocionet nuk më mundin por as nuk i mund, thjesht përpiqem që ato emocione që kam t’i përcjell me pozitivitet në publik.

 

Është  e vështirë është të jesh kantautor në Shqipëri?

Të jesh kantautor është diçka shumë e madhe, për mua këtu me gishta numërohen kantautorët e vërtetë. Janë shumë të pakët por me shumë vlera.

 

I kushton shumë kohë fizikut? Po me veshjen skenike, sa merresh?

Me veshjen skenike merrem por më shumë rëndësi i kushtoj muzikës dhe performancës.

 

Çfarë mendon se ke fituar nga pjesëmarrjet e shumta në festivale?

Eksperienca pa fund kam fituar dhe pa dyshim më kanë bërë më të fortë për rrugëtimin tim si artist.

 

Ke ndonjë ëndërr mbi karrierën që mund ta ndash me ne?

Ëndrra ime është që të jem ky që jam, me këmbë në tokë dhe të punoj gjithmonë kështu. Patketër dhe një ëndërr e mbetur në sirtar është që, pse jo, në një të ardhme, të jem në një skenë botërore duke performuar me idhullim tim botëror, këngëtarin Usher.

 

Në kohën jashtë muzikës, me çfarë merresh?

Jam gjithë kohës me muzikën, tani më kujtohet një moment, kur isha adoleshent e kam gjetur veten në rrugë duke kënduar opera, studioja pjesët pasi kishim baxhot, hahhaha e fortë kjo. Sot jap mësim lëndën e muzikës në shkollën private “Wilson”.

 

Kanë dalë në skenë shumë kantautorë së fundmi. I druhesh konkurrencës?

Asnjëherë nuk i druhem konkurrencës përkundrazi, sa më shumë të dalin këngëtarë e kantautorë, aq më mirë është. Secili ka fatin e vet.

 

Ke në duar ndonjë projekt të ri muzikor?

Po sigurisht që  kam disa projekte të reja, edhe vetëm, edhe me grupin “Revolt Klan”.

 

Ku beson më me fanatizëm?

Tek vetja ime hahahah.

 

Je një djalë i ri i dashuruar dhe i fejuar. Ke në krah një vajzë që duket se të plotëson. Por a është e lehtë jeta me një artist?

Po, jam i dashuruar dhe i plotësuar, është shumë e lehtë në momentin që ti nuk shkel primet familjare.

 

Si të është dukur reagimi i publikut mbi këngën tënde të re? Po reagimi i kolegëve?

Të them të drejtën është pritur shumë mirë madje edhe kolegët e kanë pritur shumë mirë. Uroj të vazhdojë kështu!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: