Biznesi i vogël sërish në protestë për TVSH-në, politika e ndjek nga pas

Publicitet
Publicitet
Biznesi i vogël sërish në protestë për TVSH-në, politika e ndjek nga pas
Njësoj siç ndodhi me protestën për taksën e Rrugës së Kombit, duket se edhe çështja me bazë ekonomike e futjes së një pjese të biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së po shton vëmendjen e politikës

Biznesi i vogël, i cili nga data 1 mars 2018 është futur në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ka protestuar sërish dje ndaj një kësaj, duke ulur qepenat për një orë të tërë. Një masë kjo, e cila mesa duket ka shkaktuar edhe reagimin e politikës vendase, si asaj që është në pushtet, por edhe ajo në opozitës, njësoj siç ndodhi pak ditë më parë me situatën e rëndë që u krijua për taksën e re të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. Një debat që përfshiu sërish politikën dhe shumë aktorë të saj, të cilët e konsideruan mesa duket atë si një argument të vlefshëm për të depërtuar te njerëzit. Konkretisht, gjatë ditës së djeshme, deputetë të Partisë Demokratike, por edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë shpërndarë nëpër pika të ndryshme të kryeqytetit, në mbështetje të biznesit të vogël, teksa ai zhvilloi protestën e tij 60-minutëshe. Këta deputetë opozitarë i bënë thirrje qeverisë të tërhiqen nga aplikimi i një mase të tillë, pasi sipas tyre kjo taksë i falimenton sipërmarrësit e vegjël. Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u pozicionua në krah të tyre, edhe përmes një statusi në rrjetet sociale, ku futjen e biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së e konsideroi si goditje për biznesin dhe ekonominë. Sipas tij,  kryeministri me anë të këtij vendimi favorizon oligarkët dhe  krijon kushtet për koncesionin privat të TVSH-së. Nga ana tjetër, edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka dhënë sqarime konkrete lidhur me futjen e biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së. Sipas tij, përveçse një hap i rëndësishëm në luftën ndaj informalitetit, kjo reformë në vetvete nuk ka në fokus të gjenerojë të ardhura nga biznesi i vogël, por në fakt saktësimin e deklarimeve të biznesit të madh. “Fokusi është te biznesi i madh, është te qartësia e transaksionit për të mbledhur më shumë TVSH-në nga biznesi i madh”,- deklaroi Ahmetaj, lidhur me një fakt të tillë. “Është një ngjarje normale ekonomike”, - tha më tej ministri. Duke mos i dhënë kësisoj aspak rëndësi reagimit të ashpër që po mbërrin nga biznesi i vogël gjatë këtyre ditëve lidhur me kundërshtimin e futjes së tij në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

 

Kryeministri: Protesta? Biznesi po përdoret keqazi nga politika

Në debatin publik për futjen e biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka kundërshtuar protestën e kësaj kategorie, duke e akuzuar se po përdoret nga politika, duke shigjetuar kështu opozitën, pasi sipas tij, tregjet janë jashtë skemës së TVSH-së. “Protesta e uljes së qepenave në tregjet bashkiake tallje e madhe me njerëzit nga politikanët pa atdhe! Sepse tregjet janë jashtë skemës së TVSH!  Ne bëmë zero taksën e Biznesit të Vogël dhe futja në TVSH e të vegjëlve nuk rrit aspak barrën mbi ta po siguron kontrollon e të mëdhenjve”, ka komentuar Rama.

 

Biznesi në protestë, Tatimet po i nisin procedurat për skemën e re

Në një kohë kur biznesi i vogël po e kundërshton me ngulm masën e re të qeverisë për futjen në regjimin e TVSH-së, autoritetet tatimore duket se as e diskutojnë fare aplikimin e tij. Një fakt të tillë e tregon edhe fakti se ditë pas dite ato po e informojnë biznesin me procedurat konkrete që ai duhet të ndjekë në korrik, kur të nisë zbatimi i masës së re. Dje, për shembull, Tatimet kanë publikuar një material informues për biznesin lidhur me mbajtjen e regjistrave kontabël për qëllime tatimore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: