BERLINI I MURIT – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

BERLINI I MURIT – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Që nga gushti i vitit 1961, gjuha jonë është mësuar të thotë, “Muri i Berlinit”. Më 13 gusht u shpall i ndërtuar plotësisht muri që ndante dy botët..., pastaj edhe pasi u shemb në 9 tetor 1989, përsëri gjuha thoshte “të Berlinit”, por tashmë “rënia e Murit të Berlinit”.

Muri i sotëm mes Shqipërisë dhe Gjermanisë i ngritur në Berlin, nuk ka funksionin e ndarjes. Kancelaria e Gjermanisë, zonja Merkel, priti dje kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili i kishte kërkuar audiencë për lutje që, Gjermania të bëhej garant në negociatat për statusin në BE. Kancelaria e Gjermanisë i tha se, “nuk bëjmë dhurata. Dhuratat do të ishin në dëm të kombit shqiptar”. Këtu u ndal fryma e turravrapit të qeverisë dhe opozitës shqiptare.

Nëse nuk do të ishte “Muri i Berlinit”, kësaj here do të ndodhnin disa fatkeqësi të reja, por edhe të  hershme me shqiptarët.

1.

Fatkeqësia e ngrefosjes së shtetit si “superfuqi”

Gjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste, superfuqitë janë marrë për “kapistre” nga shteti shqiptar i diktaturës. Me autoritetin e përfituar prej superfuqive, qeveria komuniste ka dhunuar të drejtat e popullit të vet, ka eksperimentuar torturën, urinë, mungesën e lirisë. Populli ka qenë gjithnjë “i lumtur”, pse diktatori ka merituar simpatinë e Titos, të Stalinit dhe Mao Ce Dunit... Nëse edhe kësaj here, udhëheqja post komuniste e kryesuar nga Rama, do të kishte “triumfuar” në Berlin, shqiptarëve do t’u ishin kufizuar më shumë të drejtat dhe liria; do të ishte shtuar rreziku i një autokracie më të shpejtë në kupolën e shtetit. Negociatat me BE-në i nevojiten qeverisë shqiptare vetëm për të kapërcyer edhe një herë krizat e shkaktuara nga qeverisja e keqe, për të falur krimin dhe korrupsionin. Po të kishte marrë, nga zonja Merkel, “degën e ullirit”, zoti Rama do të na kishte nxjerrë sytë. E para do të na thoshte se “edhe në Europë iu çova, çfarë doni tani?” Ne as do të donim më punë, as do të donim kujdes shëndetësor, as do të donim lirinë e protestës..., sepse “zoti” tokësor na kishte dhënë Europën(!). Madje nuk do të donim kurrë, as ndëshkimin e krimit e të vjedhjes së pasurisë kombëtare nga elita e shtetit. Nuk do të donim as naivitetin e fëmijëve..., të gjitha do t’i kishte në dorë qeveria dhe opozita së bashku, sepse Gjermania iu kishte dhënë “dafinën”.

2.

Do të na pllakoste fatkeqësia e “kulmit të arrirë”

“Kulmi i arrirë” është momenti kur një komb - si fëmijë - mendon se kaq ishte “meta” e tij. Edhe këtë e kemi provuar një herë e një kohë, kur kemi menduar se “kemi furrë e prodhojmë bukë, lum si ne që rrojmë në Pukë”. Po të ishte aq e lehtë për ne hyrja në familjen europiane, atëherë kombi do të mendonte edhe një herë se, “mbërrita kulmin”. Një komb, cilido qoftë, vdes pikërisht në këtë moment, kur mendon se “kaq ishte, nuk ka çfarë bën më”. Aspirata europiane e ndritur e kombit tonë dhe filozofëve të vet, është  projektuar si lartësia më e madhe e kombit. Kjo ka ndodhur për shkak të mençurisë dhe orientimit tonë historik; sepse edhe kishim rrezikun që të shikonim nga Lindja ose Lindja e Largët... Por po të na implementonin kësaj here presionin se, “ja, tani jemi në Europë, zonja Merkel na dha lejen menjëherë” - pikërisht këtu do të kishim stopuar.

Disa nëpunës të dështuar në BE, sigurisht edhe të nënshtruar ndaj interesave të tyre meskine, kanë lëvrirë këtyre anëve, duke na “përkëdhelur” se “ja, edhe pak, edhe pak...,  i keni plotësuar kushtet për në BE”. Mashtrimi i tyre do të na ishte kthyer në sëmundje lëkure dhe në vuajtje historike kombëtare... Por Berlini i Murit dha sinjalin: “Daleni pak, të shikojmë...!”

3.

Do ta kishim menduar Europën, si një hambar droge dhe dallaveresh...

Nëse Gjermania do të kishte buzëqeshur para kryeministrit të Shqipërisë, i cili kërkon medoemos “procedura për BE”, duke kërcënuar se ndryshe “ja ku i kemi hapur dyert e Lindjes!”, atëherë para kombit do të ishte hapur një ide e frikshme se “edhe Europa - si ne”. “Si ne”, në kuptimin e marrëdhënies me krimin, me arrogancën e qeverisë, me trafiqet shtetërore të drogës, me korrupsionin e pamasë, me tenderat e vjedhur, me perversitetin e shtetit..., siç i shikojmë përditë në jetën tonë. Nëse Gjermania do të thoshte: “Hapeni traun, se po kalon Shqipëria e mbushur me drogë...”, kështu do të shikonim. Po, a mund të ndodhte kjo?  Edhe mundej. BE është një organizatë, tashmë në vdekje klinike, e cila absorbon edhe shkeljen e  të drejtave të njeriut në Shqipëri, absorbon edhe korrupsionin, absorbon edhe prodhimin e  narkotikëve... Brenda kësaj organizate - ende të pandërtuar politikisht - ka plot nëpunës ose shefa të korruptuar, njësoj si këta këtu. Por atje ende nuk është pjesa dominuese, ajo që quhet “mafia BE”. Nëse Berlini nuk do të kishte Mur për këtë të keqe, shtete të korruptuar e të kriminalizuar të Ballkanit, si edhe Shqipëria, do të kishin marrë vulën “Europë”.

E pastaj ku do të ishim futur ne qytetarët e vdekshëm e të pafuqishëm? Do të vuanim edhe nën vulën “Europë”!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: