BEN DERHEMI, KRYEMINISTËR – OPINION NGA FRROK ÇUPI

BEN DERHEMI, KRYEMINISTËR – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Benin ose një tjetër si Beni, duhet ta bëjmë kryeministër sa më shpejt, nëse duam të shpëtojmë nga tmerret që po na kanosen...

Cili “tjetër” është si Beni?...

Këtu është thelbi se, më në fund, në këtë kohë shumë moderne, duhet të modernizojmë zgjedhjen, shijen, qasjen tonë me pushtetin, që na asiston e nuk na tmerron në jetë. Po të mahnitemi se, “nuk ka një tjetër” si kryeministri ynë, ose si ai që po piketojmë si lider, atëherë kemi rënë në gropën e mosshpëtimit. Si “Beni” janë të gjithë njerëzorët që mund t’i vëmë në krye të qeverisë. Vetëm “të jashtëzakonshmit”, ata që nuk ka “si ata”, nuk duhet t’i afrojmë në pushtetin tonë, s iç kemi bërë deri më sot...

Po cili është Beni?... Ben Derhemi është një artist i Teatrit, i takon brezit të ri të artistëve. Nuk është “gjiganti” i skenës, as diku në mes të radhës, është pak më lart... Por në “betejën” për ruajtjen e Teatrit Kombëtar, përballë përpjekjes së qeverisë që u perceptua si tentativë mafioze për të shtënë në dorë Teatrin dhe truallin 4100 metra katrorë të tij, që të ndërtojë kulla për pasurimin ilegal të klasës banditeske të shtetit, Beni u vu në krye. Dhe nuk u tërhoq, deri në fund.

Atëherë, a veç për këtë arsye na duhet “Beni”, në krye të pushtetit?

1.

Pyetja është e dyfishtë: A ka ngjallur simpati të lartë artisti i skenës, vetëm pse nuk u tërhoq nga skena e luftës me qeverinë? - njëra anë e pyetjes dhe ana tjetër e saj: Ja që nuk u tërhoq, a e zgjidhi vallë çështjen?

Po ta zgjidhte çështjen i vetëm, atëherë kjo do të na bënte të vinim alarmin se, ose shoqëria ka rënë në “gropa” të mëdha, ose ne po kërkojmë një person “huge”, d.m.th., përbindësh. Në rastin e parë, koha kur një person zgjidhte punë të mëdha të kombit, ka ikur prej shekujsh. Tani nuk është më, as epoka kur Rigas Ferreas - një gazetar grek - ngriti më këmbë shpresat e Ballkanit për konfederatë, as epoka e Ndue Nufit me shtatë vetë në Shkodër, për të çliruar zonën nga gjermanët dhe nga partizanët, as epoka e Xhorxhit të Zi të Revolucionit Serb, të vitit 1804-1821.

Por nëse sot kërkojmë që, një njeri i vetëm të bëjë një revolucion, të mbledhë shtatë kaçakë e kaq, - kjo do të ishte tragjike. Sepse kohët moderne, kanë zgjidhje moderne dhe se është e pamundur që një njeri... (A nuk shikoni sa e pamundur është qeverisja në një qeveri me Timonin Vetëm?)...

Por edhe sikur të ishte “e mundur”, atëherë, kjo që kërkojmë do të ishte tragjike për ne. Ne do të kërkonim të njëjtin gabim fatal që kemi bërë deri tani, duke thërritur në skenë njeriun e “jashtëzakonshëm”, që i bën të gjitha vetë... Po ne, çfarë të bëjmë pastaj? Të rrimë duarkryq e të durojmë, derisa të gjendet një Njësh tjetër?!

2.

Mund të mos jetë Beni, sigurisht, por dikush si ai. Këto ditë kemi parë disa “kandidatë” për kryeministër, edhe pse nuk mund të shquhet si periudha e prodhimtarisë së liderëve të rinj. Nuk është periudhë e prodhimtarisë së liderëve të rinj, sepse nuk është një kohë e gjallë lëvizjesh për ndryshim. Bota po ndryshon në të katër anët e saj, por këtu, edhe një herë si në periudhën mes pavarësisë dhe kongresit të Lushnjës, 1920, ne po quhemi si “gropë e zezë” për politologjinë perëndimore. As ka lëvizje konservatore, as realisht komuniste të kuqe, as për mbrojtjen e familjes, as për mbrojtjen e kombit, as për ruajtjen e pronës... Ça jemi kështu? - pyesin disa pseudointelektualë, që rrinë në shtëpi e presin t’i zgjidhë punët “Beni” i vetëm...

Bota amerikane dhe saksone kanë hyrë në ndryshimet e mëdha të historisë, kundër deformimeve të deritanishme. Vetë konservatorët e Europës, po bëjnë të mrekullueshmen për të rivendosur vlerat e mëdha... Ne, asgjë.

Megjithatë, edhe në këtë boshllëk lëvizjesh, këto ditë kemi parë disa individë aq të qartë, aq të vërtetë, që kanë kapur thelbin, çfarë duhet ndryshuar. Lëvizja e Kukësit me revoltën ndryshuese dhe Lëvizja “Thurje”, në një manifestim para qeverisë, na treguan se nuk është e vërtetë ajo që thonë liderët e partive, se “Nuk ka njeri, more!” Ata duan të thonë se, “jemi vetëm ne!”

3.

Nuk duhet ta duam më njeriun e jashtëzakonshëm, sepse ky është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Ka rënë prej kohësh në qytetërimin modern paradigma se, lideri “duhet karizmatik”. Çfarë është karizma?...

Nuk e provuam? I gjatë..., ironik..., përbuzës..., me çdo ditë një kostum..., njeriu që lan duart sapo takon dikë nga populli...; djalosh që lyen flokët..., paraqitje “strange”...; 10, 12 ose 13 vjet në pushtet...., bukurosh... Ç’është kjo marrëzi?! I largohemi vetes dhe natyrës sonë, si djallit...

Prandaj e vura gishtin te Beni. Por çdo Ben që është jashtë partive tani, është ai që na duhet. Kemi ardhur në pikën kur qeverisjen duhet ta ndërtojmë jashtë sistemit të partive. Ose përndryshe nuk do të kemi më qeverisje. Kjo kohë erdhi si frymë dhe praktikë nga Perëndimi, sidomos. Me sa duket, demokracia përfaqësuese u keqpërdor dhe degradoi tani për tani. Partitë janë helmuar të gjitha. Nuk ka asnjë njeri ndër to, që të mos ketë krime mbi kurriz, ose të paktën fantazmën e krimit. Kanë vjedhur, kanë intriguar, kanë bashkëpunuar kundër popullit, janë zbrazur nga kultura dhe njerëzillëku. Edhe më i miri, nuk shpëton nga kjo “fantazmë”. Partitë nuk kanë më njerëz “të bukur”, as njerëz “të pastër”. Nuk patët rastin të shikonit protestën e fundit para kryeministrisë, nga shoqëria civile? Djem e vajza të panjohur, me fytyra të reja, me ide të qarta, me artikulim të drejtpërdrejtë... Partitë kanë degraduar, ata nuk na japin më liderë “si ne njerëzit”, por të jashtëzakonshëm.

Atëherë nuk kemi pse bëhemi me dhimbje koke, duke kërkuar gjënë që nuk na duhet! Atë që na duhet, e gjejmë afër dhe të zakonshëm!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: