BELAJA TELEVIZIVE! - NGA JUELA MEÇANI

BELAJA TELEVIZIVE! - NGA JUELA MEÇANI
Në momentin që fëmijët fillojnë të rriten, të kuptojnë, i afrohen periudhës së adoleshencës ose janë në të, fillon dhe një tipologji tjetër e kujdesit ndaj tyre, sirenat e alarmit i mban të ngarkuara me bateri, antenat përpjetë në çdo moment ndaj dukurive që mund të cenojnë jetën e fëmijëve tanë. Por mirë që duhet të jesh në tension të vazhdueshëm mbi dukuritë që gëlojnë në këtë mjedis, por belaja që nuk e ke llogaritur e që të vjen orë e çast, është belaja nga papërgjegjshmëria e disa programacioneve të gabuara televizive. Ajo kutia magjike që dua aq fort e që e njoh dhe e kam pjesë të jetës, më kthehet papritur në një armik. Emisione “talk show” ose filma që, në mes të ditës, orar dreke ose pasditeje, transmetojnë histori “me pullë të kuqe” ose skena seksi që janë larg romancës e shumë pranë pornografisë. Po ashtu edhe kronikë e zezë ku shumohen përditë historitë makabre të vrasjeve pasionale ose krimeve seksuale, që tregohen në detaje.

Përballë tyre, fëmijët që, siç është më se normale, në atë orar janë përballë ekranit, shpesh herë edhe vetëm, të pashoqëruar me një prind ose gjyshe apo gjysh, pra pa asnjë mundësi shpjegimi ose ndërrimi kanali. Vulgaritet në gjuhë e në skena në orare të cilat janë tipike për filma ose emisione familjare. Televizioni shqiptar i ka harruar fëmijët ose më saktë, ka harruar se, në atë orar, janë edhe ata aty, me shqisat mbrehur që si një sfungjer të thithin çdo gjë që shoqëria ka të mirë ose të keqe. Për të pasur disa momente audience të lartë, televizionet janë vënë në garë se, kush të bëjë më shumë sensacion. T

ani që po shkruaj, në redaksi normalisht televizori është i ndezur në një stacion informativ, por në sfond dëgjohet dialogu i emisionit të radhës, ku një dashnore flet në telefon me gruan e atij, tema, pavarësisht se e ndjeshme për efektet sociale, është shumë delikate, por edhe ndjellëse për një adoleshent. Është ora 13:30 e drekës, një orar i papërshtatshëm për tematika të tilla. Jo shumë larg, por dje, teksa shikoja televizion me nënën dhe vajzën, në orar pasditeje, një televizion kombëtar shfaqte një serial thriller italian, befas skena seksi kafshëror, shfaqen në ekranin e madh. Jo vetëm u ndjemë në siklet, por fëmija u detyrua të dilte në ballkon nga turpi e zori.

Me sa duket qartë, organizmat për mbrojtjen e të drejtave të të miturve, bëjnë sehir në këtë vend që ka plot probleme me komunikimin dhe veset e të miturve, si shumë vende të tjera të dala nga një izolim i gjatë diktature. Këto organizma paguhen nga taksat tona, por bëjnë sehir, ndihen vetëm kur teprohet me fjalor nëpër emisione politike, por anashkalojnë plotësisht shfaqjet e përditshme të një papërgjegjshmëria të plotë mbi programacionin televiziv. Mjafton vetëm një çast në pavëmendje, dhe fëmija yt përfundon në mesin e një “televizioni të keq” që, jo vetëm nuk edukon, por përkundrazi, ushqen dhunën dhe nxit të miturit të rriten përpara kohe në instinkte dhe akte. Këtyre programeve nuk u shpëton asnjë, serialet me skena dhune dhe seksi, emisionet e drekës dhe pasdites, filmat, por edhe muzika me videoklipet plot tekste me krim dhe seks dhe zhargone rruge.

Në një kohë kur duhet të kujdesemi kundrejt bulizmit, racizmit, përdorimit të drogës e dukurive të tilla që karakterizojnë rritjen, duket se më shumë duhet të rrimë me sytë nga ekrani, sepse belaja na vjen edhe nga aty ku kishim më shumë besim. Po gjoba, a ka në këtë vend? Pse jemi kaq dritëshkurtër e nuk mendojmë se fëmijë kemi të gjithë, e në mos për të tjerët, këta njerëz të cilët kanë si përgjegjësi të kontrollojnë, duhet të jenë vigjilentë për veten dhe fëmijët e tyre? Nuk kam një përgjigje për këtë, por di të them se, ky televizion i cili të bën të të vijë rëndë që je gazetar e je aq i pafuqishëm sa të ndryshosh gjërat, sepse ndërkohë që adoleshenca e shumë të miturve shkatërrohet, trashet dhjami i atyre të cilët spekulojnë me të, mes tyre edhe shumë kolegë me fëmijë në shtëpi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: