Banka Botërore, apel qeverisë: Kujdes me TVSH-në e biznesit të vogël dhe PPP-të!

Banka Botërore, apel qeverisë: Kujdes me TVSH-në e biznesit të vogël dhe PPP-të!
Institucioni i njohur financiar e tha hapur dje se eksperienca në Shqipëri ka treguar që jo të gjitha koncesionet kanë rezultuar të suksesshme. Dhe se ato paraqesin rreziqe që mund të përsëriten, prandaj duhen monitoruar patjetër. Kurse për TVSH-në e biznesit të vogël, Banka Botërore pohon se ajo tërheq vëmendjen nga biznesi i madh. Për më tepër, që shton edhe kostot ndaj tatimorëve që do e administrojnë atë

Në Shqipëri duhet të forcohet transparenca e koncesioneve. Sidomos ajo e projekteve që po jepen përmes formës së Partneritetit Publik-Privat (PPP). Por në të njëjtën kohë, duhet patur kujdes edhe me futjen e biznesit të vogël me xhiro mbi 2 milionë lekë, nën regjimin e ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Dhe kjo, pasi jo vetëm që do të shpërqendrohet vëmendja nga biznesi i madh, por do të duhen edhe më shumë pará për administratën tatimore, e cila do ta menaxhojë atë.

Këto janë dy nga kritikat kryesore që Banka Botërore ka paraqitur së fundmi ndaj qeverisë shqiptare, në kuadrin e publikimit të raportit të radhës për Ballkanin Perëndimor. Duke paralajmëruar se rritja ekonomike do të ngadalësohet këtë vit. “Kjo si rezultat i maturimit të investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë, konkretisht TAP-i dhe hidrocentrali i Devollit”, u shpreh Hilda Shijaku, kryeekonomiste e BB për Shqipërinë. Prandaj sipas saj, duhet që qeveria të përpiqet të përmirësojë klimën e biznesit dhe të ulë borxhin e lartë publik, i cili kërcënohet edhe nga koncesionet.

Sipas saj, eksperienca në Shqipëri ka treguar që jo të gjitha PPP-të kanë rezultuar të suksesshme. “Dhe nga këto eksperienca, mund të filtrojmë një sërë rreziqesh që mund të përsëriten. Për të minimizuar këto rreziqe, duhet patjetër përmirësuar kuadri seleksionues, monitorues dhe vlerësues i PPP-ve”, sqaroi ajo. “Në Shqipëri duhet të forcohet transparenca e koncesioneve. Të bëhet e qartë cila është strategjia e qeverisë për investimet dhe cilat janë prioritetet. Gjithashtu, duhet të forcohet mënyra se si përzgjidhen projektet që jepen me PPP dhe mënyra se si menaxhohen këto kontrata”, theksoi më tej, lidhur me një fakt të tillë, Maryam Salim, drejtoreshë e BB-së për Shqipërinë.

Por nga ana tjetër, institucioni i njohur financiar ndërkombëtar ka cilësuar se efekti në buxhet i TVSH-së për biznesin e vogël nuk do të jetë i madh, ndërkohë që barra administrative për organet e taksave do të jetë e lartë. Madje, sipas ekspertëve të saj, nuk ka ende një informacion të saktë për rritjen e kostove te biznesi nga zbatimi i një mase të tillë. “Rritje e barrës administrative për organet e taksave për ne nënkupton më pak kohë dhe mundësi për t’u marrë me taksa paguesit  e mëdhenj, me ata që realisht sigurojnë nivelin më të lartë të taksave të mbledhura dhe ky është shqetësimi ynë. Ai që kapaciteti i organeve të taksave është gjithsesi i kufizuar dhe kjo është një barrë shtesë mbi ta”, sqaroi Hilda Shijaku, kryeekonomiste e BB-së për Shqipërinë, duke vënë në dukje kështu efektet negative që priten nga futja në skemën e TVSh-së së biznesit të vogël.

 

Pro taksës për Rrugën e Kombit. Por për banorët e zonës, të ketë lehtësira

Banka Botërore ka dalë pro taksës që qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Por me kushtin, që të ketë lehtësira për banorët e zonës, të cilët e frekuentojnë më shpesh atë. “Pagesa për këtë rrugë është rreth nivelit mesatar të rajonit. Por që në fillim është përcaktuar edhe në kontratën e koncesionit, të ketë një mekanizëm lehtësues për përdoruesit e shpeshtë. Vetë kryeministri tha se po shikohet se sa do të jetë pagesa për banorët që jetojnë në zonën përreth”, tha drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Maryam Salim, lidhur me një fakt të tillë.

 

Banka Botërore njësoj si FMN-ja: Rritja ekonomike do ngadalësohet për Shqipërinë

 Rritja ekonomike do ngadalësohet për Shqipërinë gjatë viteve të ardhshme. Ky konfirmim është bërë nga Banka Botërore, njësoj si Fondi Monetar Ndërkombëtar para pak kohësh. Madje, duhet thënë se dhe vetë raporti që prezantoi dje BB-ja për Shqipërinë, quhej “Dobësitë ngadalësojnë rritjen”, brenda të cilit saktësohej se rritja ekonomike e vendit tonë do të ulet deri në nivelin prej 3.5% në vitin 2018, nga 3.8% që ajo ka qenë në vitin 2017. “Rritja ekonomike është e cenueshme nga tronditjet e brendshme dhe të jashtme, siç e ka konfirmuar ngadalësimi i saj në vitin 2017”, cilëson raporti lidhur me një fakt të tillë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: