“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shqipëria nuk ka oligarkë. Vetëm Pashko Vasa ka qënë i tillë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shqipëria nuk ka oligarkë. Vetëm Pashko Vasa ka qënë i tillë
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Analisti ynë i varur, na ka bërë të ditur se, Shqipëria nuk ka oligarkë. Pra, nuk ka pasanikë që kapin kryeministrat për allatesh dhe bëjnë ç'të duan. Themi lajm i mirë pasi, mospasja e oligarkëve, ndikon fuqishëm në ekonominë e vendit tonë. Ndikon edhe në allatet e drejtuesve qeveritarë, kuptohet.

E meqë ra llafi te oligarkët. Edhe ne si staf i rubrikës, mendojmë se në Shqipëri nuk ka oligarkë. Ata janë vetëm më Rusi, por jo në Shqipëri. Për këtë, po japim arsyetimet e analistit të varur të rubrikës sonë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Ka disa kohë që është hapur debati, a ka apo po, oligarkë në vendin tonë. Ju, ç'mendoni?

Analisti: Sigurisht që, për momentin nuk ka.

Antena: Jeni i bindur për këtë deklaratë bombastike që po thoni?

Analisti: Sigurisht që jam. Një emër i shquar oligarku rus, të cilin e njohin shumë, është Roman Abramoviç. E keni dëgjuar si emër, besoj?

Antena: Po, po, e kam parë disa herë ndërsa krekoset në tribunën e stadiumit.

Analisti: Ai u bë miliarder, për shkak të lidhjeve të tij ekonomike me Tatjana Diaçenkon, vajzën e demokratit të shquar, Jelcinit. Asnjë i pasur shqiptar nuk ka patur lidhje ekonomike me vajzën e Jelcinit. Ky fakt, hedh poshtë tezën që, në Shqipëri ka oligarkë.

Antena: Arsyetim i drejtë. Me sa di edhe unë, asnjë prej pasunarëve tanë, jo përtej kufirit, nuk ka patur lidhje me çupën e Jelcinit.

Analisti: A do më për Romanin? Kam plot fakte, sa të bëj një roman. Abramoviçi ishte guvernator i një rajoni afër Gjirit të Beringut, gji që ndan Rusinë nga Alaska. Ti e di, besoj.

Antena: Po, po, e kam dëgjuar shumë herë këtë fak...

Analisti: E pra, asnjë i pasur shqiptar nuk ka qënë guvernator i atij rajoni. E shumta që një shqiptar ka qënë guvernator, ka qënë Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ka qënë për disa kohë dhe Pashko Vasa, Gubernator i Libanit. Pashkoja ka qënë oligark, meqë ka qënë edhe ai guvernator. Madje, vargjet "O moj Shqipni, e mjera Shqipni!", i ka shkruajtur pasi pa që, në Shqipëri nuk kishte oligarkë të tjerë si ai.

Antena: Edhe në këtë rast, arsyetimi juaj më duket i drejtë. Përherë kam menduar që Pashkoja ka qënë oligark. Do ketë bërë gjithë ato verdhushka në atë post, ai.

Analisti: Që Pashkoja ka bërë pará të madhe, i ka vdekur mami atij muhabeti! Atëherë ishte koha që bëhej paraja, se kishte shumë korrupsion.

Antena: Eh, sikur ta dinim ku i fshehu! Nejse, se iku ajo punë. A keni tjetër arsyetim për...?

Analisti: Po, sigurisht! Një tjetër arsyetim që hedh poshtë praninë e oligarkëve në Shqipëri, është fakti që Abramoviçi p.sh., ka blerë një ekip futbolli në Angli. Asnjë i pasur shqiptar nuk ka blerë ekip futbolli. Në Angli, jo e jo, por nuk ka preferuar të blejë as ndonjë klub futbolli në vend. Ja pra që në Shqipëri, nuk ka oligark, përderisa nuk kanë blerë klube sportive, si oligarkët rusë.

Antena: Ju të zini mat, shoku analist i varur. A mund të vazhdoni të më zini...?

Analisti: Do më fakte, që në Shqipëri nuk ka oligarkë, d.m.th! Duke qëndruar te blerja e klubeve sportive. Oligarku rus i quajtur Sulejman Qerimov, ka blerë para disa vitesh, klubin e quajtur Anzhi. Ai bleu edhe lojtarë si Roberto Karlos apo Eto.

Antena: Po, e mbaj mend. Aty luan edhe Berisha. Jo Saliu, por ai që ka luajtur këtu me Besën dhe Skënderbeun.

Analisti: E pra, më thoni ju mua, kush nga të pasurit e Shqipërisë, i ka blerë ata lojtarë. I ke parë ndonjëherë të luajnë në Shqipëri, këta të dy, që të përmenda? Ja pra, që në Shqipëri nuk ka oligarkë, përderisa nuk kanë i blerë këta dy lojtarë.

Antena: E vërtetë është. Asnjë prej këtyre dy lojtarëve, nuk është blerë nga të pasurit shqiptarë.

Analisti: Do më? Ai oligarku rus, Rotenbergu, që ka qënë KGB-ist me Putinin, p.sh. Ai ka blerë klub të hokejit në akull. Asnjë pasanik shqiptar nuk ka blerë klub hokeji. Ja pra që në Shqipëri nuk ka oligarkë, përderisa nuk kanë blerë klub të tillë! Dhe diçka dhe ta mbyll.

Antena: Mbylleni, ju lutem se...!

Analisti: Të pasurit rusë japin pará për bamirësi. Vetëm Abramoviçi, deri më tani, ka dhënë miliarda dollarë, për bamirësi. Kuptohet, japin me pahir, të shtyrë nga Putini. Di ndonjë pasanik shqiptar, që të japë për bamirësi, ti? Ja pra që në Shqipëri nuk ka oligarkë, si në Rusi.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: