“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoku Shalsi: Mbolla pemë me Lali Erin, se bënë namin që mbolla ca fije floku

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoku Shalsi: Mbolla pemë me Lali Erin, se bënë namin që mbolla ca fije floku
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot këtë të premte, me një lajm të mirë që ka të bëjë me naftëtarët. Ata së shpejti, do të marrin rrogën e muajt janar dhe mbase edhe të muajit shkurt.

E meqë ra llafi te shkurti, pa humbur kohë dhe shkurt, po sjellim bisedën me shokun Eduard Shalsi.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Eduard! Urime për mbjelljen e pemëve, së bashku me shokun e bashkisë, të madhin Erion Veliaj!

Eduard Shalsi: E paskeni marrë vesh edhe ju! Nuk mbeti njeri pa më uruar.

Antena: Nga ju kanë ardhur urimet?

Eduard Shalsi: Eh, nga kudo ku ka rilindas! Më shumë më kanë uruar për ato pemë që mbolla, sesa për ditëlindjen. Për këtë të fundit, s'u kujtua kush të më uronte!

Antena: Si lindi ideja e mbjelljes? A mund të na thoni diçka për rub...?

Eduard Shalsi: Ideja ishte e Erionit. Ai më telefonoi dhe më tha të shkoja të mbillja pemë me të. Hajde shpejt, të pres te liqeni! - më tha.

Antena: Po thoni që nuk e kishit menduar ju më parë këtë gjë?

Eduard Shalsi: Po ta kisha menduar unë këtë ide, nuk i mbillja në Tiranë, por në Pogradec ku jam edhe deputet. Atje buzë liqenit, nuk kam mbjellë fare.

Antena: Vërtet, përse nuk mbollët pemë në Pogradec, por në Tiranë?!

Eduard Shalsi: Ta thashë pra, që s'e kisha ndërmend të mbillja fare pemë. Kam ndjenjë të keqe nga mbjellja. Edhe lopatat i solli Erioni.

Antena: E di që jam aguridhe në këto gjërat pyjoro-politike. A mund të më sqaroni se, përse thoni që nuk donit që të mbillnit?

Eduard Shalsi: Para tre vjetësh që mbolla 3 mijë fije floku në kokë, media bëri namin. Ka mbjellë leshtë Shalsi thoshte, me lekët e popullit.

Antena: Po kështu thoshin shumë media, është e vërtetë. Ne ama, nuk e thamë këtë gjë për ju, se ishim të bindur që ato lekë nuk ishin të popullit dhe e dyta, rubrika jonë nuk ishte hapur.

Eduard Shalsi: Që atëherë, s'dua ta dëgjoj fare fjalën mbjellje. E urrej!

Antena: Më thatë që ideja ishte e shokut Erion. Kush ja kishte thënë atij që ju kishit ditëlindjen?

Eduard Shalsi: Askush! Pesëdhjetëvjetorin tim, e mori vesh rastësisht. Erioni donte të mbillte pemë me ndonjë fëmijë. Shoku Arbër Mazniku, i dha emrin tim.

Antena: Më falni, shoku Eduard, por nuk ju kuptoj. Përse thoni që...?

Eduard Shalsi: Kërkuan të gjenin ndonjë fëmijë që ta merrnin të mbillte pemë bashkë me familjen e tij, por nuk gjetën. Pastaj, shoku Arbër më mori mua në telefon.

Antena: Ju mori juve?! Çfarë ju tha, a mund ta dimë edhe neve, ju lutem!

Eduard Shalsi: Po kërkojmë një fëmijë që të vijë me familjen e tij dhe Erionin të mbjellë pemë, - më tha - mirëpo nuk po e gjejmë, ndaj hajde ti!

Antena: Të vinit ju me fëmijët tuaj, d.m.th?

Eduard Shalsi: Po, pra! Hajde ti, më tha shoku Arbër, se ti je i sinqertë si fëmijë. Dhe më kujtoi ngjarjen kur unë si fëmijë i sinqertë, thashë që ne rilindasit do vidhnim...

Antena: Ju kujtoi këtë ngjarje?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua! Desha të dija, pemë gështënje ishin ato që mbollët?

Eduard Shalsi: Po, po, gështënje ishin. Mirë i paske parë!

Antena: Po përse zgjodhët gështënja dhe jo pemë tjetër?

Eduard Shalsi: Si simbol. Ne rilindasit dimë si t'i kapim gështënjat, qoftë edhe të nxehta. I kapim me duart e të tjerëve.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: