“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Rama dhe Basha: Që do futemi në BE përpara Turqisë, "i ka vdekur aneja atij muhabeti"!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Rama dhe Basha: Që do futemi në BE përpara Turqisë, "i ka vdekur aneja atij muhabeti"!
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Shqipëria rrezikon që, pas një dhjetëvjeçari, të mbetet pa shumë burime ujore.

Themi lajm i mirë pasi, deri atëherë vendi do jetë zhvilluar. Ne do jemi me një këmbë e gjysmë në BE dhe nuk do e kemi problem që të pijmë në vend të ujit, pije energjike apo lëng frutash, le të themi.

E meqë ra llafi te BE-ja. Dje, ajo na i hapi gjysmën e portës për të hyrë. Tani na mbetet për të na hapur gjysmën tjetër, por pa na i mbyllur këtë gjysmën që na i hapi dje.

Po ç'do të thotë për vendin tonë, nisja e këtyre bisedimeve për anëtarësim?

Ne si rubrikë, pyetëm analistin tonë të varur, i cili na qartësoi shumë gjëra rreth kësaj çështjeje.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku analist! E morët vesh besoj që, Be-ja na i hapi dje bisedimet?

Analisti: Po nuk e mora unë, kush do e marrë!

Antena: Ju ç'mendim keni për këtë ngjarje, që shumë shqiptarë, mezi e kanë pritur. A ...?

Analisti: Hapja e bisedimeve me BE-në, është si ajo puna në kohën e monizmit...

Antena: Si puna e të bërit dashuri në fshehtësi, doni të thoni. Apo si puna e të martuarit, pas 15 vjet fejesë, pasi të kursenin lekët për të blerë frigoriferin.

Analisti: Desha të thosha, si ajo kur fshatari (shqiptari) i shkretë, priste mbase shitësja e dyqanit të bukës në qytet, i jepte bukë gruri, megjithëse ajo e dinte që ai qyqari nuk jetonte në qytet (BE)...

Antena: Ju kuptoj. Edhe sot nuk ju dëgjoj mirë. Mund të na thuash se, ku jeni?

Analisti: Po marr masa që të paraprij disa gjera që do ndodhin në të ardhmen.

Antena: Më falni, shoku analist, por si aguridhe që jam në këto çështjet politike, nuk kuptoj shumë gjera. Ç'masa po merrni, p.sh.?

Analisti: Tani që po flas, jam te rrobaqepësja.

Antena: Do bëni ndonjë kostum për festën e hapjes së bisedimeve me BE-në, d.m.th! Shumë mirë bëni! Një ngjarje e tillë, e meriton një kostum të ri!

Analisti: Ça kostum thua, o derman! Po marr masat për të qepur brekë, më falni për shprehjen! Kam blerë fanellatë dhe...

Antena: Do qepni brekë? E çuditshme! Të tilla ka me tonelata në treg. Armani, Dolce Gabbana. Ça të të dojë menderja, mund të veshësh!

Analisti: Ka or ka, por nëse futemi ne BE, nuk do ketë më.

Antena: Si nuk do ketë më? Ju po thoni që në BE do rrimë pa brekë?!

Analisti: E kisha llafin që nuk do ketë më nga ato lloj brekësh që the ti. Ato që shiten në treg, dy copë, 2 mijë lekë të vjetra. Nuk do hyjnë më në dogana, brekë me marka fallco.

Antena: Sa i sigurt jeni për këtë që po më thoni?

Analisti: 120...

Antena: 120% d.m.th. Pra, jeni më tepër se ç'duhet.

Analisti: Po flisja me rrobaqepësin. Po më maste vidhet, për të prerë fanellatën. 120 centimetra i kam,- i thashë. Qenkam dobësuar dy centimetra, nga matja që më bëri para 5 minutash.

Antena: Do qëndroni disa orë aty d.m.th, sa të dobësoheni më shumë.

Analisti: Do iki të takoj Edin dhe Lulin. I mora ne telefon dhe më thanë që të shkoja tek ai restoranti me pamje të bukur, ku mblidhen ata.

Antena: A mund të na thoni se, ç'ju thanë tjetër Edi dhe Luli?

Analisti: Me garantuan që, Shqipëria do bëhet pjesë e BE-së, para Turqisë. I ka vdekur aneja këtij muhaheti, - më thanë. Kështu i kishin siguruar edhe ata të mëdhenjtë që janë në BE. Ika tani, të provoj brekët e fanellatës, se këto do veshim më pas.

Antena: Po iki edhe unë të blej ca fanellatë, e të bëj ca brekë...

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: