“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ja LESH-i i fundjavës!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ja LESH-i i fundjavës!
Satirë

Meqë sot është dita e fundit e javës së punës, po sjellim minirubrikën tonë, Lajme Ekskluzive të Shartuara (LESH). Kjo rubrikë në përgjithësi dhe "Antena Jashtë Familjes" në veçanti, vjen sot me një lajm të mirë. Shoqja Elisa Spiropali, deputete e Kuvendit tonë, këtë javë u pa me një makinë të re, të sapoblerë, kuptohet me kredi.

Themi lajm i mirë, pasi një vajzë e re, e bukur si ajo, e meriton të ketë një makinë fringo. Ju bëjmë thirrje ziliqarëve që të heshtin, pasi heshtja është veti e të mençurit. Jo më kot edhe vetë Elisa e mençur, ka heshtur dhe nuk u është përgjigjur akuzave.

Në një kohë që ekonomia socialiste po pëson rritje me ritme të shpejta, blerja e një automjeti të blerë qoftë edhe me kredi, nuk është më problem, për njerëzit e pathjeshtë.

Meqë ra llafi te rritja ekonomike. Sipas shokut Genc Sejko, të parit të Bankës së Shqipërisë, ekonomia socialiste gjatë vitit të kaluar, pësoi një ngritje prej 3.8%, krahasuar me vitin 2016. Siç shihet, pavarësisht se për 9 muaj me radhë, shoku Edi Rama nuk e kishte tepsinë i vetëm, arriti këtë rekord ekonomik, vitin e kaluar.

Jemi të bindur se, këtë vit, që në tepsi nuk janë të tjera parti, rritja do të jetë më e madhe.

E meqë ra llafi te arritja dhe rritja. Sipas shokut Arben Ahmetaj, vetëm vitin e kaluar u hapën 79 mijë vende pune. Duke shtuar 21 mijë shqiptarët që u larguan nga vendi, dalim në përfundimin se, vetëm vjet, shpëtuan 100 mijë vetë nga varfëria.

E meqë ra llafi te shoku Arben Ahmetaj. Para tre a dy ditësh, ai ishte në Kukës, ku takoi edhe disa njerëz që kanë biznese të vogla. Në vizitën e tij, ai shoqërohej ndër të tjera edhe nga ish- kandidati për deputet, shoku Safet Gjici, President i Klubit të Futbollit të Kukësit. Të mbledhur rreth shokut Arben, me thënë të drejtën, nuk kishte shumë njerëz.

Dihet dashuria e paktë e kuksianëve për sportin e futbollit. Megjithëse shumë herë, hyrja në stadium është bërë pa biletë, ata nuk shkojnë në stadium. E kur nuk shkojnë në stadium, nuk mund të pritej të shkonin në një takim me karakter ekonomik.

Nuk kuptuam se, përse shoku Safet që është biznesmen i madh, duhet të ishte në takimin e shokut Arben, me biznesmenët e vegjël. Për momentin, ai nuk është as deputet dhe as Prefekt. Urojmë që shoku Safet, mos të jetë katandisur biznesmen i vogël, siç janë katandisur disa ish-presidentë të tjerë të sporteve, kryesisht të futbollit.

E meqë ra llafi te sporti. Dje në Kuvendin e Shqipërisë, u pa sporti i hedhjes, këtë radhë i miellit, mbi Kryeministrin.

Urojmë që, ky miell të jetë jo si ai që tregtohet në furrat e bukës, se përndryshe shëndeti i shokut Rama, do të jete vërtet në rrezik. Nuk po përmendim rrezikun që mund të shkaktojë ky miell mbi xhaketën e tij, duke e gërryer atë. Kjo gjë duhet marrë me sportivitet nga mbështetësit e tij, pasi nuk përbën problem prishja e një cope, sepse dihet se, shoku Edi ka me dhjetëra kostume, po dhe jo sportive.

E meqë ra llafi te Kukësi. Në një ditë të kësaj jave, shefja e LSI-së, shoqja Monika Kryemadhi, festoi ditëlindjen. Anëtarët e rinj të kësaj partie, i kishin çuar edhe një çizme, që me sa dukej ishte e djathta. Duke i uruar shoqes Monika, për ditëlindjen, shprehim disa mendime për këtë çizme. Siç shihet, ajo është ngjyrë e zezë. Kjo për të simbolizuar ditët e zeza që kanë mbërthyer këtë parti, qysh nga koha e largimit nga tepsia qeverisëse.

Element tjetër është që, rripi i saj është i hapur. Kjo, si për të thënë se, kjo forcë politike është e hapur me këdo. Mjafton që ai "këdo", të përkrahë shokun Erion Veliaj...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: