“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Vasilika Hysi: Shoqja Kumbaro më tha që, poezia me “mosngritje”, do fitojë çmim!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Vasilika Hysi: Shoqja Kumbaro më tha që, poezia me “mosngritje”, do fitojë çmim!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Fermerët e Lushnjës kanë hedhur preshtë në kanale. Themi lajm i mirë pasi, çdokush që do që të marrë presh, mund t'i gjejë ato pranë kanaleve të kësaj zone, pa paguar kokërr leku.

Neve si rubrikë nuk e kuptojmë se, përse preshtë nuk dhurohen në qendrat sociale për të vobektët? Por shpjegimin na i dha kolegia jone josimpatike, por e bukur, Suela,e cila na tha se, edhe sikur preshtë të jepeshin badjava te të varfrit, ata nuk dinë t'i gatuajnë, pasi në rubrikat televizive, shikojnë se si gatuhet linguine me dateri, le të themi, e jo ndonjë byrek me presh.

E meqë ra llafi te Lushnja, pra te ajo zonë që në kohën e Ilirisë quhej Taulantja. Ne morëm vesh, nga një kanal televiziv lokal se, shëtitorja Taulantja në Durrës, është drejt rrënimit, apo siç i themi neve në gazetari, degradimit. I japim të drejtë kryetarit të bashkisë së Durrësit, që nuk e ndërton këtë shëtitore. Një shëtitore që mbart emrin e atillë, nuk meriton të jetë e mirë, përderisa lushnjarët, ish-taulantët e hershëm, nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël që, gropat dhe kanalet e kësaj shëtitoreje, të mbyllen.

Ata shumë mirë mund të merrnin preshtë që mbjellin, e këto të shkonin e t'i hidhnin në gropat dhe kanalet e Shëtitores Taulantja, duke i zënë ato. Kur lushnjarët nuk vetëmendojnë për diçka që ka emrin e tyre, nuk ka se, përse këtë gjë ta bëjë shoku Gjushi.

Çdokush në jetë duhet të mësohet të kujdeset për emrin e tij.

E meqë ra llafi te të mësuarit. Ne takuam shoqen Vasilika Hysi, e prej saj mësuam se...

Ja bashkëllafoja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoqja Vasilika! Duam t'ju pyesim për atë që ju e quajtët poezi, që shoku Edi Rama e tha në Kuvend. Për atë me mosngritje...

Vasilika Hysi: Për atë çështje po flisja qëparë në telefon.

Antena: Mund të na thoni se, me kë po flisnit?

Vasilika Hysi: Po flisja me shoqen Mirela, ministrin tonë të Kulturës.

Antena: Çfarë diskutuat me të?

Vasilika Hysi: Më kërkoi që t'i thosha poezinë e plotë. Ma thuaj - më tha - se ti duhet ta dish!

Antena: Po shoqja Mirela nuk e dinte vetë? E çuditshme, pasi ajo më duket shumë e lexuar!

Vasilika Hysi: Kështu i thashë edhe unë, por ajo më tha që nuk preferon të lexojë poezi të këtij niveli. Unë lexoj vetëm poezi franceze, më tha.

Antena: A ja thatë poezinë që ajo kërkoi?

Vasilika Hysi: Çfarë t'i thosha, se mos e di unë poezinë! I thashë, pyet Linditën që kemi ministër të Arsimit. E hoqa atë belánga vetja.

Antena: Po shoqja Mirela, a do ta pyesë shoqen Lindita?

Vasilika Hysi: E kishte pyetur përpara se të më telefononte mua, por Lindita i kishte thënë që, nuk e dinte atë poezi. Kur nuk e di Lindita që është te arsimi, nga ta di unë, që merrem me ligjet!

Antena: Arsyetim i drejtë po më duket edhe mua. Po tjetër, çfarë...?

Vasilika Hysi: Çfarë figure letrare është kjo, kur popullit i thuhet, ngrihu, e ai nuk ngrihet, më pyeti shoqja Mirela. S'dija çfarë t'i thosha. Të më pyeste për ndonjë Figurë të Veprës Penale, ndryshonte puna. Me këto Figurat Letrare, kam vite që nuk kam të bëj fare.

Antena: Nga ju gjejnë juve këto bela, moj shoqja Vasilika?!

Vasilika Hysi: Taksirati im. Unë edhe kur jam në tavolinë me kolegët e mi, mbyll veshët, se s'dua t'ju dëgjojë figurat letrare që përdorin. M'u mërzit edhe Mirela.

Antena: U mërzit shoqja Mirela me ju?! Pse, çfarë ju tha?

Vasilika Hysi: Ti nuk do që të më tregosh mua. Ke filluar edhe ti Lika, të bëhesh si politikanët e tjerë, - më tha. Dyshon Mirela, se mos unë i mbaj sekrete. Për kokën e ligjshmërisë socialiste, që nuk di gjë, - i thashë! Ajo ma mbylli telefonin me inat.

Antena: Po përse e donte atë poezinë me ngritje-mosngritje, shoqja Mirela?

Vasilika Hysi: Me ç'më tregoi shoqja Mirela, asaj poezie do t'i japë çmimin e parë, këtë vit.

Antena: Shoqja Mirela do t'i japë çmim poezisë që përmendi shoku Kryeministër në Kuvend?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua!

Vasilika Hysi: Lum si ti, e kape një lajm që deshe! Unë e gjora që dola në lajm, duke mbrojtur diçka që nuk ma bënte goja që ta mbroja! Eh, ç'të bën politika...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: