“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Majlinda Bregu: Artan Shkreli dhe Artan Lame po më largojnë nga vendi im

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Majlinda Bregu: Artan Shkreli dhe Artan Lame po më largojnë nga vendi im
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Sipas disa studiuesve, sociologë dhe biologë së bashku, nëse fëmija i ngjan babait, ai në jetë do jetë më i shëndetshëm.

Themi lajm i mirë, pasi baballarët tashmë mund të krenohen shkencërisht, kur fëmija i tyre është mirë me shëndetin. E nëse fëmija largqoftë është shëndetligë, babai tashmë ka të drejtën e argumentuar, që t'i kërkojë gruas së tij llogari, përse fëmijën e ka bërë të tillë...

E meqë ra llafi te sociologjia. Ne biseduam me shoqen Majlinda Bregu, sociologen dhe një nga anëtarët e KOP-it.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoqja Majlinda! Urime për punën e re, në ...!

Majlinda Bregu: Punë mavria! Më larguan nga vendi, siç largonte Enveri ata që ishin kontribuuesit më të mëdhenjë...

Antena: Ju larguan nga vendi?! Kështu e mendoni?! Po ku ka më mirë se të shkosh me punë jashtë shtetit! Unë për veten time, e kam ëndërr një punë të tillë!

Majlinda Bregu: E ke ti, por jo unë. Unë vërtet jam për integrimin e Shqipërisë në Europë, por jo që ne të shkojmë vetë dhe të jetojmë atje. Kemi bërë gjithë këto investime brenda vendit, e nuk është e lehtë që t'i lëmë pa zot.

Antena: Po thoni që nuk keni dashur të largoheni nga Shqipëria?! Po ju dolët dhe falënderuat shokun Ditmir Bushati, për punën e re. Si është e...?

Majlinda Bregu: Diplomacia kështu e ka. Duhet të dilja për kortezi, por ja ku po ta them vetëm ty që, këtë e bënë për të më goditur mua.

Antena: D.m.th., ju nuk keni qënë dakord që të punësoheni jashtë vendit, d.m.th?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua!

Majlinda Bregu: Sigurisht që nuk jam dakord. Atje ku do shkoj, vetëm rrogën do kem, si të ardhur. Këtu brenda vendit, merrja gjithë ato projekte.

Antena: Po edhe atje ku do shkoni, mendoj se do vazhdoni të merrni projekte, shoqja Majlinda.

Majlinda Bregu: Të shoh, ishallah marr, se vërtet nuk jetohet vetëm me rrogën!

Antena: Merrini dhe shënoni sikur këto i marrin njerëz të tjerë e jo ju. Le që ju këtë gjë e dini vetë, s'keni nevojë për këshilla. Mund të na thoni se, kush dhe përse po ju largojnë nga vendi?

Majlinda Bregu: Mendoj se iniciatorë të largimit tim, janë dy persona. Ata janë shokët Artan Lame dhe Artan Shkreli. Këta kanë ndërhyrë te Rama, që të më çojë me punë jashtë vendit.

Antena: Shokët Artanë, kanë gisht në largimin tuaj? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua! Po përse vallë ta kenë bërë këtë gjë?

Majlinda Bregu: Me ta kam pasur debate të shumta, disa vite më parë. Dolën kundër meje, kur unë ndërtova një shtëpi, ngjitur me muret e Kalasë së Prezës. Thanë që kisha shkelur rregullat e Trashëgimisë. Pika, trashëgimisë së tyre!

Antena: Tani po e kujtoj edhe unë këtë gjë. Ne si rubrikë, kemi zbuluar muaj më parë, edhe një letër që ju i keni dërguar shokut Rama, madje.

Majlinda Bregu: E vërtetë! I dërgova një letër ku i shkruaja se, turistët para se të shkonin në Rinas, duhet të ktheheshin të vizitonin kalanë e Prezës.

Antena: Po përse vallë ta kenë bërë këtë gjë kundër jush, këta dy Artanët? Nga zilia apo ka arsye tjetër?

Majlinda Bregu: Nuk di ç'të them. Ndoshta duan që ajo shtëpi që kam ndërtuar, mos të vizitohet shpesh prej meje, e kështu të rrënohet. Atyre të dyve, ç'nuk u pjellë mendja, për të mbrojtur deri ne fund, kalatë e këtij vendi...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: