“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Olsi Rama: Disa futbollistë të Partizanit, do fillojnë bahçevanë në bashkinë e Tiranës

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Olsi Rama: Disa futbollistë të Partizanit, do fillojnë bahçevanë në bashkinë e Tiranës
Satirë

Pas mbjelljes së pemëve që bënë futbollistët e Partizanit, me kryetarin e bashkisë, shokun Erion Veliaj, ne biseduam me shokun Olsi Rama, që është drejtor i këtij klubi futbollistik.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Olsi! Urime për nismën e mbjelljes së pemëve! E kujt ishte kjo ide?

Olsi Rama: Ishte ide e Erionit. E takova para disa ditësh dhe i thashë që të na jepte lekë për klubin tonë, siç premtoi në fushatë se, do t'i jepte fonde çdo klubi sportiv të kryeqytetit.

Antena: Po lekë a ju dha apo le, ç'i doni?

Olsi Rama: Na dha lesh! Ai s'po ju jep sporteve të tjera të klubit tonë e jo më neve të futbollit që, të paktën, e kemi një president. Në vend të lekëve, na dha lopatat. - Merri futbollistët, - më tha - dhe silli të mbjellin pemë, nëse doni të mbaj premtimin e dhënies së lekëve! Kështu që, u detyrova të sillja futbollistët nga Liqeni, me lopatë në dorë.

Antena: Pashë që, disa futbollistë ishin mjeshtra në përdorimin e lopatës...

Olsi Rama: Edhe Erionit i bëri përshtypje ky fakt. Disa futbollistë që kemi ne ekip, janë më të mirë në përdorimin e lopatës, sesa të topit. M'i jep mua këta - më tha Erioni - t'i punësoj bahçevanë në bashki, se e qajnë punën e lopatës!

Antena: Për cilët lojtarë bëhet llaf?

Olsi Rama: Nuk mund t'i bëj publikë emrat, sepse i dhashë llafin Erionit që me të mbaruar sezoni futbollistik, do ja jap. Kam frikë t'i bëj publikë emrat, se mos i kërkojnë edhe bashkitë e tjera, për t'i punësuar si bahçevanë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: